Ligji “Për shtypin” dhe ligji “Për mediat audiovizive dhe elektronike në Republikën e Shqipërisë”

Nga Ledio BRAHO

Ashtu siç duken edhe nga vetë titujt, të dy dy këto ligje rregullojnë zbatimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri, më konkretisht i pari e derregullon ndërkohë që i dyti tenton ta rregullojë deri në detaj. Debati që lind dhe që është me vlerë për opinionin publik është ai që i jep përgjigje pyetjes se a e cënon lirinë e shprehjes rregullimi i tepruar i saj?
Themelet e lirisë së shprehjes në vend gjenden të parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Kushtetutë, akte këto që janë në krye të hierarkiës së burimeve të së drejtës në Shqipëri.

Neni 10 i KEDNJj i parashikon se “1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të kërkojnë liçencimin e ndërmarrjeve të transmetimit kinematografike ose televizive. 2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”

Neni 22 i Kushtetutës parashikon se “1. Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. 4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.”

Ajo që të bën përshtypje në zhvillimin e legjislacionit për lirinë e shprehjes në vend është fakti që nëse ligji “Për shtypin” sot ka në përmbajtjen e tij vetëm një pikë që parashikon se “Shtypi është i lirë. Liria e shtypit mbrohet me ligj”, ligji tjetër që aktualisht nuk përfshin mediat elektronike (ose portalet online siç njihen në gjuhën e përditshme) ka një rregullim më shumë se të detajuar dhe me propozimet e fundit që ndryshe njihen si pjesë e paketës “antishpifje” po tentohet të bëhet një rregullim i tillë procedural që do detyrojë çdo faqe online që të ketë persona përgjegjës për të trajtuar ankesa të përdoruesve online.
E gjithë problematika lind në praktikë, pasi nga vetëm një analizë e përciptë del qartë se projektligji synon që t’i trajtojë në të njëjtën mënyrë procedurat e ankesave si në rastet e mediave audiovizive ashtu edhe për faqet online, por realiteti është që nëse të parat kanë stafe me qindra persona, të dytat shpeshherë kanë në përbërjen e tyre një grup shumë të vogël njerëzish, çka rregullime të tilla do i çontë drejt shpërbërjes.

Ajo çka e bën edhe me tragjikomike situatën është fakti se sot, pranë Autoritetitt të Mediave Audiovizive, ekziston një Këshill Ankesash që në kompetencë të tij ka shqyrtimin e ankesave dhe ndër të tjera mund të dalë në rezultate vlerësuese nëse ankesa është abuzive dhe e pabazuar, apo e bërë në keqbesim apo e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe nuk ka të bëjë me rregullimin e ndonjë lajmi me karakter fakti apo informacioni.

Pikërisht në lidhje me këto raste, jo vetëm jurisprudenca shqiptare, por edhe ajo e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ka një debat të madh në lidhje me trajtimin e asaj çka kuptohet me fakt dhe asaj çka kuptohet me opinion. Sado që teoria është e konsoliduar tashmë në lidhje me përkufizimin se ndërsa opinionet janë pikëpamje ose vlerësime personale të një ngjarjeje ose situate dhe nuk janë të perceptueshme si prova për të qenë të vërteta ose të pavërteta, faktet mbi të cilat bazohen opinionet, janë të mundshme për t’u provuar si të vërteta apo të pavërteta, për çdo rast, ato duhet të veçohen me kujdes. Në këtë kuptim, ekzistenca e fakteve mund të provohet, ndërkaq që vlerësimet/opinionet nuk mund të provohen. Pyetja që lind në këtë rast është se si është e mundur që një Këshill Ankesash pranë AMA-s t’i japë zgjidhje mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe dinjitetin e njeriut kur për mosmarrëveshje të tilla vetë GjEDNj ende sot e pasuron jurisprudencën e saj me interpretime të reja?!

LEXO EDHE  Gazetari ia thot në sy Bushatit: Latë kokrrën e namit me zgjedhjet e 30 qershorit

Si doktrina ashtu edhe jurisprudenca europiane e konsiderojnë lirinë e shprehjes si një nga shtyllat e shoqërisë demokratike, bazë per zhvillimin e saj dhe kusht për vetërealizimin e individit, liria e shprehjes nuk mund të përfshijë vetëm informacionet dhe opinionet e perceptuara pozitivisht, ose të konsideruara si të padëmshme, apo indiferente, por edhe të tilla që fyejnë, turbullojnë, apo që janë shqetësim për shtetin ose për një grup të caktuar të shoqërise. Të tilla janë kriteret e pluralizmit, të tolerancës dhe të hapjes, pa të cilat një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë.

Duhet të kuptojmë që asnjera nga te drejtat, as ajo per respektimin e nderit dhe dinjitetit dhe as ajo per t’u shprehur (liria e shprehjes), nuk duhet te kene formalisht prioritet ndaj njera tjetres, pasi si KEDNj, ashtu edhe Kushtetuta e Shqiperise, dinjitetit të njeriut dhe të drejtave dhe lirive të tij i japin mbrojtje të njejte. Por, rast pas rasti, duhet analizuar duke i vendosur në balancë, se cila prej këtyre vlerave është më e rëndësishme në situatën konkrete, deri në atë masë sa megjithëse nëpërmjet deklarimeve mund të cënohet nderi i personit tjetër, në qoftë se ajo bëhet për të mbrojtur një interes të parashikuar nga neni 10 paragrafi i dytë të Konventës, atëhere autori do të përjashtohet nga përgjegjësia për efekt të vlerësimit të një veprimi, si veprim i paligjshëm ose jo.

Intepretimi që i bëhet këtyre të drejtave të çon vetëm në një përfundim, që një debat i tillë mbi lirinë e shprehjes dhe respektimin e nderit dhe të dinjitetit të njëriut është një debat ligjor e filozofik që pasurohet dita ditës me zhvillimin e teknologjisë së përhapjes së informacionit dhe ulja e nivelit të këtij debati në nivel Këshilli Ankesash apo inspektorë të AMA-s do të sillte vetëm përkeqësim në garantimin e lirisë së shprehjes në vend, aq më tepër kur vetë projektligji parashikon se dënimi plotësues (përveç atij me gjoba të majme) për çdo faqet online do të jetë pezullimi/bllokimi i aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brënda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se pesë kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
Në të gjithë këtë iniciativë ligjore, që duket si thellësisht teknike kur në fakt është parimore dhe kushtetuese, nuk duhet lënë pa theksuar se iniciator është kryeministri i vendit, që përveçse dukshëm kontrollon median tradicionale është edhe pronar i një mediaje online (ERTV – e vetmja me një status abstrakt që nuk ka personalitet juridik) që së fundmi shkeli çdo parim të garantimit të nderit dhe dinjitetit të njeriut duke identifikuar prindërit e një të miture, subjekt pasiv i një përdhunimi.

Shqipëria nuk ka nevojë për një ligj që të rregullojë median elektronike dhe të cënojë lirinë e shprehjes, Shqipëria ka nevojë që njësoj si shtypi edhe media elektronike të jetë e lirë dhe kjo liri të mbrohet me ligj.