Nga Ilir Kalemaj
Në përmbyllje të sezonit jashtëzakonisht të shkurtër turistik që Shqipëria pavarësisht motit dhe kushteve të shkëlqyera atmosferike që ka, nuk arrin ta zgjasë sadopak, shumë problematika që kanë ekzistuar u vunë re në mënyrë të përsëritur. Nga moszgjidhja e problemeve të pronësisë, mbivendosja e pronave dhe ndërtimet pa leje te shërbimi copë-copë, mungesa e kushteve higjeno-sanitare dhe mungesa e kontrollit ushqimor. Gjithashtu evazioni i lartë fiskal, prishja rumpallë dhe e paplanifikuar në mes të sezonit turistik e bizneseve që ushqehen me 1 apo 2 muaj gjithë vitin duke mos e vënë gishtin mbi plagë, pra te neglizhenca dhe symbyllja e organeve vendore, vazhdimi i ndërtimeve në kulm të sezonit duke i shndërruar qytetet turistike në vatra pluhuri dhe kaosi urban.
Për mos të folur për çmimet e çmendura si çdo sezon të linjave ajrore dhe shërbimet skandaloze të trasportit ujor si për shembull, trageti famëkeq Brindizi-Vlorë. Ne mund edhe të kënaqemi me lugë bosh dhe të raportojmë turistë emigrantët që vijnë për pak ditë pushimi apo turistët 1 ditorë që kalojnë tranzit apo vijnë të pijnë një kafe përpara se të kthehen në vendet fqinjë, por kjo as nuk rrit buxhetet familjare, as na ndihmon të shenjojmë veten në një treg jashtëzakonisht konkurrues si ai i Mesdheut, ku disa nga vendet fqinjë janë të denjë për t’u krahasuar edhe në nivele botërore, si rekordmenë të turizmit masiv dhe elitar.
Për shembull, është fakt gjerësisht i ditur që turizmi italian është një nga më të lakmuarët në botë për shkak se Roma, Firence, Venecia apo Milano janë ndër destinacionet kryesore botërore për turizmin kulturor që ndërthur turizmin e veprave të artit me atë kulinar, atë lifestyle (të modës, makinave markë, klubeve të famshëm të futbollit etj), me një perspektivë unike që ta ofron gadishulli apenin me diversitetin që të ofron nga jugu në veri. Vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë dhe turizmi në bregdetin almafitian, por edhe në rajonin e Pulias, si dhe në destinacionet kryesore në Jug si Sardenja dhe Sicilia. Me rreth 60 milionë turistë në vit Italia është vështirë për t’u rivalizuar edhe nga top destinacionet kryesorë turistike globale.
Turizmi në Turqi është përqendruar kryesisht në një larmi vendesh historike, dhe në vendpushimet bregdetare përgjatë brigjeve të tij Egje dhe Detit Mesdhe. Turqia është bërë gjithashtu një destinacion popullor për kulturën, banjën dhe kujdesin shëndetësor. Në kulmin e saj në vitin 2014, Turqia tërhoqi rreth 42 milion turistë të huaj, duke u renditur si destinacioni i gjashtë turistik më i njohur në botë. Megjithatë, ky numër ra në rreth 36 milion në 2015, dhe në rreth 25 milion në 2016. Sidoqoftë, rimëkëmbja filloi në vitin 2017, me numrin e vizitorëve të huaj duke u rritur në 32 milion, dhe në vitin 2018 në 39,5 milion vizitorë. Turizmi turk ka avantazh kryesor kapacitetet e shumta hoteliere dhe rezortet e mëdha me 5 yje nga Bodrumi në Kemer, nga Antalya dhe Alania që vitet e fundit ka njohur një rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve që venë kryesisht me carter në periudhën e fluksit turistik. Por edhe atraksionet kulturore të tilla si Troja dhe Efesi, apo Pamukkale dhe Cappadocia ku bëhen hedhjet me balona e kanë rritur ndjeshëm perspektivën turistike të Turqisë vitet e fundit.
Greqia kishte plot 33 milionë turistë në 2018. Me 18 vende të listuara në listën e mbrotjur të UNESKO-s dhe plot 13, 676 vijë bregdetare dhe me 6 mijë ishuj natyrisht Greqia ka shumë për të ofruar jo vetëm në tregun europian por edhe global. Turizmi ka qenë ndoshta lokomotiva kryesore që e nxorri vendin nga recesioni i thellë dhe kriza më e madhe ekonomiko-financiare në historinë e vendit.
Kroacia është një nga starët e turizmit mesdhetar ku vetëm në 2018 kishte rreth 20 milionë turistë që e vizituan. Brigjet e Adriatikut ndërthuren bukur me qytete historike dhe mjaft të reklamuar ndërkombëtarisht si Dubrovnik apo Split, ndërkohë që vendi ka tetë parqe kombëtare. Ndërkohë ka dhe 10 vende të listuara në listën e mbrojtur të UNESKO-s dhe ka bërë ndërkohë aplikime për rreth 15 të tjera. Qysh në 2006 ka qenë i rekomanduar nga prestigjiozja Lonely Planet si destinacioni turistik i vitit.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian e ka shpallur së fundmi shtetin e vogël fqinj të Malit të Zi, “Yll të Mesdheut” për shkak të rritjes të jashtëzakonshme që u demostrua qysh në tre mujorin e parë të vitit. Karburanti për jahtet dhe varkat është ka cmimin më të ulët në rajon ndërkohë që vetëm këtë vit, pra në 2019 janë hapur 27 hotele të reja, 24 prej të cilave me katër dhe pesë yje. TVSH për turizmin është sa 1/3 e asaj në përgjithësi dhe qytete si Porto Montenegro apo zhvillime gjiresh të reja si ai i Portonovit apo Gjirit Lustica e shtojnë dhe përmisojnë ofertën turistike. Gjithashtu, rezorte dimërore, si ai i skive në Kolashin, diversifikojnë ofertën turistike dhe shtojnë në kandarin e racionalitetit të operatorëve turistikë dhe politikave shtetërore të mirëplanifikuara të vendit fqinjë.
Në këtë treg jashtëzakonisht kompetitiv, është e pafalshme që Shqipëria ende nuk ka standard për klasifikimin e yjeve në sistemin hotelier. Ndërkohë që vazhdohet të investohet në krijimin e projekteve të reja super të shtrenjta dhe papërballueshme rezidenciale ndërkohë që nuk vihet re shtim i ofertës së përballueshme të kapaciteteteve akomoduese. Mungon kultura e shërbimit dhe ende nuk kemi licensim adekuat të guidave turistikë, kemi shumë propagandë por pak apo aspak politika smart në drejtim të arsimit dhe formimit profesional në hoteleri-turizëm, kemi pak dhe të vonuar incentivizimin e investimeve në këtë fushë e kështu me radhë. Duhet shumë më tepër vëmendje ndaj zhvillimit të ofertës turistike, për shembull me hapje të porteve për jahte dhe mundësim për ankorim krocierash, duhet të ketë vëmendje për stimulim të sporteve ujrore dhe eksplorim të sporteve nënujore, zhvillimin e Sazanit dhe Karaburunit si destinacione turistike elitare, zhvillimin e bregdetit nga Kavaja në Divjakë për turizmin masiv, zhvillimin e rezorteve për sporte dimëore në Alpe etj.