A ka strategji opozita?

Nga Malcolm Y

Ka pasur shumë debat dhe që vijon edhe sot nëse Basha bëri mirë apo keq që dogji mandatet. Në fakt, djegia e menjëhershme e mandateve të deputetëve qe e përllogaritur mirë taktikisht dhe dogji mundësinë që një pjesë e deputetëve aktualë të shantazhoheshin, bliheshin apo josheshin për të ndenjur dhe ndërruar kah. Fakti që vetëm deputeti problematik MM dhe Rudina Hajdari qëndruan ishte një fitore jo e vogël për PD asokohe. Lëvizja e beftë gjithsesi prodhoi acarim të PD-së me një pjesë të mirë të faktorit ndërkombëtar me të cilin nuk ishte rakorduar paraprakisht dhe në situatat kur BE ballafaqohej me zgjedhjet parlamentare dhe të forumeve të saj drejtuese, me BREXIT nga ana tjetër dhe situatë të paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, kishte pak apo aspak oreks të ndiznin një vatër tjetër paqëndrueshmërie në këtë yrt të shkretë të Ilirikut.

Aq më tepër që marrëveshja Serbi-Kosovë e gjithë paqartësitë dhe rreziqet e saj po vinte në pikëpyetje gadishmërinë e Brukselit për të qenë faktor me peshë dhe situata në Shqipëri nuk ndihmonte aspak në këtë drejtim. Por edhe për faktin se raportimet shkonin nga ambasadat e këtushme të cilat informoheshin periodikisht dhe në kohë reale nga Fuga-këshilltar me anë të memove që e hidhnin baltën vetëm në një kah dhe nxirrnin një situatë bardhezi ku mazhoranca e pafajshme e krejt tepsisë për vedi kishte përballë një opozitë anarkike që digjte goma dhe nxinte faqen e bardhë të Shqipërisë demokratike faqe botës.

Ky mit dhe iluzion filloi gradualisht të humbte sharmin fillestar ku media prestigjioze gjermane dhe italiane filluan të nxirrnin me zë dhe figurë se si votat ishin vjedhur, blerë dhe financuar nga paratë e trafiqeve të drogës dhe lidhjet e ngushta të Niçeve me Dakot në favor të tjetërsimit të vullnetit zgjedhor. Arroganca e pafre e kryepiktorit me brekushe që vetë vendos dhe vetë vulos për të kryer zgjedhje të njëanshme nuk ndaloi me kaq por organizoi një palo-zgjedhje ku pavarësisht se kundërshtar kishte vetveten nxorri me dhunë dhe përdhunë krejt administratën dhe sipas të dhënave nga terreni votuan në masë të sëmurë mendorë të shtruar në spitale psikiatrike, të burgosur në emër të të cilëve u votua dhe fëmijë që nuk kishin mbushur ende moshën e adoleshencës por për të cilët votuan baballarë-komisionerë në përpjekje për të mbushur kutitë e votimeve. Pavarësisht kësaj të paktën 15 përqind e atyre që de jure votuan, e kishin hedhur votën të pavlefshme, një sinjal ashiqare mosdakordësie me dhunën që i kishte cuar perdhunimisht te kutitë e votimit.

LEXO EDHE  Detaje të reja nga atentati në Peqin/ Autorët, pjesë e grupit të strukturuar kriminal, ku po heton policia

Sot sinjalet ndërkombëtare kanë filluar të tregojnë shenja normalizimi. Një nga sinjalet ishte deklarata e Palmer-it që nuk mbështesnin qeverinë në detyrë Rama, që Gjykata Kushtetuese do të gjykonte mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të cilat janë ankimuar nga Shoqata e Bashkive drejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi. Kjo e fundit priti në zyrë para disa ditësh kreun e OSBE-së dhe madje deri tani nuk është tentuar zëvendësimi i saj me dhunë si në rastet e bashkive të tjera. Ndoshta dhe për faktin që kryebashkiaku fitues i zgjedhjeve të 30 qershorit del me rekorde kriminale dhe në zgjedhje morën pjesë më pak se 7 përqind e elektoratit shkodran. Por a mjafton kaq?

Opozita ndonëse ka vepruar taktikisht mirë në djegien e befasishme të mandateve për të refuzuar vitrinë-demokracinë dhe fasadën e një regjimi monokratik dhe kleptokratik, organizimin e protestave masive të njëpasnjëshme dhe denoncimin e fortë të krimit dhe të korrupsionit duke premtuar dhe rikthimin e ligjshmërisë, është vazhdimisht e kërcënuar nga përpjekja e mazhorancës për t’i përcarë, nga vështirësitë financiare, infrastrukturore dhe logjistike për të mbajtur gjallë ritmin e protestave dhe mbi të gjitha nga mungesa e koherencës së një strategjie të mirëfilltë e cila do shihte qartësisht dritën në fund të tunelit dhe do të dinte të motivonte aradhën e mbështetësve në aksionin opozitar. Madje dhe të shtonte radhët me qytetarët e paangazhuar, të krijonte një aleancë funksionale me pjesën e shëndoshë të shoqërisë civile, të përfshinte intelektualët kryesorë të vendit, të fitonte ato zëra kritikë ndaj qeverisë që janë gjithsesi skeptikë të opozitës dhe të gjeneronte një frymë pa të cilën është praktikisht e pamundur të triumfohet mbi një pushtet sa banal, aq edhe të kapur nga oligarkia kriminale.

Pa gjenerim shprese se e ardhmja nën opozitën do të jetë më e mirë, pa burim besimi se PD do të dijë të korigjojë shumë nga gabimet e së kaluarës dhe të mbështetet fort te meritokracia si dhe të dijë të ndërtojë një sistem karriere bazuar te vlerat, pa ndërtim të një filozofie të besueshme qeverisëse, pa një besëlidhje të re me qytetarët e lirë të këtij vendi duke ju premtuar atyre siguri dhe mirëqënie në vendin e tyre, vështirë se vetëm taktikisht opozita do të arrijë të thyejë një mazhorancë arrogante në numra, cinike në veprim dhe hileqare në taktikë.