Fondi “BESA”/ Skema mashtruese dhe emrat publikë, si u realizua mashtrimi 3.7 mln euro +

Nga Boldnews.al

Albana Imami, ish-drejtuese e një prej filialeve kryesore të fondit “Besa” në Tiranë, e konsideruar si drejtuese e skemës mashtruese në vlerë fillestare 3.7 milionë euro e që po rritet me ritme të shpejta, ka dhënë një version mbrojtjës pak të besueshëm për prokurorët.

Ajo ka mohuar që të ketë organizuar një skemë mashtruese. Por ka këmbëngulur se veprimet fiktive me klientët i ka kryer për të rritur performancën e filialit të fondit “Besa” nën drejtimin e saj.

Për të qenë më bindëse në deklaratat e saj, Albana Imami është shprehur para prokurorëve se ajo u ka marrë hua familjarëve dhe rrethit të saj të afërt për të mbuluar diferencat e përkohshme të krijuara nga kreditë fiktive.

Por për prokurorinë, deklarimet e Imamit, të cilat u vulosën me shprehjen e saj para gjykatës se “kam vepruar në delir” nuk janë aspak bindëse.

Skema mashtruese
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, skema mashtruese, e cila përveç 7 personave nën masë sigurimi tashmë, mund të përfshijë edhe drejtues të rëndësishëm të fondit “Besa”, ka funksionuar në këtë mënyrë:

Oficerët e kredisë në filialin “Tirana 1” dhe “Tirana 4” të Fondit “Besa”, në Tiranë, siguronin klientë “fiktivë”. Këta ishin persona që kishin nevojë për kredi në vlera të vogla, por që pranonin që, në dokumentat e tyre, vlera e hua së marrë nga fondacioni, të ishte më e madhe.

Për lehtësi shpjegimi, nëse një person kishte nevojë për 100 mijë lekë të reja, punonjëset e fondit shënonin sikur ai kishte marrë 1 milion lekë. Klienti do të paguante këstet vetëm për aq sa kishte nevojë dhe kishte tërhequr realisht, pra për 100 mijë. Ndërkohë që pjesa tjetër, pra këstet për shumën “1 milionë” paguheshin nga punonjëset e fondit, nga paratë e vetë fondit.

Hetimi është në fazat e para dhe ende nuk është sqaruar se ku kanë përfunduar paratë e diferencës ndërmjet shumave që i janë dhënë klientëve “fiktivë” dhe shumave të shënuara në dokumentat e fondit.

Për prokurorët, këto para dyshohet se kanë përfunduar në xhepat e personave të përfshirë në skemë. Ndërsa për punonjëset e arrestuara, ato para janë qarkulluar për të mbuluar deficitet e krijuara në arkën e fondit.

Duke pak e besueshme versioni i personave të arrestuar. Megjithatë, ajo që konsiderohet si personi kryesor, deri më tani, në këtë skemë, Albana Imami, ka thënë para prokurorëve se këto veprime janë ndërmarrë për të rritur në mënyrë fiktive numrin e klientëve, e cila sillte më pas rritjen e performancës së filialeve të drejtuara prej saj, që konkludohej me bonuse dhe paga shtesë për punë të mirë.

Emrat publikë në skemë
Rreth një viti pas aplikimit të kësaj skeme me klientë fiktivë, arkat e dy filialeve të fondit “Besa”, Tirana 1 dhe Tirana 4, u boshatisën. Për të mbuluar deficitet, Imami dhe koleget e saj nisën të aplikonin një skemë tipike piramidale.

Për të mbuluar diferencat e kredive të klientëve fiktivë, nisën të merrnin para hua, me interesa të larta, nga persona të ndryshëm.

Deri më tani, Prokuroria e Tiranës, në bazë edhe të deklarimeve të Albana Imamit, ka identifikuar disa persona që kanë dhënë shuma të konsiderueshme me fajde për fondin “Besa”.

Këta persona janë kryesisht familjarë dhe personazhe të tjerë të jetës publike së Tiranës.

Nga të dhënat e siguruara, rezulton se Albana Imami i ka marrë hua me interes:

LEXO EDHE  U emërua diplomate nga Bushati, Top Channel ‘nxin’ ish-sekretaren

Fadil Kepi, babai i saj, ekspert i njohur i çështjeve që lidhen me sigurimet shoqërore. Vlerën nuk e mban mend;

Zyra Kepi, nëna e saj, ish-kryekontrollore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, aktualisht në pension.

Edvin Kepi, vëllai i saj, i cili, nga të dhënat e deri pak kohëve më parë, ka qenë drejtues i një filiali të një banke të nivelit të dytë dhe më tej drejtues i Doganës së Morinës. Nuk ka të dhëna të përditësuara së fundmi për angazhimin e tij profesional. Vlera që i është marrë Edvin Kepit ishte 40 mijë euro

Adrian Imami, bashkëshort i saj, shumën e huasë nuk e mban mend.

Bledar Imami, kunati i saj. Shumën e marrë hua prej tij nuk e mban mend.

Pranvera Skënderi, kunata e saj, i ka dhënë hua 25 mijë euro.

Artur Zheji, gazetar i njohur, i ka dhënë hua në vlerën 100 mijë dollarë amerikanë.

Majlinda Demollari, notere. Emri i saj është shfaqur në një rast të dyshimtë falsifikimi dokumentash, publikuar në një puntatë të “Fiks Fare” në maj të vitit 2019. Vlera e dhënë hua prej saj është 30 mijë euro, me interes 10% në muaj.

Arkenad Gripshi, ndërtues, kompania “Kristi Konstruksion”, ka dhënë 10 mijë euro hua për fondin.

Arben Carkanji, pronar i “Brati” shpk, ka dhënë hua shumën 17 mijë euro

Klisman Lipo, pronar i një punishteje për riparim xhamash, ka dhënë hua në shumën 22 mijë euro.

Eduart (Edmond) Norja, pronar i “Norja Comerce”, ka dhënë hua në shumën 15 mijë euro

Lorenc Konomi, pronar i një pike këmbimi valutor, ka dhënë hua në shumën 1.3 milionë lekë

Fatmir Pashollari, biznesmen, ka dhënë hua në shumën 18 mijë euro

Mitat Sulaj, biznesmen, ka dhënë hua në shumën 3 mijë euro, me interes 500 euro në javë.

Adriana Manopulli, bashkëshorte e Astrit Manopulli, aksioner i “IAT” shpk, ka dhënë hua 500 mijë euro dhe do t’i ktheheshin me interesa nga 3-7%

Ndërkohë, huadhënës rezultojnë edhe disa emra të tjerë.

Në këtë listë janë:

Vilson Biba, ka dhënë hua 30 mijë euro

Pjeter Gjini, ka dhënë hua 70 mijë euro dhe në përfundim do të merrte 150 mijë euro

Bledi Agalliu, ka dhënë hua 10 mijë euro, me interes 1000 euro çdo dy javë

Flora Pasho, ka dhënë hua 10 mijë euro

Monika Haxhillari, ka dhënë hua 15 mijë euro

Havdi Aliaj, ka dhënë hua 6 mijë dollarë

Arta Janushaj, ka dhënë hua 55 mijë euro, me interes 5.5 %

Iva Zerani, ka dhënë hua 500 mijë lekë

Armando Braka, ka dhënë hua 5 mijë euro

Sabri Zela, ka dhënë hua 22 mijë euro

Huadhënësit, veprimtari të paligjshme
Huadhënësit, paratë e të cilëve janë përdorur nga punonjëset e Fondit “Besa” për të mbuluar deficitet e krijuara nga skema, duket se do të kenë edhe vetë probleme me ligjin.

Në dokumentat që Prokuroria ka dërguar në gjykatë për masën e arrestit për personat e dyshuar, ndër të tjera thuhet: “Veprimtari të paligjshme kanë kryer edhe personat që kanë dhënë hua, me apo pa përqindje, duke mos i deklaruar në organet tatimore, si edhe duke kryer veprime të parregullta dhe aq më pak të paliçensuara nga Banka e Shqipërisë…”.