Nga Boldnews.al
Për rreth 40 minuta, ku në rreth gjysëm ore foli kundër Partisë Demokratike, kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi mesditën e së Martës takim me një “përfaqësi” të protestuesve të Unazës së Re, të cilët kanë mbi 20 ditë që kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve të tyre, në kuadër të projektit të Unazës së Madhe.
Takimi u luajt, në pjesën më të madhe me një portë, ku “Lali Eri” propopandoi para një grupi “pa emër” mbi të mirat e projektit dhe përse është pozitive që Bashkia që drejton t’u shkatërrojë protestuesve investimet e tyre shumëvjeçare.
Duke qenë se, më në fund, Erion Veliaj pranoi të zhvillonte një takim publik me protestuesit, pavarësisht se ata që vijojnë të bllokojnë rrugën te Unaza e Re deklaruan se të pranishmit në takim nuk janë përfaqësues të tyre, gjithësesi ia vlen të bëhet një skaner mbi atë ç’ka solli bashkëbisedimi.
Së pari, dhe më e rëndësishmja, kryebashkiaku ua bëri të qartë të pranishmëve në takim se ai nuk do të tërhiqet nga plani për shkatërrimin e ndërtimeve në zonën e Unazës së Re. Përtej fjalëve të mbushura me propagandë, Veliaj ua bëri të qartë banorëve se projekti do të zbatohet siç është parashikuar. Këtë bindje, ai e shoqëroi me shprehjen: “Më thoni një rast kur shteti ka dashur të bëjë diçka dhe nuk e ka bërë…? pyeti ai në mënyrë retorike, duke dëshmuar sërish arrogancën e pushtetit.
Së dyti, Veliaj përsëriti “zgjidhjet” për banorët që do u prishen ndërtesat, të njëjtat që ka përmendur edhe më parë në kronikat e gatshme televizive dhe që nuk kanë bindur banorët protestues. Ai ri-deklaroi se banorët që kanë pronësinë e ndërtesave do të dëmshpërblehen me çmimet shtetërore, pra, jo me vlerat e tregut siç kërkojnë protestuesit. Veliaj deklaroi se ata që nuk i kanë legalizuar banesat, do të trajtohen, një pjesë me bonus qeraje për 3 vjet dhe një pjesë me shtëpi sociale.
Së treti, duke këmëngulur tek “roli social” i Bashkisë, Veliaj u përmendi banorëve në takim se institucioni që ai drejton sapo kishte marrë rreth 50 set-e hidrosanitaresh, të cilat do u shpërndahen banorëve që do t’u shkatërrohen shtëpitë. Ky deklarim shkaktoi reagimin e grupit të heshtur të banorëve në takim. Një prej tyre kërkoi nga Erion Veliaj që të mos trajtohen si “gjynahqarë”, pasi janë njerëz që kanë punuar dhe ndërtuar shtëpinë e tyre me djersën e ballit dhe nuk ua ka falur askush.
Së katërti, Veliaj u mundua të shpjegonte se nuk kishte pasur për qëllim që të ofendonte me termin “shpellarë” protestuesit. Sipas “Lalit”, ky term u shkonte përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët sillen sikur u intereson halli i banorëve, por që në të vërtetë qëllimin e kanë tek kredoja politike.
Së pesti, Lali Eri aplikoi sërish strategjinë e përçarjes. Në krah të tij në këtë takim ishte një banor i Unazës së Re, i cili, vetëm një ditë më parë kishte takuar personalisht Erion Veliajn, por që në takim ishte gati të “zinte be” për “çiltërsinë” e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Këtij skenari iu kundërvu një tjetër i pranishëm, familjar i Aleks Nikës, mbetur i vdekur pas përplasjes së 21 Janarit 2011. Ky banor i Unazës së Re u tregua i drejtëpërdrejtë, kur iu drejtuar Veliajt se “..edhe me gjakun e Aleks Nikës, ju sot jeni në pushtet”.
Në përfundim të takimit 40-minutësh, Erion Veliaj, përkundër kërkesave të protestuesve, mbajti të njëjtin qëndrim se godinat e tyre në Unazën e Re do të prishen nga fadromat e Bashkisë dhe të Inspektoratit Ndërtimor.Ai doli nga salla me buzëqeshjen e shtirur, duke lënë banorët e Unazës së Re sërish në hallin e tyre.