Skeptikë të shumtë e parashikuan para dy vitesh se Reforma në Drejtësi nuk ishte gjë tjetër veçse një operacion “i kuruar mirë” nga Edi Rama dhe i mbështetur nga disa zyrtarë të EURALIUS e OPDAT, me qëllim kapjen e drejtësisë nga maxhoranca socialiste.
Ky parashikim sfidues po konfirmohet dita-ditës. “Reforma” po shkon drejt një “politike kuadri”, ku hiqen disa emra me procesin e Vetingut, për t’u zëvendësuar me disa të tjerë, të cilët kanë lidhje të dukshme me eksponentë të lartë të Partisë Socialiste.
“Boldnews.al” ka hartuar një listë emërore të zyrtarëve të zgjedhur apo kandidatë për në institucionet e drejtësisë, të cilët kanë lidhje të dukshme me “Rilindjen” socialiste të kryeministrit Edi Rama.
Prokuroria
“Reforma në Drejtësi” nisi me këmbën e gabuar, kur maxhoranca socialiste, vetëm me 69 votat e saj, zgjodhi Arta Markun në postin e Prokurorit të Përgjithshëm (të Përkohshëm), një pozicion që nuk njihet me emërtimin e tillë as në Kushtetutë dhe as në ligjet e tjera.
Arta Marku njihet si lidhje e ngushtë shoqërore e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, socialistit Ulsi Manja. Deputeti i sotëm ka qenë titullar i Arta Markut, kur ata të dy ishin kolegë në Prokurorinë e Shkodrës. Marku mori detyrën edhe pas “bekimit” të dhënë nga deputetja tjetër socialiste e Komisionit të Ligjeve, Ermonela Felaj. Të dyja kanë njohje të hershme, pasi kanë qenë në një kurs në Shkollën e Magjistraturës.
Me bekimin e deputetëve të maxhorancës, Arta Marku realizon disa ndryshime anti-ligjore në strukturat drejtuese të Prokurorisë. Lëvizja më e komentuar është “emërimi” i paligjshëm i Donika Prelës, në krye të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Donika Prela, nga ana e saj, njihet si person i investuar në karrierë nga Gramoz Ruçi, figurë kyçe në Partinë Socialiste dhe njëkohësisht Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), maxhoranca socialiste zgjodhi, vetëm me votat e saj, kryetarin dhe zv.kryetarin e institucionit të ri, i cili ka për detyrë të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë, prokurorët e SPAK-ut, si edhe ka në dorë karrierën e të gjithë prokurorëve.
Në krye të KLP-së, i zgjedhur nga maxhoranca është Gent Ibrahimi, kunati i deputetes së rëndësishme të Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.
Për Gent Ibrahimin dhe zëvendësin e tij, Alfred Balla, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka konstatuar se ata nuk plotësojnë kriteret për të qenë anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”.
Gjithashtu, në KLP janë edhe dy anëtarë të tjerë, Nurihan Seiti dhe Bujar Sheshi, me lidhje të vjetra me të majtën shqiptare. Për këta dy anëtarë, Autoriteti i Dosjeve ka konstatuar se kanë qenë “bashkëpunëtor” apo që figurojnë në dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ndërkohë, 3 anëtarë të KLP nga radhët e Prokurorisë, Gentian Osmani, Arben Dollapaj dhe Besnik Cani nuk i kanë mbyllur ende llogaritë me procesin e Vetingut. Maxhoranca socialiste e ka lehtësisht të kontrollueshme vendimmarrjen e këtyre 3 anëtarëve, nëpërmjet mekanizmave të strukturave të Vetingut.
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) është struktura që trajton karrierën e gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, si edhe përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Naureda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), njihet si lidhje e ngushtë e deputetes së Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, Klotilda Bushka (Ferhati), si edhe Ajola Xoxas, bashkëshorte e kryebashkiakut të majtë të Tiranës, Erion Veliaj.
Llagami është përzgjedhur si anëtare e KLGJ me votat e maxhorancës socialiste, pavarësisht se nuk plotësonte kriteret ligjore. Ajo u kandidua si përfaqësuese e shoqërisë civile, ndërkohë që nuk plotësonte kushtin që të kishte qenë 5 vitet e fundit aktive (deri në vitin 2016 ka qenë ndihmës/ligjore në Gjykatën e Lartë).
Anëtarja e KLGJ, Fatmira Luli, ka qenë gjyqtare në proceset politike, gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Bashkëshorti i saj, prokurori Kujtim Luli, para viteve ’90, ka qenë hetues dhe në të njëjtën zyrë me Fatmir Xhafaj, eksponent i rëndësishëm socialist dhe “i vetë-konsideruar” si “babai i Reformën në Drejtësi”
Erjon Muharremaj, anëtar i KLGJ, është person i angazhuar politikisht pranë Partisë Socialiste. Ai është zgjedhur në këtë organ si përfaqësues nga fusha akademike, si pedagog i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë. Pak kohë më parë, media ka publikuar mesazhe elektronike që ai i drejtonte studentëve të Fakultetit të Drejtësisë për t’u angazhuar me artikuj tek revista politike e Fondacionit “Qemal Stafa”, të Partisë Socialiste.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), strukturë e përkohshme që ka përgjegjësi për përzgjedhjen e kandidaturave për në Gjykatën Kushtetutese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, drejtohet nga gjyqtari Ardian Dvorani, lidhje e fuqishme e Partisë Socialiste në sistemin gjyqësor shqiptar.
Anëtare e KED është gjithashtu edhe Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e cila, siç u citua më lart, është zgjedhur vetëm me 69 votat e Partisë Socialiste.
Kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni më i rëndësishëm për kontrollin profesional të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Aplikantët për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë verifikohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Aktualisht është hapur gara për Inspektorin e Drejtësisë dhe kanë kandiduar 12 anëtarë, një pjesë e të cilëve me lidhje të forta me Partinë Socialiste.
Artur Metani është një prej kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Ai është aktualisht Avokat i Shtetit. Ka qenë Drejtor në Kabinetin e Edi Ramës gjatë mandatit të parë të tij (2013-2017). Metani është njëkohësisht vëllai i Eglantina Gjermeni, eksponente e lartë e Partisë Socialiste, ministre në mandatin e parë të Edi Ramës.
Elira Kokona është një tjetër kandidate për postin e Kryeinspektorit të Drejtësisë. Kokona është Drejtore e Legjislacionit në Këshillin e Ministrave. Ajo ka qenë edhe Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës në mandatin e parë qeverisës të Edi Ramës.
Genc Gjonçaj, kandidat për Kryeinspektor të Drejtësisë, është Sekretar i Përgjithshëm i Parlamentit, nën varësinë e Gramoz Ruçit. Gjonçaj ka qenë përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e më pas Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, në kohën që institucioni drejtohej nga Saimir Tahiri, aktualisht në gjykim për bashkëpunimin kriminal me Habilajt.
Klodian Rado, kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, njihet si person me lidhje të forta në Partinë Socialiste.