Hapen aplikimet për t’iu bashkuar Policisë të Shtetit. Mundësi për të qenë pjesë e policisë kanë studentëve që kanë mbaruar studimet e larta me mesatare mbi 8, në degët: drejtësi, informatikë, financë, ekonomi dhe inxhinieri elektronike.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, përmes një postimi në Twitter, ka bërë thirrje për aplikim. “15 shtatori po afron. Të gjithë ata studentë që kanë përfunduar me rezultate të larta universitetin dhe që duan të bëhen pjesë e strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit duhet të nxitojnë për regjistrim. Juristë, informaticienë, financierë, ekonomiste dhe inxhinierë të elektronikës kanë mundësinë e rrallë që pas përfundimit të Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale prej 6 muajsh të përfshihen në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke kontribuar kështu në një ndër frontet më të rëndësishëm për një Shqipëri të drejtë dhe europiane. Ajo që kërkohet është motivim i plotë për shërbim publik me nder dhe vendosmëri të lartë, një diplomë me notë mesatare mbi 8, nivel i lartë i gjuhës angleze dhe kondicion fizik i mirë. Policia Shqiptare ka nevojë për vajzat dhe djemtë më të mirë të vendit”, shkruan Lleshaj.
Kriteret
Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije se ka hapur aplikimet për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, deri në datë 15 shtator 2019.
Në përfundim të kursit, studentët do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.
Veç Drejtorisë Vendore të Policisë, aplikanti mund t’i dorëzojnë dokumentet edhe pranë Komisariateve që janë pranë njësisë vendore.
Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100. Kandidatët duhet të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, ekonomike (degët ekonomi, financë) ose në shkencat kompjuterike(degët informatikë, elektronikë).
Formulari për aplikim: http://aplikime.asp.gov.al/apply
KRITERET E PËRGJITHSHME
Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
KRITERET E VEÇANTA
Kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:
– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë);
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;
PROCEDURA E PËRZGJEDHJES
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:
– Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi;
– Vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
– Intervistimi i aplikantëve;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Ky lloj rekrutimi në Polici u eksperimentua në fillim të vitit, me ndryshimin e ligjit për policinë. Asokohe, Lleshaj e quajti nismën “një ngjarje historike”, megjithatë pati pakënaqësi në radhët e policisë.
Ndryshimet ligjore sjellin revoltë! Për kë po e hap Lleshaj, Policinë?