Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e postit të kryebashkiakut të Shkodrës, që e fitoi nga votimet e 30 qershorit.
Dorëheqjen e ka njoftuar permes nje statusi ne Facebook.
“Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem. Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, shkruan Pjetri.
Dy dite me pare, PD publikoi vendimin e nje gjykate ne Itali, qe e denoi Pjetrin me burg per trafik droge.
Pas kesaj, kryeministri Edi Rama njoftoi pezullimin e Pjetrit nga PS.
Rasti i Valdrin Pjetrit ka ndezur edhe njëherë debatin politik rreth faktit që kryeministri Edi Rama zgjedh persona me rekorde kriminale në nivele të larta të qeverisjes.