Nga Boldnews.al
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është nën hetim për bashkëpunimin me narko-trafikantët Habilaj u rikthye në qendër të vëmendjes në fillim të javës, ku dorëzoi në Prokurorinë për Krime të Rënda një “provë deçizive”-vendimin e pushimit të hetimeve të Prokurorisë së Katanias, nisur ndaj tij.
Me këtë “provë” Tahiri, në të drejtën e tij për vetëmbrojtje, pretendon që të nxisë prokurorinë shqiptare për të pushuar hetimet e nisura ndaj tij për veprat penale të “trafikut të narkotikëve në bashkëpunim” dhe “korrupsionit të zyrtarëve të lartë”.
Por, përtej dëshirës së tij, normale për situatën në të cilën ndodhet, ai nuk është në situatë të favorshme përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda, nëse Arta Markut dhe Donika Prela do i lejojnë vijimin me seriozitet të hetimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Saimir Tahiri, në një konferencë për median në 17 Tetor 2017, një ditë pasi emri i tij u publikua si pjesë e përgjimeve të Habilajve, mohoi që kishte lidhje me “kushërinjtë e tij të 10-të”, siç i cilësoi ai Moisi, Artan dhe Florian Habilajt. Në fakt, e vërteta qëndron shumë më ndryshe nga sa deklaroi Tahiri para një viti.
Në konferencën për media, ish-ministri i Brendshëm deklaroi në atë kohë:
“…Ndjej përgjegjësi morale për veprimet e kujtdo, qoftë edhe të ca kushurinjve të mi të 10-të, të cilëve kam bërë gabimin e madh e të vetëm që gati 4 vjet më parë u kam shitur makinën time personale…”
Duke iu referuar sërish Habilajve, Tahiri vijoi: “…Përtej kësaj, unë nuk kam patur e kam asnjë raport të çfarëdoshëm, aq më pak ndonjë raport të jashtëligjshëm, ndaj nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë për çdo aktivitet kriminal të kujtdo, qofshin edhe këta kushurinjtë e mi të 10, që as kanë hezituar të përdorin emrin tim dhe që shpresoj që drejtësia t’i hetojë dhe dënojë siç i takon atyre e këdo tjetër që shkel ligjin…”
Në fund të asaj konference, Saimir Tahiri deklaroi se: “Do pres deri në fund të çdo hetimi apo verifikimi dhe nuk do të rri duarkryq, por do të luftojë vetë që çdo e vërtetë të zbardhet deri në fund, e drejtësia të thotë fjalën e saj”.
Këto “përbetime” të Tahirit, në fakt u rrëzuan nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda. Hetimet provuan se “faji i vetëm” i Tahirit nuk ishte thjeshtë fakti që ai u kishte shitur para 4 vjetëve makinën e tij Habilajve dhe aty kishte përfunduar raporti me “kushërinjtë e tij të 10-të”.
Hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda provuan se Saimir Tahiri, pasi u ka shitur Habilajve automjetin e tij Audi AA 003 GB, në vitin 2013, e ka përdorur këtë automjet edhe herë të tjera. Siç rezulton e provuar, Tahiri ka udhëtuar me Audi-n që u kishte “shitur” kushërinjve të tij Habilaj, të paktën rreth 8 muaj pasi ka dorëzuar pronësinë e automjetit, në Gusht 2014, kohë kur udhëtoi për pushime në Greqi. Në atë kohë, Habilajt ishin nën hetim nga Prokuroria e Katanias për trafik narkotikësh.
Gjithashtu, Tahiri në konferencën për media të vitit të kaluar, mohoi që të kishte raporte me Habilajt pas shitjes së automjetit. Edhe ky pretendim u rrëzua nga hetimet e Krimeve të Rënda. Duke iu referuar pushimeve të Gushtit 2014 në Greqi, rezulton se Saimir Tahiri ka pasur kontakte të vazhdueshme me Habilajt.
Nga hetimet ka rezultuar se Tahiri, në atë kohë, udhëtoi drejt Greqisë me tragetin e linjës Sarandë-Korfuz. Pak ditë më pas, në Greqi shkon Artan Habilaj, i cili udhëtonte me Audin AA 003 GB. Në kthim, Artan Habilaj kthehet me traget, duke ia lënë automjetin Audi Saimir Tahirit, i cili hyn në Shqipëri me këtë makinë.
Gjatë pushimeve në Greqi, një punonjës policie i ka dërguar Saimir Tahirit një mjet lundrues skaf, i cili nuk rezulton të jetë regjistruar në dalje. Pasi e ka përdorur disa ditë ish-ministri i Brendshëm, skafi kthehet në Sarandë nga i njëjti polic, sërish pa lënë gjurmë në sistemin TIMS.
Pasi skafi ankorohet në portin e Sarandës, ai merret nga Artan Habilaj, i cili e ankoron në Triport të Vlorës. Disa ditë më vonë, ky skaf udhëton drejt Italisë, i drejtuar nga Moisi Habilaj, i konsideruar si kreu i grupit që trafikonte narkotikë nga Shqipëria drejt fqinjit tonë perëndimor.
Dosja hetimore ndaj ministrit të Brendshëm ka edhe të tjera detaje, të cilat tregojnë një panoramë shumë më ndryshe nga ajo që pretendonte dhe vijon të pretendojë Saimir Tahiri, i cili së fundmi po mundohet të mbrohet me vendimin e pushimit të hetimeve nga Prokuroria e Katanias. Nga të gjithë të dhënat e siguruara deri më tani, dyshohet se Tahiri ka konsumuar veprat penale në Shqipëri dhe jo në Itali.