Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në studion e ‘News 24’ deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama në Pejë, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Lubonja tha se Rama punon gjithë kohën kundër shqiptarëve dhe tani flet për Shqipërinë e madhe.
“Një kërcënim që i bëhet Europës, është një deklaratë shqetësuese po bën pjesë në atë që unë e quaj si streha e fundit e horrave. Sa herë kanë problemet me shqiptarët për shqiptarët fusin këtë idenë e Shqipërisë abstrakte. Meqë këta punojnë tërë kohës kundër shqiptarëve, flasim për Shqipërinë e madhe. Problemi që është këtu sot, por dhe në Kosovë, është se shqiptarët po ikin për shkak të këtyre. Ku bashkohen këto dy pika? Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë këta, as serbët as grekët. Po të mos ishte sot Europa, kufiri i Serbisë mund të ishte deri në Kukës. Ky i thotë Europës tani, nëse ju nuk na pranoni, ne bashkohemi vetë. Këto janë kërcënime që hapin probleme më shumë,” tha Lubonja.
Lubonja i lidhi këto deklarata edhe me situatën e tensionuar në Tiranë, veçanërisht në Unazën e Re.
“Po pa dyshim është një stresë për këto që po bën këtu. Tani duke dalë me këto gjëra, shpenzojnë dhe paranë tonë publike dhe shkatërrojnë shtëpitë e shqiptarëve, dhe tërheqin vëmendjen. Pronat nuk duhen shembur pa u kompesuar,” u shpreh ai.
Sipas Lubonjës, çelja e negociatave është e rëndësishme vetëm për propagandën e Ramës, pasi situata në Shqipëri nuk ka ndryshuar për mirë.
“Celja e negociatave është e rëndësishme vetëm për propagandën e Ramës. Gjasme për punën e tij. Por se ça po bën ai, e dimë ne nuk e dinë europianët. Por nuk varet vetëm nga ne, por varet dhe nga situata në Europë, duke qenë se janë zgjedhjet. Por mirë pyetja tjetër është a e ke bërë gati ushtrinë ti? Çfarë ushtrie ke ti nëse plas lufta? Më shumë këtu kemi të bëjmë me mungesë koherence që shihet më shumë te Rama,” tha Lubonja.
Analisti foli edhe për bashkimin ekonomik Shqipëri-Kosovë: “Këtu nuk vjen njeri të investojë sepse janë taksidarët e Ramës dhe të gjitha format e korrupsionit. Shkojnë në Maqedoni dhe nuk vijnë këtu. Për këtë duhet të punojnë këta dhe pastaj të mendojnë për heqje kufijsh. Mendoj që këto janë delintatizma që fshehin një paaftësi të madhe të mosnjohjeve të ndërtimit të një ekonomie të shëndosh, si dhe protagonizmin në emër të pushtetit dhe të parasë.”