Vetingu në KPA/ Arta Marku mbron Gentian Osmanin me informacione “të pavërteta”

Nga Boldnews.al

Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit një informacion, i cili mund të mos përputhet me realitetin, lidhur me një udhëtim jashtë Shqipërisë, të kryer nga anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani, me avokatin e një personi turk që ka pasur nën hetim para disa vitesh.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kërkoi informacion nga zyra e Arta Markut nëse Osmani ka udhëtuar me avokatin e personit nën hetim, kërkesë kjo e referuar pranë Komisionerit Publik nëpërmjet një denoncimi që ka mbërritur në adresën e vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Prokurori Osmani, në një prej seancave që po zhvillohen në Kolegjin e Apelimit, e pranoi se ka udhëtuar me avokatin e shtetasit nën hetim, N.S. Por ai tha se ky udhëtim ishte për qëllime proceduriale dhe se ai kishte vënë në dijeni për këtë gjë edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndërkohë, në një seancë të mëvonshme para Kolegjit të Apelimit, Komisioneri Publik, duke iu referuar përgjigjes së marrë nga Prokuroria e Përgjithshme, deklaroi para trupës gjyqësore se “nga të dhënat e sistemit TIMS, nuk rezulton që Osmani të ketë udhëtuar me avokatin…”.

Pra, Prokuroria e Përgjithshme ka mohuar zyrtarisht, atë që vetë prokurori Gentian Osmani ka pranuar para trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke ngritur në këtë mënyrë pikëpyetje mbi vërtetësinë e informacionit të përcjellë nga Arta Marku.

Dyshimet
Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani dhe Komisioneri Publik pritet të paraqesin të Enjten konkluzionet para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në procesin ku po shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e ish-prokurorit të Krimeve të Rënda.

Institucioni i Komisionerit Publik, i përfaqësuar nga Darjel Sina, kërkon rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Osmanit, i cili mori dritën jeshile për vijimin e karrierës, pak muaj para se të zgjidhej anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Komisioneri Publik e mbështeti ankimin e tij në pikëpyetjet mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së prokurorit Osmani, si edhe në një denoncim anonim, të mbërritur në zyrat e vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

LEXO EDHE  FOTO/ Vrasja me plumb në kokë, ja si e pritën vendimin për masën e sigurisë të arrestuarit

Në seancën e parë në Kolegjin e Apelimit, në 11 Korrik 2019, Komisioneri Publik kërkoi, ndër të tjera, që trupa gjyqësore të kryente verifikimet mbi 3 episode të përmendura në denoncim, të cilat lidheshin me veprime të konsideruara të dyshimta gjatë aktivitetit të prokurorit Osmani.

Në një nga këto episode, denoncuesi referonte se Gentian Osmani, kur ushtronte funksionet e prokurorit, ka udhëtuar jashtë Shqipërisë me avokatin e një shtetasi turk, të cilin e ka pasur nën hetim.

Pas këtij prezantimi, prokurori Osmani reagoi duke e konsideruar denoncimin anonim si “një shpifje e ulët”. Gjithashtu, ai sqaroi se kishte udhëtuar me avokatin e një shtetasi turk me inicialet N.S, por tha se udhëtimi ishte bërë për të marrë në pyetje dhe njohur me akuzën personin në fjalë.

Osmani shtoi gjithashtu se bëhej fjalë për një vendim procedurial, në dijeni të të cilit ishte edhe Prokuroria e Përgjithshme.

Gjithësesi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik dhe të kërkojë informacione pranë Prokurorisë së Përgjithshme për 3 episodet e denoncuara, ku krahas “udhëtimit me avokatin”, përmendeshin edhe “pushimi i hetimeve për një person të njohur të prokurorit”, si edhe “shpallja e moskompetencës për një rast të dyshimtë”.

Në seancën e dytë, e zhvilluar në 15 Korrik, Komisioneri Publik vendosi të tërhiqet nga dyshimet e tij, të ngritura në bazë të denoncimit.

Darjel Sina deklaroi se, në bazë të përgjigjeve të mbërritura nga Prokuroria e Përgjithshme, episodet e përmendura në denoncimin anonim, nuk qëndronin.

Duke dhënë më tepër detaje për çështjen e “udhëtimin me avokatin e personit nën hetim”, Komisioneri Publik theksoi se “…prej verifikimit të dokumentacionit të sistemit TIMS, rezultonte se prokurori Osmani nuk kishte udhëtuar së bashku me avokatin në fjalë dhe se pretendimet e denoncuesit nuk përputheshin me faktet….”.

Ndërkohë, Komisioneri Publik vijon t’i qëndrojë ankimit të tij sa i përket mungesës së burimeve të ligjshme për pasurinë e krijuar nga prokurori Gentian Osmani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.