Nga Boldnews.al
Institucionet e Vetingut, strukturat e projektuara për t’i dhënë frymëmarrjen Reformës në Drejtësi, po shndërrohen në bllokueset kryesore të formimit të institucioneve të reja.
Një sistem i ndërlikuar dispozitash kushtetuese dhe ligjore që synonin “çmontimin” e drejtësisë së vjetër e problematike, rregullojnë mënyrën e realizimit të procesit të Vetingut, me qëllim promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që përmbushin plotësisht kriteret e pastërtisë së pasurisë. integritetit profesional dhe atij personal.
Detyra e verifikimit të zyrtarëve të drejtësisë i është ngarkuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Pas një vrulli të momentit të parë, këto dy struktura kanë rënë në apati, duke vonuar në ekstrem ngritjen e institucioneve të reja.
Aktualisht, për shkak të Vetingut të vonuar, mungon Gjykata Kushtetuese, është reduktuar në maksimum Gjykata e Lartë, funksionojnë në mënyrë ekstra-ligjore Prokurori i Përgjithshëm (i përkohshëm), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (me 3 anëtarë pa vendim përfundimtar të formës së prerë), Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (me dy anëtarë pa kaluar në Veting), si edhe nuk janë ngritur institucionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK).
Skeptikë të Reformës në Drejtësi kanë hedhur prej kohësh dyshimet se institucionet e Vetingut kanë punuar mbi bazën e një “liste të zezë” politike. Në këtë “listë”, sipas të njëjtëve, ishin përfshirë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk kishin afilacion të dukshëm me Partinë Socialiste në pushtet.
Në fakt, dyshimi i skeptikëve nuk duket se është i pabazë. Strukturat e Vetingut kanë treguar qasje operative ndaj disa subjekteve të rivlerësimit, për të cilët maxhoranca besonte se kishte lidhje me opozitën e djathtë.
Dy shkallët e Vetingut kanë vepruar me shpejtësi të plotë dhe kanë mbyllur ciklin në një periudhë 4-5 mujorë për subjektet e shkarkuar, si: ish-gjyqtarët Kushtetues Bashkim Dedja, Fatos Lulo, Fatmir Hoxhaj, Altina Xhoxhaj; për prokurorët e Apelit Besa Nikëhasani e Gentian Trenova, si edhe për gjyqtarin e Apelit, Besim Trezhnjeva.
Por shpejtësia e veprimeve, sidomos në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u ul ndjeshëm në periudhën në vijim.
“Boldnews.al” raportoi pak ditë më parë se KPA ka “harruar” prej më shumë se 8 muajsh të nisë seancën për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për të cilin Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra, pas konfirmimit të tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Si rasti i Zaganjorit, “Boldnews.al” ka konstatuar edhe të paktën 6 raste të tjera.
Gentian Medja
Gjyqtari administrativ i Tiranës u konfirmua nga KPK në detyrë në 1 Gusht 2018. Komisioneri Publik ushtroi ankim ndaj këtij vendimi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar procedurën e shortit për caktimin e anëtarëve që do të shqyrtojnë ankimin kundër gjyqtarit Medja në 9 nëntor 2018. Seanca ndaj tij nuk ka filluar ende. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj e 4 ditë.
Nertina Kosova
Gjyqtarja e Krimeve të Rënda mori “dritën jeshile” nga Komisioni i Vetingut në 18 Korrik 2017. Komisioneri Publik nuk ishte dakord me këtë vendim dhe e ankimoi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka caktuar trupën gjykuese me shortin e zhvilluar në 9 nëntor 2018. Seanca ndaj Kosovës nuk ka filluar ende. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj e 16 ditë.
Artur Malaj
Gjyqtari i Apelit Administrativ dhe njëkohësisht kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në datë 3 gusht 2018. Vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, bazuar edhe mbi rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). KPA zhvilloi shortin për caktimin e trupës gjykuese për rastin e Artur Malajt në 15 nëntor 2018. Ende nuk ka filluar seanca gjyqësore. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj e 2 ditë.
Besnik Muçi
Prokurori i Krimeve të Rënda dhe njëkohësisht kandidat për SPAK, Besnik Muçi e kaloi fazën e parë të vetingut me vendimin e datës 1 gusht 2018. Komisioneri Publik vlerësoi se ai duhet shkarkuar nga detyra dhe ankimoi vendimin e konfirmimit. Kolegji i Apelimit caktoi me short trupës gjykues që do të shqyrtojë rastin e tij në 15 nëntor 2018. Seanca për rastin e Besnik Muçit nuk ka nisur ende. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj e 4 ditë.
Gentian Osmani
Prokurori i Krimeve të Rënda dhe aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), u konfirmua në detyrë në 2 gusht 2018. ONM dhe Komisioneri Publik kërkuan shkarkimin e tij, nëpërmjet ankimin. KPA zhvilloi shortin për caktimin e trupës gjykuese të rastit të Osmanit në 7 dhjetor 2018. Ende nuk ka filluar seanca. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj e 3 ditë.
Arben Dollapaj
Dollapaj, prokuror i Apelit të Shkodrës dhe aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u konfirmua në shkallën e parë të Vetingut në datë 6 gusht 2018. Komisioneri Publik ankimoi vendimin. KPA ka caktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë rastin e tij me shortin e zhvilluar në 20 dhjetor 2018. Ende nuk ka nisur seanca gjyqësore. Vonesa, nga vendimi i shkallës së parë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, 9 muaj.
Krahas emrave të mësipërm, është ende e paqartë se kur do të zhvillohen seancat pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për disa subjekte të tjerë, të konfirmuar nga shkalla e parë e të ankimuar nga Komisioneri Publik. Në këtë listë përfshihen, ndër të tjerë, anëtari i KLP, Besnik Cani, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova, si edhe drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Gjithashtu, e paqartë është se kur do të shqyrtohen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit edhe një numër i lartë ankimesh, të dorëzuara pranë atij institucioni, nga gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë shkarkuar nga shkalla e parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.