Zyra e Prokurorit të Specializuar ka gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ish-drejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktakuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe vepra tjera të kryera deri në fund të vitit 2000. Insajderi ka mësuar se Azem Syla, Shukri Buja, Sokol Dobruna janë në mesin e të akuzuarve të parë.
Mbi 60 ish-drejtues dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të akuzohen nga Zyra e Prokurorit të specializuar në Hagë, shkruan Insajderi.
Aktakuza e parë pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla është njëri nga të parët që pritet të akuzohet dhe ekstradohet në Hagë. Mes drejtuesve të lartë të UÇK-së, të akuzuar do të jenë edhe Shukri Buja, Sokol Dobruna dhe Daut Haradinaj.
Nën hetime për krime të rënda janë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Thaçi, për rolin e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa Veseli për rolin e tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
Thaçi e Veseli nuk pritet të akuzohen në valën e parë.
“Numri i të dyshuarve për të cilët janë siguruar prova të mjaftueshme është mbi 60 persona”, ka thënë një burim i afërt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Azem Syla pritet fillimisht të akuzohet për rolin e tij si drejtues që në Kosovë njihet si ‘Bllaca 2’. Hetimet për këtë rast në Kosovë janë pezulluar. Rasti ka kaluar në Hagë”, ka thënë ky burim.
Për rastin Bllaca, janë të dënuar 7 persona të cilët kanë kryer vrasje dhe sulme mbi njerëz të identifikuar si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shukri Buja, dyshohet për rolin e tij në disa krime gjatë dhe pas luftës. Mes tyre është një sulm mbi një familje shqiptare në Godanc të Lipjanit.
Ndërkaq, Sokol Dobruna dyshohet se si drejtues i Gjykatës së UÇK-së nuk i ka parandaluar arrestimet dhe vrasjet pa gjyq të shumë personave.
Kurse Daut Haradinaj dyshohet për rolin e tij në një rast që njihet si Radoniqi. Aty besohet se shqiptarë, serbë dhe romë janë vrarë dhe hedhur në Liqenin e Radoniqit. Bëhet fjalë për 39 viktima.
Një person në Kosovë ishte dënuar dhe e ka vuajtur dënimin për këtë rast të vrasjes së një gruaje civile shqiptare. Vrasja dhe hedhja e trupit të saj në një kanal kishte rezultuar me zbulimin e 39 viktimave tjera.
Idriz Gashi, i njohur si Galani është dënuar më 14 vjet burg për krime të luftës. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e Sanije Balajt, më 12.08.1998 në pyllin e quajtur Lugu i Isufit në afërsi të fshatit Vranoc të Pejës nën dyshimin se e ndjera ishte bashkëpunëtore e serbëve.
Gashi kishte urdhëruar Avni Krasniqin dhe Idriz Balajn, që ta hidhnin trupin e Sanije Balajt në një kanal të Gllogjanit, në afërsi të 39 trupave tjerë, të cilët ishin gjetur në shtator të vitit 1998, dhe ishin identifikuar në maj të 2007-ës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke hetuar edhe krimet që kanë ndodhur pas luftës, deri në fund të vitit 2000. Gjatë kësaj periudhe besohet se janë vrarë mbi 500 njerëz, shqiptarë, serbë dhe pjesëtarë tjerë.
“Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur shumë krime. Prokuroria ka mandat dhe po i heton këto krime. Shumë njerëz janë vrarë e sulmuar. Ka ndodhur zhvendosje e popullsisë”, ka thënë një burim për Insajderin në kushte anonimiteti.
“Mes krimeve janë duke u hetuar edhe vrasjet e kundërshtarëve politikë”, ka thënë burimi.
Një burim tjetër ka thënë se Prokuroria ka gjetur prova për rastin e vrasjes së Ekrem Rexhës, i njohur si komandant “Drini”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mandat për hetimin e mbi 70 veprave penale në kuadër të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Prokuroria ka bazë ligjore për të hetuar dhe gjykuar krimet gjatë viteve 1998, 1999 dhe 2000. Lufta në Kosovë ka përfunduar zyrtarisht më 20 qershor 1999. Gjykata do të gjykojë krime që kanë ndodhur gjatë një viti e gjysmë pas luftës si vrasjet, dëbimin e pakicave, vrasjen e kundërshtarëve politikë, trafikimin.
Për disa vjet rresht pas luftës kanë ndodhur një seri vrasjesh të cilat, ndonëse të pazbardhura, janë cilësuar si vrasje me motive politike.
Xhemail Mustafa është njëri prej tyre.
Më 23 nëntor të vitit 2000 këshilltari për informim i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa, ishte vrarë në një atentat në hyrje të banesës së tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë derisa po kthehej nga puna. Por, kjo vrasje, si shumë të tjera të konsideruara si “vrasje politike”, nuk është zbardhur.
Hetimet në fillim i kishte udhëhequr Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i dhe më vonë ishte bartur tek EULEX-i.
Sipas versionit të parë të dhënë në atë kohë nga Policia e UNMIK-ut bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, Xhemail Mustafa ishte vrarë nga dy persona në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania, teksa kthehej nga puna.
Në projektligjin për Gjykatën Speciale, brenda kapitullit të krimeve kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare janë ato vepra që kryhen si pjesë e ndonjë sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër popullatës civile. Aty hyjnë vrasja, shfarosja, skllavërimi, dëbimi, burgosja, tortura, përdhunimi seksual, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia e detyruar, përndjekja mbi baza politike, racore, etnike ose fetare, zhdukja e detyruar e personave dhe veprimet e tjera çnjerëzore dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale.
Në kuadër të kapitullit të krimeve të luftës janë sanksionuar vrasja e qëllimshme, tortura apo trajtimin çnjerëzor, përfshirë eksperimentet biologjike; shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve të renda, apo lëndimeve të renda të trupit; shkatërrimin masiv dhe marrjen e pronës, të paarsyetuara me domosdoshmëri; detyrimi i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të mbrojtur; privimi i qëllimshëm i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të dëbimit apo transferimin e paligjshëm apo izolimin e paligjshëm dhe marrjen e pengjeve; shkatërrimin masiv dhe marrjen e pronës së paarsyetuar me domosdoshmëri etj.
Vepra tjera të sanksionuara janë privimi i qëllimshëm i të burgosurve të luftës apo të personave tjerë të mbrojtur nga e drejta për proces gjyqësor të drejtë dhe të rregullt, dëbimin apo transferimin e paligjshëm apo izolimin e paligjshëm dhe marrjen e pengjeve.
Aty përmenden sulmet kundër objekteve, dëbim i civilëve, dëmtim të pronave të tyre, dëmtime të objekteve fetare, e vepra tjera. Në Ligj sanksionohen edhe veprat penale të trafikimit dhe heqjes së organeve.
Në korrik të vitit 2014 drejtues të Task Forcës Hetimore Speciale (SITF) patën bërë të ditur se kanë gjetur prova bindëse për të ngritur aktakuza ndaj disa drejtuesve të lartë të UÇK-së, pas një pune hetimore të bazuar në dyshimet e ngritura nga një raport i Këshillit të Evropës, të vitit 2011.
Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është përgjigjur asnjëherë për raste të veçanta të hetimeve e as për emrat e të të akuzuarve.
Gjykata vlerësohej se ishte themeluar vetëm për shqiptarët. Megjithatë, dy vjet më parë Kuvendi i Kosovës bëri ndryshime kushtetuese dhe miratoi Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Por, të premten një grup prej 43 deputetësh iniciuan ndryshimin e Ligjit, pas mbledhjes së nënshkrimeve nga OLV e UÇK-së. Iniciativa dështoi pasi Kryesia e Kuvendit nuk pati kuorum për ta proceduar ligjin në Kuvend.
Të shtunën Insajderi raportoi se gjithçka ishte ideuar nga Thaçi. Ai kishte provuar që ta ndryshojë Ligjin me anë të Kuvendit për të negociuar me ndërkombëtarët arrestimin e tij.
Presidenti i vendit kishte hartuar një plan të detajuar për ta shpëtuar veten nga aktakuza. Ai ka dashur që Kuvendi ta ndryshojë ligjin, por në fund të mos e nënshkruajë atë. Gjatë afatit prej tetë ditësh që ka për nënshkrimin e Ligjit, ka planifikuar të negociojë me ndërkombëtarët dhe të marrë garanci se nuk do të akuzohet në mënyrë që të mos e nënshkruajë Ligjin. Ky plan ka dështuar kur përfaqësues të Nismës për Kosovën kishin kërkuar që hyrja në fuqi e Ligjit të ndodh në momentin e miratimit në Kuvend e jo në momentin e nënshkrimit nga presidenti.
Kundër kësaj iniciative reaguan ndërkombëtarët.
Fillimisht ambasadorit amerikan Greg Delaëie, reagoi përmes Tëitter se nëse anulohet Gjykata Speciale mund të rrezikohet e ardhmja e Kosovës. Pastaj reagoi edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë duke paralajmëruar se ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të ketë pasoja negative për Kosovën.
Kurse Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, tha se votimi për të shfuqizuar Ligjin mbi Gjykatën Speciale do të ishte një tradhti e këtij angazhimi dhe do të vënte në pikëpyetje nëse Kosova beson në drejtësi.
“Por, është matës pjekuria e një shteti për mënyrën se si i zgjidh akuzat më të rënda ndaj qytetarëve të saj. Dy vjet më parë, Kosova dha fjalën e saj se do të përballej me ndonjë akuzë dhe i tregoi botës se ajo besonte në drejtësi e jo në mosndëshkimin”, ka thënë O’Connell. /Insajderi.com