80% e bizneseve të anketuara japin si arsye kryesore krizën ekonomike, emigracionin dhe gjendjen shëndetësore. “Monitor” kreu një sondazh me 100 biznese të regjistruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës, që kanë kaluar aktivitetin e tyre në status pasiv. Ndër arsyet kryesore që bizneset dhanë për mbylljen e aktivitetit janë: taksat, shpenzimet e larta dhe konkurrenca, rreth 60% e tyre, ndërsa në vend të dytë renditet emigracioni dhe problemet me shëndetin.
Ishte viti 1995 kur Edmond Bejleri themeloi kompaninë Interplastik, e cila si objekt kryesor të aktivitetit kishte prodhimin e dyerve, dritareve plastike nga lënda e parë, të cilën e importonin nga jashtë. Në maj të këtij viti, Interplast bëri kërkesë për pezullimin e aktivitetit që e ushtronte për më shumë se 20 vite në zonën e Kombinatit. I intervistuar nga “Monitor”, zoti Bejleri u shpreh se në dy vitet e fundit, biznesi i tij ka qenë me humbje të mëdha dhe e kanë mbyllur përkohësisht.
“Ne ishim një firmë e vogël, taksat më vinin shumë të larta. Nuk e përballuam dot. Po mendoj për një plan të ri biznesi. Edhe pse kemi filluar herët, kemi qenë ndër të parët. Pastaj nisi konkurrenca e pandershme, me biznese që nuk paguanin as TVSH dhe as taksa. Dy vitet e fundit kanë qenë katastrofë. Jetoj me pensionin që më ka dalë” – tha Edmond Bejleri, 67 vjeç.
Edhe biznesi i Enri Jahja, në fushën e tregtisë, të cilin e kishte themeluar në vitin 1998, është mbyllur. Ndër arsyet kryesore që Jahja dha për pezullimin e biznesit ishte rënia e aktivitetit, pasi sipas tij nuk kishte më punë. Enri Jahja shprehet se rënia nisi diku nga 2013-2014, por më agresive u bë në vitin 2015. “Unë jam i punësuar diku tjetër”, tha ai. Një ndër bizneset e pezulluara gjatë nëntë muajve të vitit 2019 është ai i zotit Endrit Shrali, me objekt tregti me pakicë dhe i themeluar që në 1992.
I pyetur nga “Monitor”, Shrali shpjegoi se kur kaloi si biznes i madh, vendosi që ta pezullonte. Ai u shpreh se pas 3 vitesh “më vjen një letër nga bashkia, që më njoftonte se i detyrohesha 200 mijë lekë, edhe interesat nga vonesat për pagesë, për të cilat nuk ishte informuar”. “Çdo vit kam qenë i rregullt me taksat. Dua që ta mbyll fare. Nuk bëhet biznes këtu në Shqipëri. Aktualisht jam i papunë” – tha ai gjatë intervistës që iu bë me telefon.
Për biznesin e zonjës Iva Haxhiaj u përgjigj ekonomistja e cila për shumë vite ka mbajtur bilancet për biznesin e saj. “Zonja kishte një dyqan ku tregtonte rroba për fëmijë. Falimentoi. Nuk ka shlyer shumë detyrime, madje edhe për shërbimet e mia nuk ka paguar” – tha ajo. Iva Haxhiaj prej vitit 2000 kishte regjistruar biznesin e saj të tregtisë, por gati pas 20 vitesh punë, edhe biznesi i saj mbeti viktimë e rënies së konsumit.
Të njëjtin fat patën edhe bizneset e zotit Anton Nikolli.
Një prej bizneseve që kanë kaluar në statusin pasiv në Tatime ishte edhe dyqani i luleve në emrin e tij. I pyetur për arsyet e mbylljes së aktivitetit, Nikolli tha se falimentoi. Në 5-6 vitet e fundit, ai kishte mbyllur të gjitha aktivitetet, ku përveç dyqanit të luleve kishte pasur dhe një kazino dhe një bar-kafe. Nikolla tha se është kryefamiljar dhe që kur ka mbyllur bizneset është i papunë.
Viti 2019 ishte fatal edhe për biznesin e Jonida Harunit, farmaciste me profesion, që në krye të dhjetë viteve që nga momenti i hapjes së biznesit të saj, u detyrua ta mbyllte për shkak se falimentoi. Edhe dyqani ushqimor i zotit Indrit Veseli, ku ishte vetëpunësuar që prej 2010-s kishte kaluar në statusin pasiv këtë vit. Arsyeja që jep Veseli nuk është aspak e panjohur. Rritja e konkurrencës nga zinxhirët e supermarketeve të mëdha, por edhe kostot e larta të qirasë, e detyruan ta mbyllte pas thuajse 9 vitesh ushtrim aktiviteti. Ai shtoi se gjatë tre viteve të fundit kishte dalë me humbje deri sa mori vendimin për ta mbyllur.
Po ashtu edhe Agim Hidri, i cili merrej me tregti bizhuterish që prej vitit 2011 tha se biznesi i tij nisi të mos ishte më rentabël e kështu vendosi që të pezullonte NIPT-in dhe të punësohej diku tjetër me pagë. Qendra e Kërkimit Monitor zhvilloi një anketë me bizneset e Tiranës që kanë kaluar në listën e subjekteve pasive gjatë 9-mujorit të vitit 2019. Me një përzgjedhje rastësore u intervistuan nëpërmjet telefonit 100 biznese, të cilat u pyetën për arsyet që i çuan drejt mbylljes. Thuajse 80% e bizneseve dhanë si arsye kryesore krizën, e cila kishte sjellë tkurrjen e aktivitetit të tyre, emigracionin dhe problemet me shëndetin.
Përkatësisht 57% e telefonatave dhanë si arsye kryesore krizën. Ndërsa 11% emigracionin, të cilët pasi ishin përballur me vështirësi në aktivitetin e tyre, panë si alternativë më të mirë emigrimin. 10% e të anketuarve dhanë si arsye kryesore problemet me shëndetin. Përkeqësimi i shëndetit të popullatës është një nga pasojat direkte në reduktimin e produktivitetit, çka rrit numrin e personave që nuk janë të aftë në punë dhe që duhet të mbështeten nga pensionet sociale.
Taksat, shpenzimet e larta dhe konkurrenca e pandershme po mbyllin bizneset
Gurije Myrtollari i vuri drynin dyqanit të saj me rroba të përdorura në mars të 2019. E pyetur për arsyet, ajo u përgjigj se falimentoi dhe se një nga arsyet kryesore kishin qenë detyrimet dhe taksat. “Nuk na leverdiste më që ta mbanim si biznes. E kalova fillimisht me idenë se do ta rihapja kur situata të ndryshonte disi, por tashmë kam filluar punë tjetër” – u shpreh ajo.
Po ashtu edhe Burbuqe Ahmeti, e cila gjithashtu kishte një dyqan me rroba të përdorura vendosi ta mbyllte si biznes kur pa se nuk po ecte më, fluksi i njerëzve ra dhe nuk po arrinte të nxirrte më as qiranë, nuk po paguante dot as sigurimet dhe nuk po i dilte më as edhe një pagë modeste për vete. “Kisha gati 5 vjet me këtë aktivitet, por gjashtëmujori i fundit pati një rënie drastike”- u shpreh ajo.
Ilden Hoxha, i cili kishte një servis për riparimin e kompjuterëve, bën një analizë se përse shkoi drejt mbylljes biznesi i tij. “Arsyet janë të thjeshta, pamundësia për të përballuar kostot dhe shpenzimet, qiraja, taksa, sigurimet shoqërore, rreth 3-4 muaj e mbajta me humbje, edhe puna ra se u krijua një situatë e vështirë. Ndikimi është edhe te biznesi. Tani bëj punë me ditë. Do të doja ta rihapja, por me këto kushte nuk mundem. Sikur të kishte ndonjë politikë më të butë me ne bizneset e vogla, do të ishte më mirë për ne. Familjen mbaja me ato të ardhura, ndërsa im shoqe është mësuese” – tha ai.
Zenel Troçi, i cili kishte mbyllur një lavazh, pohoi se nuk kishin më punë, nuk po paguante dot as sigurimet. “Tani biznesi ka mbetur i pezulluar dhe kam detyrime të papaguara prandaj nuk mund ta çregjistroj dot” – shpjegon ai.
Ndërsa për Bilbil Vodhën, shkak për mbylljen e aktivitetit u bë një gjobë që ju vendos nga Policia Bashkiake dhe Tatimet. “Mora gjobë si nga Tatimet ashtu edhe nga Bashkia. Unë nuk kisha mundësi që t’i shlyeja, edhe pse kërkova që të paguaja detyrimet me këste, nuk e gjeta gjuhën e përbashkët” – tha ai kur u pyet për arsyet.
Fati i keq ndoqi edhe biznesin e Anila Hoxhës, ku telefonatës nga intervistuesit iu përgjigj i shoqi. “U mbyll për arsye se nuk arriti dot të paguante taksat, ra puna, as punëtorët, as energjinë, duhet t’i paguanim vetë nga xhepi. Tani është pa punë dhe 48 vjeçe. Ishte një biznes familjar” – tha ai.
Edhe Lavdie Troçi deklaroi se u detyrua ta mbyllte biznesin pasi nuk kishte më punë dhe nuk mbulonim dot as taksat nga bashkia, të cilat sipas zonjës Troçi ishin shumë të larta dhe nuk arritën të përfitonin asgjë. Në moshën 42-vjeçare, Lavdie Troçi ka mbetur pa punë.
Përveç taksave dhe shpenzimeve të larta, bizneset shqiptare kanë filluar të ndiejnë gjithnjë e më shumë peshën e konkurrencës. Agim Boduri, i cili kishte një dyqan ushqimore, u shpreh se dyqani i tyre ishte në një pozicion që nuk ka punë. “Na e morën punën supermarketet. Bashkë me gruan kemi ngelur vetëm, nuk paguanim dot detyrimet, Nuk mund të punonim më duke marrë borxh për të shlyer detyrimet. Dyqani nuk ka fitim. Maksimumi i fitimit ditor 6 mijë lekë dita. Në këtë moshë s’na merr kush në punë. Tani na mbajnë fëmijët” – tha ai. Drini Sulo, i cili në emër të tij ka pasur një mobilieri, tha se puna pati rënë. Sipas tij, rënia e punës u vu re vitet e fundit. Tashmë është i punësuar në një kompani. “Janë bërë shumë dyqane, është rritur konkurrenca”- deklaroi ai.
Ndërsa Lavdërim Braho, i cili kishte një dyqan ushqimor që prej 2008-s, vendosi që ta mbyllte atë në janar të vitit 2019. Ai tha se ra puna dhe nuk paguanim dot siguracionet. “Filluan supermarketet e mëdha, të cilat na konkurronin me çmime, – u shpreh ai. Edhe Klajdi Berberi, i cili kishte një bar-kafe, u shpreh se nuk kishte punë. Rreth 2012-2013, ai vuri re se ra konsumi dhe u shtua konkurrenca. U shtuan detyrimet dhe shpenzimet.
Me valixhet gati në derë, shqiptarët mbyllin bizneset dhe emigrojnë
Emigracioni është shndërruar në një fenomen gjerësisht i përhapur kohët e fundit në Shqipëri, ku për fat të keq po ikin edhe ata që e kanë një biznes në vend. Besmir Taga, i cili që prej 2015-s kishte një servis makinash në Tiranë, thotë se biznesin e pezulloi pasi ka qenë jashtë si i punësuar sezonal. Ai pret që deri në fund të vitit, të rregullojë punën e letrave me ambasadën gjermane.
“Po shkoj në Gjermani, thjesht atje nuk ke stresin që ka Shqipëria, punon më i qetë dhe ngadalë. Kushtet janë më të mira. Unë jam i martuar, dhe sigurisht që atje do të marr edhe familjen. Në presim janarin që të lehtësohen procedurat e emigrimit në Gjermani” – tha ai gjatë intervistës. Besmiri, edhe pse vetëm 34 vjeç, u shpreh se nuk sheh dritë jeshile në vendin tonë.
“Më mirë se këtu nuk do të ndihemi, por puna në Shqipëri nuk është siç ka qenë. Askush nuk ka dëshirë të largohet nga vendi i vet dhe të afërmit”- përfundoi ai. Emigrimi ishte arsye pse mbylli biznesin edhe Alma Tërshana, e cila që prej 2010-s ushtronte zanatin e parukieres.
Po të njëjtën arsye për mbylljen e aktivitetit dha edhe e ëma e Rovena Nasit, e cila tashmë mbante numrin që kishte përdorur Rovena. Me largimin e saj jashtë vendit, ajo kishte mbyllur dhe bar-kafenë, të cilën e kishte hapur që në 2010-n. Edhe Rezarta Bregu, e cila tregtonte mobilie, mbylli aktivitetin dhe më pas emigroi në Amerikë. Ndërsa Lulzim Çeço prej kohësh shpërngulet herë pas here jashtë për të punuar si i punësuar sezonal. Edhe pse në Tiranë kishte një bar-kafe, të ardhurat nga aktiviteti nuk e justifikonin më mbajtjen e tij hapur. E njëjtë është historia edhe për Ndriçim Kasën, që i vuri drynin dyqanit të fruta-perimeve dhe jetën tashmë e ndan mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku në këtë të fundit ka gjetur punë sezonale. Andi Rama, i cili ushtronte zanatin e berberit, mbylli aktivitetin pasi u shpërngul përkohësisht në Suedi dhe planifikon që të vendoset atje përgjithnjë, nëse arrin që të sigurojë letrat, duke u ndihmuar edhe nga kushërinjtë që ka atje.
Kelmend Xhemollari mbylli këtë vit fast-food-in ku ishte i vetëpunësuar dhe u vendos në vendin fqinj, Greqi, për të punuar.
Ndryshe nga historitë e tjera të emigracionit, Meli Dautllari, mbylli punishten e saj të brumërave në janar të 2019-s, me një shumë detyrimesh që ende nuk i ka likuiduar. Prej disa kohësh djali i saj ndodhet si azilant në Gjermani dhe ajo, në pamundësi për të gjetur një mundësi për të mbajtur veten në vend, ka në plan që shumë shpejt t’i bashkohet të birit atje.
Edhe biznesi i rrobave për fëmijë i Valbona Xhixhës kishte kaluar në listën e subjekteve pasivë. Në telefon u përgjigj i shoqi, Bedri Xhixha, i cili tha se ra puna dhe nuk kishin më ekonomi që ta mbanin biznesin. “Puna ra në mënyrën më të keqe të mundshme. Ra fuqia blerëse. Aktualisht Valbona është e papunë, është 42 vjeç. Jemi në vështirësi. Kemi aplikuar tek ambasada gjermane për punë, çfarë të dali. Kemi fëmijët në shkollë, të cilat kërkojnë gjëra që nuk mund t’ia plotësojmë” – tha Bedri Xhixha, 46 vjeç.
Gjatë 2018-s janë dhënë 9,288 leje qëndrimi nga vendet e Bashkimit Europian për arsye punësimi, me një rritje prej 65% në krahasim me një vit më parë, sipas Eurostat. Lejet e qëndrimit për arsye punësimi përbëjnë rreth 15% të totalit të lejeve të dhëna për qytetarët shqiptarë. Numri i lejeve të qëndrimit mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian i kanë raportuar ato për vitin 2018.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2017 u dhanë rreth 5622 leje qëndrimi për shqiptarët, për të njëjtën arsye. Prej vitit 2015, numri i shqiptarëve që janë pajisur me leje qëndrimi për punë është rritur.
Si problemet me shëndetin po ulin produktivitetin
Rreth 10% e bizneseve të anketuara u shprehën se kanë mbyllur aktivitetin për shkak të problemeve shëndetësore, në disa raste një familjar i afërt kishte pasur probleme me shëndetin. Barjam Calama në 26 korrik të këtij viti bëri kërkesë për pezullimin e biznesit të tij, i cili ishte burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e tij me 12 anëtarë. Për shkak se e ëma u sëmur me një sëmundje të rëndë, Bajrami tha se nuk ia dilte më që të mbante hapur aktivitetin. Ai ushtronte zanatin e berberit në një nga zonat e Tiranës, por pasi mbylli dyqanin ka gjetur punë me ditë.
Edhe Dëshira Luzi, e cila kishte një dyqan me rroba të përdorura, pezulloi biznesin për arsye shëndetësore dhe pohoi se në rast se do të bëhej më mirë do ta rihapte sërish.
Problemet me shëndetin ishin arsye edhe për mbylljen e parukerisë së zonjës Zhuljeta Kurti, e cila pasi pësoi një paralizë u detyra që të bënte kërkesë për çregjistrim në 26 gusht të 2019-s. Biznesi në emër të Rudina Dafkut, e cila shiste fruta-perime, u çregjistrua në muajt e parë të këtij viti. Gjatë intervistës u përgjigj i shoqi dhe tha që shkak ishte bërë problemi shëndetësor i Rudinës. Problemet shëndetësore bënë që ta linin pas dore biznesin.
Klodian Rama, i cili kishte një supermarket, u detyra që të ulte qepenin e dyqanit pas një aksidenti. Megjithatë ai shpreson që të rikuperohet dhe ta hapë sërish aktivitetin.
Problemet shëndetësore ishin arsye edhe për Ervin Shehin që kishte një bar-kafe, Mimoza Maonen që prodhonte petë byreku, Rufijen Nurçjan që kishte një dyqan ushqimore dhe Arben Gezkën, që në pamundësi për ta mbajtur, mbylli në 5 shkurt bar-kafenë e tij. Sëmundjet janë ndër shkaktarët kryesorë që ndikojnë direkt në produktivitetin e popullatës. Në vitet e fundit në vend është rritur prevalenca e përhapjes së sëmundjeve tumorale, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjeve që prekin sistemin nervor, si pasojë e ndryshimit të stilit të jetesës, streseve gjatë përditshmërisë, kequshqyerjes etj. Kështu që rënia e produktivitetit të popullatës në vend po nxitet masivisht nga plakja e saj dhe nga rritja e numrit të të prekurve.
Krizën po e ndien dhe “gabi”
Pranvera Avdia kishte mbase dyqanin më të frekuentuar në zonën e ish-Bllokut. Të gjithë e njihnin “Verën”, e cila tregtonte rroba të përdorura shumë pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Ajo punonte kryesisht me klientë të zgjedhur, të cilat i telefononte sa herë sillte “mall të ri”. Pranvera u shpreh se pjesa më e madhe e tyre ishin në punë të mira, kryesisht në banka. Mirëpo në 11 mars të 2019-s, Vera bëri kërkesë për ta pezulluar aktivitetin. E pyetur për arsyet se përse e mbylli aktivitetin, Vera, 39 vjeçe, tha se “në dyqan nuk po kishte më punë, nuk po paguaja dot as qiranë dhe as detyrimet në Tatime. Tani jam e papunë. Kam rënë shumë keq”. Edhe Flutrim Jakllari, kaloi në status pasiv biznesin e tij.
“Nuk po më ecte më puna për arsye se u zhvendosa nga Stacioni i Treni në Yzberisht. Për këtë arsye e mbajta si licencë por nuk punova, paguaja vetëm detyrimet” – u shpreh ai. Të njëjtin fat pati edhe biznesi i zotit Nexhmi Ustia, i cili për ta hapur kishte marrë edhe një kredi. I pyetur për arsyet, ai u përgjigj: “Dola piramidë, zero. Jam aq në borxhe sa nuk di t’ju them. I hyra dhe një kredie për ta hapur biznesin. Tani punoj në një polici private sa për t’u ushqyer. Marr një pagë 29 mijë lekë, me të cilat duhet të paguaj qiranë e shtëpisë, kredinë dhe të ushqehem”.
Edhe për Gurije Myrtollarin, viti 2019 ishte fatal. “Falimentova. Nuk po ecte më dhe e lashë me idenë që në një kohë kur gjërat po ndryshonin ta provoja sërish. Kam filluar një punë tjetër. Një nga arsyet kryesore janë detyrimet dhe taksat, nuk na leverdiste. Por edhe konkurrenca” – u shpreh ajo.
Në vitin 2018, shqiptarët shpenzuan rreth 36 milionë euro për këpucë dhe rroba të përdorura, por tendenca e importeve ishte në rënie. Tregtarët e vegjël thonë se fitimet në këtë biznes janë minimale. Arsyeja kryesore për rënien e biznesit të veshjeve të përdorura janë firmat e mëdha që konkurrojnë me çmimet e lira. Nga të dhënat e Doganës për mallrat e përdorura të importuara për konsum të brendshëm, në 2018-n hynë rreth 9 mijë tonë mallra të përdorura, me vlerë 1.1 miliardë lekë (rreth 8.9 milionë euro). Në krahasim me një vit më parë, importet e mallrave të përdorura për konsum të brendshëm janë rreth 15% më pak në peshë dhe 18% më pak në vlerë.
Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura: bar-kafe dhe dyqane
Pjesa më e madhe e bizneseve të anketuara ushtronin veprimtarinë si bar-kafe apo tregti me pakicë, të ndjekura nga parukeritë dhe berberhanet, farmacitë dhe shumë pak (aspak njësi prodhuese). 73% e bizneseve të anketuara nga Qendra e Kërkimit Monitor ishin bar-kafe (25%), tregti me pakicë (40%) dhe 8% kishin hapur një biznes për të punuar si paruker apo berber. Për biznese të tilla, që vetëm shesin dhe nuk prodhojnë, konkurrenca sigurisht që është më e egër. Marina Doko kishte një bar-kafe, me lodra për fëmijë, në zonën Kodra e Priftit.
“Nuk kishte punë, por u hapën edhe shumë lokale me të njëjtin aktivitet. Ne shqiptarët hapim të njëjtin aktivitet përballë njëri-tjetrit. Tani rrimë pa punë. Bënim 3000-4000 lekë xhiro në ditë nuk ia dilnim që të mbyllnim shpenzimet” – u shpreh ajo. Thuajse në çdo 10 metra rrugë në Shqipëri, gjen një bar, një berber dhe një farmaci. Këto të fundit, kanë pasur një probabilitet shumë të lartë të falimentimit me përllogaritjen e re të marzhit të fitimit, ku për çdo shitje të ilaçeve tani farmacistëve u ngelet shumë më pak fitim. Kështu Jonida Haruni, me profesion farmaciste, ishte një nga viktimat e krizës. Ajo u përgjigj se e mbylli farmacinë, të cilën e kishte hapur që në 2009, sepse falimentoi.