Letrat rrufjane dhe batakçi politika

Nga Ilir Kalemaj

Ftesat vijnë radhë renditur si aradhët partizane maleve me blerim mbuluar. Sinqeriteti i mungesës së sinqeritetit të ftesave për dialog që dështojnë me sukses të çelin shtigje dialogu, duket se premisën dialoguese të ftesës pa kushte e kanë kthyer në kushtëzim të ftesës që asgjëson dialogun dhe vijon me monologun!

Nuk kuptuat gjë? Punë e madhe fort. I rëndësishëm është procesi i bërjes gjasme sikur do flasim, ndërkohë që opozitën reale e kemi demonizuar, opozitën e re po e klonojmë, pavarësinë e gjyqësorit vënë në pikëpyetje, median nën kontroll, shoqërinë civile gati asfiksuar, akademinë atrofizuar, oligarkët pasuruar, shtetin uzurpuar dhe zgjedhjet asgjësuar. Gozhdët e fundit kofinit të demokracisë presim t’i vëmë së shpejti kur edhe administratën zgjedhore ta kemi në hyqëm, edhe fituesit paraprakë ti vulosim, edhe dialogun të bëjmë gjasm sikur e rifillojmë. Ndërkohë që shteti i së drejtës duket si ato slloganet e kohës kur diktatorit nuk kishte kush t’i shkruajë, faqe Tomorrit të lavdishëm.

Vazhdojmë të kërcejmë tangon e famshme të të gënjyerit të vetes me një hap para dhe dy hapa pas, ndërkohë që zjarrit të destabilitetit politik i hidhet veç benzinë dhe ekonomia po shkon në kolaps. Përgjegjshmëria është zero ndërsa kulti i individit perpetuohet si Skënderbe modern nga një tufë bazhibozukësh dhe servilësh pa din dhe imam, nga ata që të vënë shkelmin të parët po panë që nise të rrokullisesh të tatëpjetës së pushtetit. Transparenca ngjan si UFO, llogari-dhënia duket herezi, ndarja dhe balanca e pushteteve si fantazmagorike, ndërsa shteti i së drejtës si rrëshqitje në autokraci.

LEXO EDHE  I sekuestrohen kanabis, kokainë, euro dhe makina/ Arrestohet 48-vjeçari

Presin qytetarët mendim të lëvrojë nga koka të ftohta shtetarësh, shohin me kujdes thinjat mbi krerët e mendueshëm të baballarëve të kombit të gjejnë një zgjidhje që nuk e fut vendin në spiralen e vet-shkatërrimit, që ngre mekanizma që të luftojnë për sot dhe nesër Kompleksin e Rozafës, por ndërsa ngrohen nën diellin e vonuar të majit, shirat e politikës po i lënë të llokoçiten në baltë.

Edhe sa kohë do të duhet të kalojë që të shohim dritë në fund të tunelit? Që ndonjë nga dhjetëra zgjidhjet e parashkruara nga ekspertë dhe studiues të fushës të merren parasysh? Që politika mos të jetë shurdhë dhe e verbër ndaj zërave të arsyeshëm? Që njerëzia të gjejnë paqe, investitori siguri, drejtësia zgjidhje dhe ekonomia begati? Për këto vlen të pyetet dhe jo në mënyrë retorike: Kur Do Flasim?

*Shkruar enkas për Boldnews.al