Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, përmes një urdhri të datës 20 korrik të këtij viti, u drejtohet oficerëve të Policisë Gjyqësore për të marrë informacion në lidhje me dosjet që ata kanë nën hetim, numrin e procedimit, emrin e të hetuarit dhe prokurorit që ka çështjen.
Ky urdhër, i firmosur nga titullarja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kërkonte që brenda asaj date të gjithë OPGJ-të të dorëzonin listat e çështjeve që kanë nën hetim dhe emrat e personave të hetuar. Urdhri i Donika Prelës bazohet në nenet 41 dhe 43 të ligjit “Për organizimin dhe koordinimin e punës në Prokurori” dhe të udhëzimit nr. 3 datë 29.12.2016 “Për shpërndarjen e çështjeve në Prokurori”, të Prokurorit të Përgjithshëm. Me këtë urdhër, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka shmangur prokurorët, duke kërkuar informacione nga OPGJ-të. Ajo, që në hyrje të urdhrit nr. 37 datë 20.07.2018, shkruan se informacioni kërkohet në kuadër të organizimit të çështjeve. Pra shkresa ka objekt “Për informacion mbi ngarkesën e punës nga Oficerët e Policisë Gjyqësore”. Gjithashtu, urdhri është cilësuar si urgjent dhe kërkohej që informacioni të dërgohej brenda ditës.
URDHRI
Në urdhrin e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda shkruhet ndër të tjera: “Unë Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në mbështetje të neneve 41 dhe 43 të ligjit Nr 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Udhëzimit nr. 2 datë 19.12.2016 “Për organizimin dhe koordinimin e punës në Prokurori”, të Prokurorit të Përgjithshëm, Udhëzimit nr.3, datë 29.12.2016 “Për shpërndarjen e çështjeve në Prokurori” të Prokurorit të Përgjithshëm, me qëllim përmirësimin e punës në secilin prej seksioneve, duke vlerësuar ngarkesën e secilit prokuror dhe oficer të Policisë Gjyqësore në secilin prej seksioneve dhe efikasitetin dhe shpejtësinë e cilësinë e ushtrimit të ndjekjes penale në këtë Prokurori urdhëroj:
1) Oficerët e Policisë Gjyqësore brenda orës 15:30 të ditës së sotme (datë 20.07- .2018) të depozitojnë te drejtuesi i Prokurorisë listën e procedimeve penale që kanë në ndjekje. Për çdo procedim penal të mbahen në konsideratë këto momente:
- a) numri i procedimit penal, data e regjistrimit të procedimit, vepra penale për të cilën po kryhen hetime, emri i personit nën hetim, me masë sigurimi ose jo;
- b) cili është prokurori që drejton hetimet, data e urdhrit të delegimit nga prokurori dhe mendimi për kohën e përfundimit të hetimeve nga oficeri i Policisë Gjyqësore”.