Autoritetet kineze thanë të premten se nuk shantazhohen dhe paralajmëruan kundërpërgjigje ndaj njoftimit të Presidentit Donald Trump se duke filluar nga muaji tjetër, do të vendosë një tarifë prej 10 për qind ndaj importeve kineze në vlerën e 300 miliardë dollarëve.
Ky zhvillim i përshkallëzon ndjeshëm mosmarrëveshjet tregtare mes ekonomive më të mëdha të botës.
Të enjten zoti Trump i kapi të papërgatitur tregjet financiare kur tha se planifikon që më 1 shtator të vendosë tarifa shtesë, duke i dhënë kështu papritur fund një armëpushimit në kuadër të një lufte tregtare një vjeçare, e cila ka ngadalësuar rritjen ekonomike dhe ka prishur zinxhirin e furnizimit botëror.
“Pekini nuk do të bëjë asnjë lëshim nën presionin e Uashingtonit”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying.
Presidenti Trump kërcënoi gjithashtu të rrisë edhe më tej tarifat nëse siç tha ai Presidenti kinez Xi Jinping nuk lëviz shpejt drejt arritjes së një marrëveshjeje tregtare.
Presidenti Trump i njoftoi tarifat e reja në një seri postimesh në twitter pasi negociatorët e tij të lartë për tregtinë e informuan mbi mungesën e përparimit në bisedimet e mbajtura në Shanghai këtë javë. Ky vendim do të zgjeronte tarifat për pothuaj të gjitha mallrat kineze që importohen në Shtetet e Bashkuara.