Nga Boldnews.al
Gjenerali thirri një gardist dhe i zbuloi atij planin “ogurzi” që eksiztojnë informacione të “tërthorta” se kreut të opozitës Lulzim Basha i rrezikohet jeta nga ndonjë atentat i mundshëm, prej forcave të errëta, ndoshta jashtë e brenda vendit…
Ky ishte thelbi i bisedës të premten e shkuar mes Ministrit të Brendshëm gjeneral Sandër Lleshajt dhe shefit të truprojave të liderit të opozitës, gardistit Feim Dollapaj. Ky i fundit më shumë dëgjoi sesa foli, por përcolli shqetësimin e ministrit në zyrat e PD-së me kerkesën nëse ka nevojë ose jo të shtimit të numrit të rojeve të sigurisë.
Që në nisje të saj ka një gabim të rëndë, gati të pabesueshëm, pasi nëse vërtetë rrezikohet jeta e liderit të opozitës, strukturat e rendit duhet të shtojnë masat, pa “pyetur” doni apo nuk doni më shumë “muskuj e armë” që të sigurohet jeta e Lulzim Bashës.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi në një letër zyrtare reagoi duke i kërkuar ministrit të brendshëm që të zbatojë ligjin për çdo informacion, në rrugë zyrtare ose jo të tilla. “Jam i bindur që ju jeni të vetëdijshëm se keni detyrim ligjor që informacionet e “tërthorta dhe të besueshme mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës t’i trajtoni në rrugë institucionale përmes përcjelljes zyrtare të tyre tek autoritetet përgjegjëse”-thuhet në qëndrimin e numrit dy të PD-së.
Kjo situatë është parë me shqetësim nga kreu u shtetit Ilir Meta, i cili thirri në një takim urgjent kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Komandantin e Gardës së Republikës. Mësohet se në këtë bisedë është kërkuar më shumë informacion mbi këto të dhëna dhe masat që do të merren.
Nuk dihet nëse kjo është një lojë e ulët politike për të “trembur kreun demokrat” që të ndalë “hovin” në protestat masive të opozitës, apo një informacion i saktë, që gjithsesi në fundin e saj tregon dështimin e strukturave të sigurisë në vend për të garantuar jetën e çdo qytetari, përfshi edhe të liderit të opozitës.
Në raste të tilla, nuk është e nevojshme të “pyetet” opozita nëse dëshirojnë apo jo masa shtesë të sigurisë, por veprohet konform ligjit, për të marrë çdo masë parandaluese. Situata në vend është mëse kaotike, ku tensioni është në rritje sa më shumë afron data 30 qershor.
Mazhoranca është e vendosur të shkojë në zgjedhje lokale edhe pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare, ku në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit Partia Socialiste ka vetëm kandidatët e saj, të cilët e kanë të garantuar fitoren. Në fund do shkojnë “nga fitorja në fitore”, duke numëruar 61 bashki që të gjitha me ngjyrat e Rilindjes.
Tashmë del në skenë se Bashën e kanë në shenjestër dhe duhet të ruhet. Nga kush? Opozita sot është në rrugë, nuk gëzon asnjë status mbrojtjeje, është pa imunitetet Parlamentare dhe në betejën e saj të vazhdueshme politike me mazhorancën. Mbetet detyra e çdo qeverie që të marrë masat për të ndaluar çdo gisht në këmbëzën e armës, imagjinare ose të vërtetë.
Një rast i ngjashëm ndodhi edhe pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, ku u raportua se disa persona ishin kapur në përgjime duke diskutuar një atentat të mundshëm nga kreut të PS-së, në atë kohë në opozitë Edi Rama. Informacioni u sigurua nga Shërbimi Informativ Shtetëror i cili vuri në dijeni kreun e shtetit, ministrinë e brendshme dhe të gjithë institucionet e tjera të sigurisë.
Për Ramën u caktuan masa shtesë të sigurisë nga Garda e Republikës, ndërsa të dyshuarit u ndaluan, për të frenuar çdo tentativë për ndonjë atentat të mundshëm. Nuk u thirr një truprojë për të “larë gojë” nëse duan apo nuk duan masa shtesë. Qeverisë i janë errur sytë, e nga kjo mjergullnajë nuk po sheh as gjenerali, ndoshta edhe ai i infektuar nga gazi i madh lotsjellës të lëshuar me tepri në thuajse çdo protestë të opozitës.