Ora 08.00, në Tiranë mëngjesi i sotëm ishte ndryshe, shtetrrethim kudo. Frika e një revolte masive kundër arrestimit dhe mbajtjes në burg të 23 banorëve të Kukësit që protestuan kundër taksës në Rrugën e Kombit, ka trembur kryeministrin, e më pas gjithë tarafin e tij politik. Për të shuar zemërimin popullor, nuk është menduar të ketë ndjesë publike apo kthesë në nismën e Ramës për rritje taksash apo dhënien e pasurisë së shqipërisë në një grup të vogël oligarkësh, por dhunë policore, e demonstrim force. Vendimi nga shefat ishte i prerë për më shumë se 1000 efektivë policie: “Të mos lejohet asnjë familjar, protestues apo person tjerë i interesuar në gjyqin për masën e sigurisë së 23 të arrestuarve”. Qindra efektivë të FNSH-së bllokuan çdo hyrje-dalje të zonës ku ndodhet Gjykata e Tiranës për të paktën gjashtë orë.
Ky terror nuk bëhej për jo më shumë se 100 familjarë e mbështetës të të ndaluarve të Kukësit, por një sinjal se pushteti do mbahet, qoftë edhe me dhunë. Çdo postbllok ka dhjetëra e në raste qindra efektivë policie dhe secila patrullë merr urdhra nga një komandant. Zakonisht janë përzgjedhur tipa të rëndë, që edhe gazetarët nuk lejojnë të futen. “Largohuni, nuk lejohet”-kur kërkon më shumë shpjegim të afrohen edhe të tjerë efektivë, të gatshëm të nisin atë që dinë të bejnë më mirë, dhunën. “Paralajmërimi fundit, largohu se do të të shoqërojnmë”-kjo shprehje është përdorur me minjëra herë sot nga efektivët e policisë.
Efekti qe i menjëhershëm, që çdo orë e më shumë protestuesit rrallohen. “Mbaje mend unë ose t’i sonte do jemi në polici, do na arrestojnë” thotë një i ri i cili për disa orë ishte ndër më aktivët dhe u bën thirrje protestuesve të brohorasin: “Rama ik, kriminel, diktator, plehrë”… Nuk pati të shoqëruar, por efektivë të veshur civil që filmonin çdo protestues, e çdo individ që shkonte në mbështetje të tyre. Herë pas herë nuk mungojnë as provokimet. Në të paktën katër raste burra të moshuar futen mes protestuesve dhe nisin debatin: “Ju dogjët vendin, doni PD-në ju, shkoni kërkojani Bashës lekët”.
Kaq mjafton të nxehen gjakrat, por situata shuhet shpejt, ku mes protestuesve ka mjaft qytetarë që bëjnë thirrje me megafon, ruani qetësinë nga provokimet. Pikërisht në këto momente policët janë aty pranë, por nuk ndërhyjnë në asnjë rast, madje me heshtjen nxisin ata që provokojnë. Nëse ndodhte konfronim mes qytetarëve arrihet edhe qëllimi pasi shpejt do hapej lajmi: “Protestuesit e Kukësit dhunojnë qytetarët e Tiranës”. Këtë kënaqësi qeveritare nuk ia ofruan Ramës. Ai ia doli për një ditë. Mbolli terrorin në kryeqytet, ndërsa në Kukës vijojnë të patrullojnë efektivë të RENEA-s dhe FNSH-së, për të shtuar edhe më shumë frikën.