Nga Boldnews.al
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të miratojë të Mërkurën kandidaturat që plotësojnë kriteret formale për të vijuar garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë.
Procesi i përzgjedhjes përfundimtare nga Parlamenti pritet të ndodhë jo më herët se muaji Dhjetor i këtij viti, plot dy vjet pasi shumica socialiste në Parlament emëroi, vetëm me votat e saj, Arta Markun në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Në dhjetor 2017, eksponentët e lartë të Partisë Socialiste, përfshirë kryetarin e Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, premtuan se Prokurori i Përgjithshëm me mandat kushtetues do të zgjidhej brenda 3-4 muajve nga caktimin i “të Përkohshme”, pra, në periudhën Mars-Prill 2018.
Por, kur kanë kaluar 22 muaj nga emërimi i një-anshmën, Arta Marku ka kryer detyrën e saj me funksion të plotë, përfshirë edhe një seri të gjatë vendimesh e qëndrimesh në favor të subjektit politik që e emëroi.
Procesi i përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë do të kërkojë, të paktën, edhe dy muaj kohë, referuar procedurave dhe afateve të vendosura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Në prill 2019, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dorëzuan kërkesën e tyre kanë aplikantë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, konkretisht; Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj, prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe avokati Lulzim Alushaj.
Rregullorja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë parashikon që aplikantët prokurorë duhet të plotësojnë, ndër të tjera, edhe kushtin e kalimit të procesit të Vetingut me vendim të formës së prerë.
Këtë të Martë, u konfirmua me vendim të formës së prerë aplikanti Olsian Çela, ndërkohë që aplikantet e tjera, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj e kanë përmbyllur pozitivisht procesin e rivlerësimit më parë. Ndërkohë që për avokatin Alushaj, “vetingu” kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Nga ky moment, pra pasi të gjithë aplikantët prokurorë kanë përfunduar procesin e Vetingut, nisin të aplikohen afatet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për listimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, të cilët më pas i kalohen Parlamentit për votim.
Të mërkurën (25.09) Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të shpallë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale për të vijuar garën. Rregullorja për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm parashikon që, nëse ndonjë prej kandidatëve përjashtohet nga gara, ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
Ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit për kandidatin/kandidatët e përjashtuar nga gara, duhet të bëhet brenda 3 ditëve nga marrja e vendimit. Ndërkohë, Gjykata duhet të shprehet me vendim brenda 7 ditëve. Në rast të ankimeve të mundshme, vijimi i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve shtyhet edhe me 10 ditë.
Pas kalimit të kësaj faze, kandidatët që vijojnë garën pritet të dalin në një seancë të posaçme dëgjimore para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zhvillimi i seancës u njoftohet kandidatëve të paktën 10 ditë përpara.
Pas zhvillimit të seancave dëgjimore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të marrin kohën e tyre për të dhënë vlerësimet për secilin kandidat, referuar dosjes me dokumenta, si edhe intervistave.
Kjo fazë kërkon të paktën 15 ditë kohë, për t’i shërbyer secilit anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të arrijë në një konkluzion të argumentuar mirë. Në aplikim të këtyre afateve, procedurat shkojnë deri në fund të muajit Tetor.
Më pas, çdo anëtar i dorëzon vlerësimin e tij kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili thërret një mbledhje të posaçme, ku vendoset përfundimisht listimi i 3 kandidatëve, sipas pikëve të marrë gjatë vlerësimit.
Lista 3-emërore i dërgohet Parlamentit për votim. Kushtetuta parashikon që Parlamenti zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të cilësuar prej 3/5 të deputetëve, 84 vota.
Në rast se Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, atëherë kandidati i parë në listën e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjidhet automatikisht në krye të institucionit të Akuzës me një mandat të plotë 7-vjeçar.
Duke llogaritur të gjithë afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, konstatohet që Prokurori i Përgjithshëm kushtetues nuk mund të zgjidhet para muajit Dhjetor 2019.