Futbolli nuk është vetëm muskuj dhe talent! Është edhe zgjuarsi, disiplinë, dredhi dhe taktikë. Mbi te gjitha taktikë… Po kush më mirë e njeh taktikën se një italian! Madje aq shumë është fiksuar trajneri i Partizanit, Franko Lerda, me sfidën në Champions ndaj Karabakut, saqë e ka studiuar në detaj çdo lëvizje të tyre.

Gazeta dje ndoqi me vëmendje të gjitha lëvizjet e tij në stërvitjen e zhvilluar në stadiumin e Kamzës. Qartazi dukej që Lerda kishte parë video pa fund të azerëve, sepse u jepte me vendosmëri udhëzime lojtarëve se çfarë duhej të bënin në fushë.
Ngjasonte më shumë me një agjent si Xhejms Bond, se sa me një trajner në fragmente të caktuara. Kërkonte që lojtarët e tij të ishin gjithnjë një kohë para me lëvizjet. Italiani ishte i qartë në atë që kërkonte. Shumë i qartë! Kushedi sa video të Karabakut kishte parë deri dje në mëngjes… Stërvitja dhe takimi i parë Përgatitjet e djeshme u zhvilluan paradite dhe rreth orës 10:00 të mëngjesit, ku të kuqtë nisën punën në stadiumin e Kamzës. Në dallim nga e premtja, dje të gjithë lojtarët i janë nënshtruar një plani stërvitor dhe kërkesa e llogarisë ka qenë e lartë. Fillimisht lojtarët kanë nisur me programim atletik dhe fizik të drejtuar nga trajneri Korado Sakone.
Këtyre ushtrimeve u janë nënshtruar të gjithë lojtarët, me përjashtim të Alesio Hysenit, që vazhdon me vrapime rreth fushës. Në vazhdim, stafetën e drejtimit të ekipit e ka marrë trajneri Franko Lerda, i ndihmuar nga dy zv.trajnerët, Dritan Mehmeti dhe Xhakomi Kini. Fillimisht trajneri Lerda e ka grumbulluar skuadrën në mesin e fushës, u ka sqaruar programin stërvitor që do të ndiqnin në vijim, ku pa dyshim qarkullimi i topit, daljet e shpejta në sulm, markimi një për një dhe agresiviteti duhet të karakterizonte pjesën në vazhdim. 51- vjeçari i ka folur fillimisht ekipit për kualitetin e kundërshtarit dhe se çfarë duhet të bëjnë lojtarët në sfidën e parë ndaj Karbakaut. “Përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, por ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të tregojmë veten. Duhet të fokusohemi te ndeshja e parë dhe ta luajmë sikur është e vetme. Pra, të bëjmë më të mirën në takimin e parë që e luajmë në shtëpi”. Kështu u është drejtuar mes të tjerash trajneri Lerda futbollistëve.

Lerda zbërthen kundërshtarin
Pas ushtrimeve me top, trajneri e ka grumbulluar sërish ekipin në mes të fushës. Përpara nisjes së ushtrimit të radhës, që kishte të bënte me perfeksionimin e strategjisë dhe detyrave që lojtarët duhet të ndjekin ndaj Karabakut, Lerda la të kuptohej se e njeh mirë kundërshtarin. Madje, aq mirë e kishte studiuar italiani Krabakun, sa ua bëri të qartë lojtarëve se kush janë pikat e tyre të forta, si dhe dha udhëzimet për secilin nga të tijtë. Ai u tregoi se çfarë duhet të bëjnë në kushte loje ndaj azerëve.













