Skandali/ ONM: Gent Ibrahimi nuk duhet të jetë në KLP

Nga Boldnews.al

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka qenë kundër emërimit të Gent Ibrahimit si anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ibrahimi, i cili aktualisht është kryetar i Këshillit që është përgjegjës për karrierën e prokurorëve, nuk plotëson kushtet për të qenë në atë detyrë.

Ky fakt, i cili gjendet në dokumentat e administratës së Kuvendit, është paraqitur në një takim që ish-deputetët Oerd Bylykbashi e Aldo Bumçi nga Partia Demokratike dhe Silva Caka, Klajda Gjosha nga Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë zhvilluar paraditen e sotme Genoveva Luiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Europian, njëkohësisht mbikqyrëse e aktivitetit të Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në Tiranë.

Në dokumentin që ONM i ka dorëzuar Kuvendit gjatë shqyrtimit të kandidaturave për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, vëzhguesit ndërkombtarë kanë konstatuar se aplikanti Gent Ibrahimi nuk plotëson kriteret formale për të qenë pjesë e këtij institucioni shumë të rëndësishëm, të krijuar nga Reforma në Drejtësi.

Sipas ONM, kandidati Gent Ibrahimi, nga radhët e pedagogëve për KLP, nuk përmbush kriteret e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 2 të nenit 134 të ligjit nr. 115/2016, ku citohet se : “ c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë ose pedagogë të brendshëm ose pedagogë të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës”.

Pra, vëzhguesit ndërkombëtar kanë konstatuar se aplikanti Ibrahimi duhet të skualifikohej nga kandidimi. Por ky vlerësim i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk është marrë në konsideratë nga Kuvendi i Shqipërisë. Shumica parlamentare votoi që z. Ibrahimi të jetë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

LEXO EDHE  Banka e Shqipërisë, e pashqetësuar për oligarkun e Putinit në “OTP Bank Albania”

Pas konstituimit të këtij institucioni, Ibrahimi u zgjodh edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Rasti problematik i Gent Ibrahimit pason ato të dy anëtarëve të tjerë të KLP, Bujar Sheshi dhe Nurihan Seiti.

Anëtari i KLP, Bujar Sheshi, i cili vjen nga radhët e prokurorëve të Apelit, rezulton si “bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit”. Një dokument i Autoritetit të Dosjeve, publikuar fillimisht në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al” tregonte për lidhjet e Bujar Sheshit me strukturat e Shërbimit Sekret në kohën e diktaturës.

Ligji për organizimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ndalon të jenë anëtarë të tij bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Por, pavarësisht këtij ndalimi, prokurori Sheshi vijon të jetë në detyrë.

Po ashtu, në bazë të disa dokumentave të publikuara nga “Boldnews.al” rezulton se një tjetër anëtare e KLP, Nurihan Seiti, e cila vjen nga radhët e avokatisë, ka qenë prokurore në procese gjyqësore politike në periudhën e komunizmit.

“BN” ka publikuar disa vendime, ku Nurihan Seiti, në detyrën e prokurores në periudhën e komunizmit, ka hetuar dhe kërkuar dënime të rënda për disa shtetas, të akuzuar për “krime politike”, ‘agjitacion e propagandë” dhe “tradhëti të lartë ndaj Atdheut në formën e arratisjes”.

SKANDALI/ ONM: GENT IBRAHIMI NUK DUHET TË JETË NË KLP

SKANDALI/ ONM: GENT IBRAHIMI NUK DUHET TË JETË NË KLP

Gepostet von Boldnews.al am Samstag, 6. April 2019

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here