Drejtësia e re/ Dosja 184 u pushua, “Who’s next” (Kush e ka radhën)?

Nga Boldnews.al

Vendim i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, për të transferuar dosjen “184” nga Prokuroria për Krime të Rënda tek ajo e Dibrës është praktikisht pushim i hetimeve për zyrtarët e lartë socialistë të kapur në përgjime proceduriale në një operacion për tjetërsimin e votës, në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016.

Ky zhvillim shkaktoi reagimin e fortë të opozitës, e cila, gjithësesi, pa, së bashku me opinionin publik, materializimin e tezës të saj, sipas të cilës Arta Marku u zgjodh në krye të Prokurorisë vetëm për të mbyllur dosjet hetimore kundër funksionarëve të maxhorancës socialiste.

Për transferimin e dosjes në Dibër, deri më tani, nuk kanë dhënë asnjë koment dy faktorë relevantë të jetës politike dhe publike shqiptare- Partia Socialiste në maxhorancë dhe Ambasada Amerikane, një faktor nxitës për reformimin e drejtësisë në Shqipëri.

Heshtja
Mos-reagimi i maxhorancës është i kuptueshëm. Madje, duket qartë që lidershipi i saj ka vënë në lëvizje dorën e Arta Markut për të nënshkruar një prej vendimeve më të rënda të prokurorisë shqiptare në vitet e fundit.

Heshtje ka edhe nga “Rruga e Elbasanit”, e cila ka qenë përherë aktive në çështjet e nxehta të drejtësisë. Selia diplomatike amerikane në Tiranë ka përdorur, në disa raste, edhe një shprehje (hashtag) për të nxitur autoritetet shqiptare që të vijojnë luftën kundër krimit të veshur me pushtet-“who’s next”-kush e ka radhën.

Këtë shprehje e ka përdorur kur u arrestua në Turqi Met Kanani, një bos shqiptar droge, për të cilin autoritetet shqiptare nuk kishin asnjë rekord.

“Who’s next” tha Ambasada Amerikane edhe kur u arrestua (vetëdorëzua) Klement Balili, të cilin e etiketoi edhe si “Eskobar i Ballkanit”, pavarësisht se sasia e trafikuar e drogës që i atribuohet atij-rreth 760 kg kanabis-është shumë më pak se sa ngarkesa tonelatash që kanë dërguar drejt Italisë grupe të tjera, ndër të cilët edhe Habilajt.

“Who’s next” kërkonte Ambasada edhe pas dënimit në shkallë të parë të Emiljano Shullazit, një zhvillim, për të cilin, duhet pranuar, kishte një nxitje të fortë prej selisë së saj.

Por vetëm kaq. Ambasada amerikane duket se e ka kufizuar reagimin e saj vetëm tek përmendja e disa personazhe të krimit shqiptar, pa kaluar tek zyrtarët e nivelit të lartë, të dyshuar si të përfshirë në afera të rënda kriminale korruptive dhe vjedhje votash, për të cilët opinioni publik ka (ose të paktën ka pasur) pritshmërinë e lartë nga Reforma në Drejtësi

Madje, në ndonjë rast, qëndrimet e ambasadës kanë qenë në të kundërt të asaj që kanë sugjeruar autoritetet shqiptare. Kur Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga Parlamenti autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe deputetit Saimir Tahiri, ish-ambasadori Donald Lu përmendi dënimet e “Qafë-Barit”, një referencë e qartë për periudhën e komunizimit, kur shumë njerëz dënoheshin pa prova.

Sot, Saimir Tahiri është në gjykim dhe pret verdiktin e drejtësisë për akuzat e rënda si pjesëmarrjës në grup kriminal të trafikut të narkotikëve, të ngritura ndaj tij nga prokuroria Shqiptare.

Ku janë “peshqit”?
Ambasada amerikane u tregua shumë aktive për të ndryshuar lidershipin e Prokurorisë së Përgjithshme, në fund të vitit 2017.

Kur Parlamenti votoi, vetëm me 69 votat e maxhorancës emrin e Arta Markut në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ish-ambasadori Lu reagoi menjëherë. Ai, duke shprehur cinizmin e tij ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, u shpreh: “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.

Kjo deklaratë dukej se më shumë i referohej “neglizhencës” që Llalla i bëri kërkesës së Lu për vendosjen para përgjegjësisë, pa prova, të Ilir Metës, në atë kohë kryeparlamentar dhe sot President, si edhe të tjerë ish-zyrtarëve në gardhin e opozitës. Por, jo për ata të maxhorancës socialiste të Edi Ramës.

LEXO EDHE  “Lucifero 2017”, ja kush është italiani me lidhje të ngushta me nëntokën shqiptare

Në takime të ngushta me gazetarë, Lu është shprehur se “gjuhën shqipe e ka mësuar duke ndjekur regjistrimet e gjyqit të Ilir Metës” (pas akuzave të Dritan Dajtit). Një formë diplomatike e përdorur nga Donald Lu, për të treguar se ai nuk ndante të njëjtën bindje me pafajësinë që mori Meta nga Gjykata e Lartë.

Kërkesën e drejtëpërdrejtë të Lu drejtuar Llallës për arrestimin e Metës e ka shprehur ish-kryeprokurori edhe në një letër zyrtare që i drejtoi Senatit Amerikan, disa kohë pas kësaj bisede.

Donald Lu justifikoi zgjedhjen e Arta Markut, një qëndrim që e përforcoi edhe në një deklaratë të mëvonshme, kur iu kundërvu opozitës PD-LSI, e cila kundërshtoi zgjedhjen e njëanshme të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë e ka të qartë. Ambasada e SHBA mbështet opinionin që EURALIUS dhe OPDAT i kanë dhënë Parlamentit” (për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm me shumicë të thjeshtë, shën.red)

Nën këtë bekim të Donald Lu, i cili duket se ia ka lënë trashëgimi edhe të Ngarkuarës me Punë Leyla Moses-Ones, Arta Marku mori detyrën dhe e nisi me “vrull”, ku vetëm pak javë pas emërimit të saj, u arrestuan disa ish-drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të gjithë të emëruar nga opozita (PD-LSI) në kohë të ndryshme.

Pas kësaj “goditjeje”, gjithçka tjetër ka folur për favorizim të Prokurorisë ndaj aferave ku janë përfshirë drejtues të lartë politikë dhe institucionalë të qeverisjes socialiste.

“Pushimi” i akuzave për zyrtarët e lartë të dosjes “184” arriti pikën kulminante, të paktën deri më tani, të shërbimit që Arta Marku po i bën maxhorancës që e zgjodhi.

Por, edhe para kësaj “pike kulminante”, Prokuroria është treguar, më së paku pasive, edhe në disa çështje të tjera sensitive.

Who’s next?
– Prokuroria mban të bllokuar prej shumë kohësh dosjen “339”, ku zyrtarë të lartë e të mesëm janë përfshirë në bashkëpunim me grupe kriminale për vjedhjen/blerjen e votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

– Prokuroria mban pezull, për më shumë se një viti dhe thuajse pa asnjë veprim, dosjen e korrupsionit masiv të “Unazës së Re”.

– Prokuroria, me firmën e saj, largoi nga Shqipëria njeriun që konsiderohej si “financieri i Habilajve”, pikërisht në momentin kur ai duket se kishte zgjedhur të merrte rolin e “të penduarit” për të treguar lidhjet e fuqishme të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar dhe trafiqet ndërkombëtare.

Who’s next? (Kush e ka radhën) për t’u pushuar pas dosjes “184? Ndoshta, video-vizatimet e amnbasadës mund të japin një orientim më të mirë për përgjigjen e kësaj pyetjeje.