Skandali/ Akep gjobë 500 mijë USD, zbulohet afera Vodafone Albania-UNIFI

Nga Boldnews.al

Dega e një kompanie të fuqishme amerikane për shërbimin e internetit, e regjistruar në Nju Jork nga shqiptari Adrian Shatku, erdhi në tregun shqiptar me projekte ambicioze, në vitin 2009.

Por “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, me administrator Florian Shatku, u detyrua të hiqte me urgjencë pajisjet teknike nga zyra e saj në Tiranë dhe pezulloi aktivitetin në Gusht 2018.

Kjo lëvizje e shpejtë dukej si një manovër për të shmangur kontrollorët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) të zhvillonin një inspektim në ambjentet e këtij biznesi, pas dyshimeve për praktika të paligjshme të zhvilluara prej saj.

Gjithësesi, në muajin Nëntor 2018, AKEP gjobiti me gjysëm milionë dollarë kompaninë “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, kryesisht për shkak të parregullsive të shumta që janë konstatuar në marrëveshjen që kjo kompani ka nënshkruar në vitin 2014 me “Vodafone-Albania”.

Në korrik të vitit 2014, Unifi-dega Shqipëri nënshkroi një Marrëveshje Interkonjeksioni me “Vodafone-Albania. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Unifi-dega Shqipëri, merrte përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”.

Kjo marrëveshje ka qenë funksionale deri në Gusht të vitit 2018, kohë kur inspektorët e AKEP thelluan kontrollin mbi veprimtarinë e “Unifi-dega Shqipëri”, të cilin e kishin nisur në janar të vitit të kaluar.

AKEP ka konstatuar se, për të paktën 6 muajt e parë, marrëveshja e interkonjeksionit ka qenë e paligjshme, për shkak se Unifi nuk ishte pajisur me licensën përkatëse.

Në vijim të kontrollit, AKEP ka zbuluar gjithashtu se Unifin-Dega Shqipëri nuk ka deklaruar në bilancet e saj faturat e paguara për llogari të “Vodafone”, si edhe ato të shitjes tek klientët përdorues të shërbimit telefonik ndërkombëtar, për thuajse 3 vjet (2014-2016), duke hedhur dyshime për veprimtarinë e pastrimit të parave.

Në përfundim të hetimit administrativ, AKEP gjobit “Unifi-dega Shqipëri” me 50 milionë lekë.

Unifin Holding inc-dega Shqipëria ka ardhur në tregun shqiptar në vitin 2009. Dega kishte mbi vete reputacionin e kuruar mirë të kompanisë mëmë, “Unifi Holding llc”, e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e drejtuar nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork.

Në profilin e saj në rrjetin “Linkedin”, i cili është i specializuar për biznesin, “Unifi-Holding LLC prezantohet si një prej kompanive kryesore në botë për tranzitimin e thirrjeve telefonike dhe aktiviteteve të tjera telekomunikacioni, me rreth 100 milionë përdorues aktivë të shërbimeve të saj.

Drejtori Ekzekutiv i saj, Adrian Shatku, është intervistuar nga gjigandët mediatikë botërore, si BBC e “forbes.com” për të treguar mbi ecurinë e kompanisë së tij dhe shtrirjen e aktivitetit, sidomos në Afrikë.

Në vitin 2009, kompania mëmë “Unifi-Holding” vendos të hapë degën e saj në Shqipëri. Me administrimine degës së Tiranës ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të bosit të madh, Adrian Shatku.

Dega Shqiptare hyn fuqishëm në tregun vendas. Në vitin 2010, Këshilli i Ministrave miratoi, në parim, vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës. “Unifi holding inc-dega Shqipëri” u lejua për të kryer studimin përkatës për shtrimin e kabllit. Afati i kësaj leje ishte 12 muaj.

LEXO EDHE  Kreu i KLP/ Gent Ibrahimi "nuk guxon" të përmendë dosjet "339" dhe "184"

Në një vendim të mëvonshëm, të vitit 2011, Këshilli i Ministrave shtyn lejen edhe për dy vjet, deri në vitin 2013.

Në janar 2014, Këshilli i Ministrave vendos të shtyjë edhe me 3 vjet të tjera, lejen për studim, të dhënë “Unifi-Holding-dega Shqipëri”.

Prej vitit 2017, kohë kur mbaronte leja tre-vjeçare, nuk ka më asnjë njoftim zyrtar mbi ecurinë e studimit.

Kompania UNIFI pezulloi aktivitetin në gusht 2018

Bosi i madh i kompanisë mëmë, Adrian Shatku ka ruajtur një profil të ulët në terrenin shqiptar. Ai nuk është shfaqur publikisht në Tiranë, megjithëse, pesha e tij financiare i ka dhënë mundësi të krijojë lidhje të forta politike në vendin tonë.

Këto lidhje duket se i kanë krijuar një aureolë mbrojtëse aktiviteteve të degës së kompanisë së tij në Shqipëri. AKEP, në inspektimin e saj, e prek në mënyrë indirekte këtë mburojë.

Në vendimin për gjobitjen e “Unifi-dega Shqipëri”, AKEP shprehet se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”.

Nëpërmjet kësaj shprehjeje, AKEP, i cili aktualisht drejtohet nga ish-deputetit socialist Ilir Zela, i vendos një kritikë për “neglizhencë” institucionit, për kohën kur ai drejtohej nga Piro Xhixho, zyrtar i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjithashtu, marrëveshja e interkonjeksionit Unifi-Vodafone Albania, për të cilat AKEP ka dyshime të forta mbi rregullsinë e saj, është nënshkruar në kohën kur Ministria e linjës, ajo e Transporteve, drejtuar nga Edmond Haxhinasto, i emëruar gjithashtu nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku kompanitë e Adrian Shatkut janë përballur me problem ligjore. Në vitin 2012, ai u përfshi në një konflikt gjyqësor me ish-ortakët e tij, vëllezërit Blerim e Shkëlqim Devolli, të kompanisë “Devolli”.

Shatku dhe Devollët ishin bashkëaksionerë të “Dardafon”, para se pronari i kompanisë Unifi Holding të akuzonte ortakët e tij për manovra financiare.

Devollët, si edhe disa zyrtarë të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës u përballën me gjykatësit e EULEX-it pas kallëzimit të Adrian Shatkut.

Por, në përfundim të procesit penal, në vitin 2013, gjykatësi francez Viktor Hyo Pardal i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Sipas gjykatësit, çështja ndërmjet Devollëve dhe Shatkut mund të zgjidhej në mënyrë civile, pa qenë e nevojshme zhvillimi i një procesi gjyqësor penal.

Media e Kosovës, e cila ka raportuar për këtë proces gjyqësor, shkruante në atë kohë se Shatku ishte përfshirë në fenomenin e mashtrimit të njohur “SIM to Sim”. Në atë që media kosovare e konsideronte mashtrim, mendohet se Postë Telekomunikacionit të Kosovës i është shkaktuar një humbje prej 20 milionë eurosh.

Në procesin gjyqësor të iniciuar nga Adrian Shatku, avokatët e Devollëve deklaron se “klientët e tyre kanë blerë për një milion euro aksionet e Shatkut brenda Dardafone LL C, për ta ruajtur imazhin e kompanisë, pasi kuptuan se Shatku ishte i përfshirë në mashtrimin “SIM to SIM”. (Vijon)