Nga Boldnews.al
Për kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj nuk është ndonjë “hata” ngritja e memorialit turk për nder të viktimave të 15 korrikut 2016, në të ashtuquajturin : “grusht shteti në Turqi”. Hyzmeqari i ‘Bablokut të madh’, foli gjatë në një tjerrje pa fund, që më shumë se sqarim, ishte fyerje për herë të dytë të shqiptarëve, veçanërisht qytetarëve të Tiranës, që do shohin memorialin turk sa herë të kalojnë në afërsi të parkut të liqenit.
“Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”-tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës më së paku ka shkelur ligjin, pasi çdo memorial, apo edhe emër rruge, më parë kalon në Këshillin Bashkiak, çka në këtë rast nuk ka ndodhur. Lali Eri u justifikua se ka edhe memoriale të tjera, por i bishtnoi pyetjes së vërtetë që po nderon qytetarë të huaj, që dhanë jetën më shumë se për të mbrojtur shtetin, në mbrojtje të pushtetit të “vëlla Erdogan”, këtij politikani kontravers që miqësinë me “arkadash Edi Ramën” e shpreh herë pas here.
Vendimi për të nderuar “heronjtë e turqisë” është edhe një dredhi për të kundërshtuar politikën amerikane dhe atë të BE-së, të cilët në asnjë rast nuk janë shprehur se revolta e 15 korrikut ishte “grusht shteti” në Turqi. Ajo ngjarje u përdor nga Erdogan për të shtuar edhe më shumë autoritarizmin dhe kthyer vendin e tij në një burg të madh për kundërshtarët politik.
Në SHBA jeton prej disa vitesh kleriku Fetullah Gülen të cilin Erdogan e ka konsideruar si terrorist, bashkë me organizatën FETO, që sipas tij tentuan grusht shteti. Ai ka kërkuar ekstradimin e tij për në çdo rast është refuzuar në mënyrë kategorike nga autoritetet në Amerikë.
Dhe vjen një ditë e nxehtë korriku ku në kryeqytetin shqiptar vendoset memorial përkujtimor për të rënët në Turqi, duke i konsideruar heronj dhe kundërshtarët si armiq. Tirana u vetëofrua si një “Vilajet i Turqisë” që drejtohet me “Ferman Sulltanor” nga dy pashallarët e kuq, Edi Rama dhe Erion Veliaj, ku këta të fundit përfitojnë benefite të tjera nga xhymert Erdogani.
Memoriali që përkujton të rënët në turqi tre vjet më parë nuk është vetëm një mënyrë simbolike për të nderuar ata që humbën jetën, por ideologji qeverisëse. Çdo taksapagues i kryeqytetit nuk i derdh kursimet për një bashki që në këtë rast u kthye në një “çok gazel dylberhane”, që është e gatshme të vëtëofrohet me nderime në përulje dhe përkulje për çdo tekë të shtetit turk. Po…, “duhet ndezur një qiri” sikurse sugjeroi Lali Eri i Bashkisë Tiranë, por para godinës ku ai ka zyrën, pasi ajo bashki ra në duart e një shteti tjetër.