Vjollca-Blushi, “lavatriçe” e imazhit të dëmtuar të Arta Markut

Nga Boldnews.al

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, do të jetë për intervistë mbrëmjen e së Enjtes në Top Channel, pas “negociatave” 10 ditore për të përcaktuar pyetjet që i shkojnë në interes drejtueses së institucionit të Akuzës.

Top Channel ka vendosur që të rreshtohet në krah të Arta Markut në garën e saj për Prokurore të Përgjithshme me mandat të plotë 7-vjeçar. Pjesë e strategjisë së televizionit është edhe një intervistë e Markut në “prime-time”, në emisionin “Open” të Eni Vasilit.

Intervista ishte parashikuar të zhvillohej javën e kaluar. Por, siç deklarojnë nga brenda televizionit, dalja e Arta Markut në studion e së Enjtes së javës së shkuar është shtyrë. Shkak, sipas këtyre burimeve, ka qenë mos-dakordësia e Kryeprokurores së Përkohshme për pyetjet e parapërgatitura nga stafi i emisionit.

Gazetarët e emisionit, në zbatim të parimeve profesionale, kanë përgatitur një skalet pyetjesh, të cilat do t’i drejtoheshin Arta Markut në intervistën e saj tek “Open”. Por, Kryeprokurorja e Përkohshme, sipas burimeve brenda televizionit, ka vendosur kushtin që të njihej paraprakisht me pyetësorin.

Stafi i emisionit nuk ka qenë dakord me këtë kërkesë. Por, një “ndërhyrje” e drejtorit të televizionit, Ben Blushi, ka detyruar redaksinë e “Open” që të dërgojë paraprakisht pyetjet e intervistës në zyrën e Arta Markut.

Nga ky moment-thonë burime nga Top Channel – kanë nisur “kapriçiot” e Arta Markut. Ajo nuk ka qenë dakord për pjesën më të madhe të pyetjeve, pasi, mesa duket, ato nuk e ndihmonin për ta prezantuar si “gruaja e hekurt” në krye të Prokurorisë.

Stafi i Kryeprokurores, ku së fundmi është bashkuar edhe një ish-bashkëpunëtore e Ben Blushit, ka “negociuar” me televizionin për të ri-formuluar pyetjet. Me nota ironike, burime nga televizioni deklarojnë se pyetjet e kërkuara nga Arta Marku janë të natyrës: ‘Cili është çelësi i suksesit tuaj”?

Arta Marku, e cila drejton “përkohësisht” Prokurorinë e Përgjithshme prej më shumë se 1 viti e gjysëm, ka kandiduar për një mandat të plotë në krye të institucionit të Akuzës.

Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, ajo është akuzuar nga opozita politike se i ka shërbyer interesave të maxhorancës dhe ka përmbushur vullnetin qeveritar për të mos hetuar korrupsionin dhe lidhjet e zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar.

LEXO EDHE  “Bashkia gënjen me taksat, mbledh më shumë, investimet më të pakta”

Nga ana tjetër, vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) konstatuan aftësi minimale si prokurore të Arta Markut gjatë procesit të Vetingut.

Problemet e theksuara në drejtimin e Prokurorisë, si edhe dyshimet mbi aftësitë profesionale, janë pika negative të Arta Markut në garën e saj për Kryeprokurore.

Ndaj, për të zbutur disi imazhin e dëmtuar keqazi të Markut, duket se po angazhohet Top Channel, më saktë nga administratorja Vjollca Hoxha dhe drejtori i Përgjithshëm, Ben Blushi.

Dyshja Vjollca – Blushi e kanë marrë seriozisht “lobimin” për Arta Markun. Krahas rolit të “lavatriçes” së imazhit të saj, drejtuesit e Top Channel kanë realizuar edhe një lëvizje “proceduriale” – në garën për Kryeprokuror kanë investuar edhe avokatin e tyre, Lulzim Alushaj.

Juristi Alushaj, nga të dhënat e publikuara, duket se nuk plotëson kriteret formale për të qenë kandidaturë për Kryeprokuror. Por, përfshirja e tij në listën e aplikantëve për shefin e ri të Akuzës duket se është një manovër për të siguruar numrin minimal të kandidatëve për të konsideruar garën për Kryeprokuror të rregullt ligjërisht.

Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë parashikon se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti me 84 vota një ndër tre kandidatët e listuar të parët nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në rast se Parlamenti nuk siguron 84 vota, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i parë i renditur nga KLP-ja.

Por, që procesi të konsiderohet i rregullt, duhet që, më së pari, KLP-ja të rendisi 3 kandidatë. Shumë prokurorë dhe juristë nuk iu bashkuan garën për Kryeprokuror, pasi e konsiderojnë të korruptuar politikisht.

E, për të plotësuar kuotat e nevojshme, të cilat më pas do të legjitimojnë zgjedhjen e Arta Markut si kryeprokurore me mandat të plotë, ka menduar Vjollca-Blushi, të cilët kanë aplikuar për shefin e institucionit me një kandidat të tyrin.

Në rast se Arta Marku merr mandatin e plotë, atëherë Vjollca-Blushi do të kërkojnë që t’u njihen meritat e tyre në pastrimin e imazhit të të “Përkohshmes”