Franca vazhdoi të mbante pozicionin e saj të ashpër kundër nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut edhe gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE, raporton Reuters. Agjencia shkruan se kjo është tentativa e tretë për nisjen e negociatave, të cilat kanë mbështetjen e shumicës së vendeve të BE, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çështja duket se do të kalojë për diskutim në samitin e liderëve të BE të enjten.
Ministrja e Jashtme e Francës, Amelie de Montchalin tha se nuk mund të ketë hapje të negociatave derisa të ketë një reformim të plotë për anëtarësimet në BE.
Ajo tha se ky është qëndrimi i presidentit Emmanuel Macron.
Por përse është një kundërshtare kaq e fortë Franca?
Së pari për shkak të çështjes së azilkërkuesve. Franca ka njohur një rritje të numrit të azilkërkuesve dhe shqiptarët janë në vendin e dytë për kërkesa. Shumë prej atyre që shkojnë në Francë kanë për qëllim marrjen e trajtimeve shëndetësore falas dhe kjo ka irrituar taksapaguesit.
Kundërshtimi i politikave të emigracionit mund të shtojë kreditet politike për ekstremin e djathtë në Francë dhe Macron kërkon t’i paraprijë kësaj situate duke e marrë çështjen në dorë vetë.
Së dyti, Franca kërkon të reformojë procesin e anëtarësimeve në BE. Ministrja tha të martën se ky proces është kthyer në një ‘telenovelë pa fund’.
Për Francën, procesi është shumë teknik. Ky vend kërkon që procesi të jetë më shumë politik. Parisi ankohet se në momentin që nis procesi, është vështirë të kthehet pas. Eksperienca e hidhur me vendet e tjera të BE, që vazhdon të jetë problematike sidomos me rastet e Hungarisë dhe Polonisë, ka bërë që Macron të kërkojë më shumë rigorozitet, por edhe qartësi.
Ka edhe disa spekulime se çështja e emërimeve në Komisionin Europian mund të ketë shkaktuar një përplasje mes Gjermanisë dhe Francës dhe kjo po reflektohet edhe tek debati për nisjen e negociatave.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë të enjten kur të nisë samiti i madh i BE. Diplomatët nuk janë shumë optimistë se do ketë një lajm të mirë për Shqipërinë. Maqedonia e Veriut po bie më shumë viktimë e vendit tonë.