• Kontakt
Saturday, May 10, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi BOLD BLOG

700 vjet më parë / Qyteti i Durrësit me kushtetutë

19:50 : 17/12/2017
në BOLD BLOG

Lexo edhe:

Letra e Nënë Terezës shkruar në gjuhën shqipe

Sabit Brokaj: Ju rrëfej dy ditët e fundit të Enver Hoxhës, si ia rikthyem zemrën në punë

Banorët ndaheshin në tri kategori: banorë vendës, që kishin statusin e qytetarit (civis); të huaj, që banonin në Durrës (habitator) dhe të tjerë, që qëndronin për një kohë të shkurtër (marans)

·Qyteti kishte ngritur “un fiorente Collegio” – një universitet të lulëzuar dhe profesorë të këtij universiteti jepnin, herë pas here, mësime në universitetet e Padovës dhe të Bolonjës

·Kronistët turq shkruajnë për një “Kostandinopol të dytë, me mure të larta që kishin për shok qiellin”.

·Organi më i lartë i qytetit ishte këshilli bashkiak. Ai miratonte ligje të reja (të kushtëzuara nga rrethanat politike dhe ekonomike), të cilat hartoheshin nga specialistë të njohur dhe me kulturë të qytetit

·Antikorrupsioni: Anëtarët e këshillit bashkiak e kishin të ndaluar të bënin bukë (ose të ngarkonin të tjerë që ta bënin), as të bënin shoqëri me bukëpjekës (burra ose femra), të shoqëroheshin me kasapë, kafexhinj, sa kohë që ishin në detyrë, përndryshe do të gjobiteshin

·Mbledhja e këshillit bashkiak ishte një ngjarje e rëndësishme dhe qyteti, në këtë kohë, merrte pamje festive dhe “si në epokat e vjetra” dhe pas “rregullave tradicionale” për një kohë të caktuar, “ushtonte tingulli i trumbetave”

·Në statut theksohej “për të drejtat juridike” dhe “për të drejtat njerëzore”, siç është rasti i hamejve të limanit të Durrësit, që, në prag të pushtimit turk, kishin mbetur pa punë dhe “e drejta njerëzore kërkonte që hamejtë të paguheshin për të mbajtur gjallë familjet e tyre” (në një farë asistence sociale)

Nga Hasan Ulqini**

Durrës, 14 maj 2014 – Në një pozicion gjeografik të favorshëm (si pika më e afërt me Perëndimin), qyteti i Durrësit, megjithëse i përkiste Perandorisë Bizantine, ruajti dhe forcoi një autonomi të veçantë, saqë, në kronikat e kohës, flitet për dy kryeqytete: Kostandinopolin dhe Durrësin. Ky favor kishte nisur që nga koha e sundimit të perandorit Anastas, me origjinë nga Durrësi dhe ishte forcuar me kalimin e shekujve.

Edhe më vonë, më 29 shkurt 1272, kur Karli Anzhu, i nxitur nga Papa, hodhi vështrimin drejt Lindjes, duke shpallur formimin e mbretërisë së Arbërisë (Regnum Albaniae), Durrësi u bë kryeqyteti i kësaj mbretërie, që kishte njëkohësisht, autonominë e tij të veçantë. Princi shqiptar Karl Topia (1368) e çoi edhe më përpara këtë autonomi (duke i dhënë tiparet e një qyteti-shtet, në juridiksionin e të cilit ishin viset bregdetare), ndërsa veten e kishte shpallur “Zot të Arbërisë” (Dominus Albaniae).

Në dokumente të ndryshme të kohës flitet edhe për Statutet e qytetit, origjinalet e të cilëve ruheshin në një manastir françeskan. Vetë qyteti kishte ngritur “un fiorente Collegio” – një universitet të lulëzuar dhe profesorë të këtij universiteti jepnin, herë pas here, mësime në universitetet e Padovës dhe të Bolonjës.

Kur qyteti ra në duart e venedikasve (1392), vazhdoi të ruhej kjo autonomi dhe, nuk është e rastit, që kronistët turq, në kohën e sulmeve të ashpra për ta pushtuar këtë qytet, shkruajnë për një “Kostandinopol të dytë, me mure të larta që kishin për shok qiellin”.

2.

Kjo autonomi i dha qytetit të Durrësit, gjatë gjithë mesjetës, fizionominë e një qyteti-shtet, të ngjashëm me të gjitha qytetet e tjera përtej Adriatikut. Qyteti, më shumë se nga ligjet e huaja, në të gjithë veprimtarinë e vet, u udhëhoq nga ligjet e veta, të cilat nga mënyra e hartimit të tyre, afronin me statutet e qyteteve-shtete të Italisë (djepi i Rilindjes Evropiane), si Firence, Milano, Amalfi, Venediku, Ankona, ku në një mënyrë domethënëse vihen re dhe shumë elemente të rëndësishme të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, të cilat ishin të pranuara me anë të ligjeve (natyrisht të shkruara në gjuhët e kulturës së kohës: latinisht dhe greqisht).

Ligji themelor i qytetit, që udhëhiqte gjithë jetën ekonomike, kulturore dhe politike ishte Statuti (njëfarë kushtetute e kohës), i detyruar për t’u zbatuar nga të gjithë qytetarët. Ky fakt është, tashmë, i pranuar nga të gjithë studiuesit e mesjetës. Ajo që i ndan në dy grupe, është fakti i zbulimit të rrënjëve të origjinës së tyre. Një grup mendon që origjina e statuteve të Durrësit futet thellë në histori dhe se nuk është tjetër veçse një vazhdim (natyrisht i përpunuar në kohë) i ligjeve të antikitetit. Ndërsa grupi tjetër i sheh rrënjët e tij në fillimet e shekullit të dymbëdhjetë, si rrjedhim i shtimit të kontakteve të drejtpërdrejta (në mënyrë të veçantë të tregtisë) me Perëndimin, ku krahas statutit të qytetit, si rezultat i krijimit të vëllazërive (confraternitas) të tregtarëve, piktorëve, kopjuesve të librave, që gjendeshin me shumicë rreth Katedrales së qytetit, gurgdhendësve, lëkurëpunuesve, ndërtuesve të anijeve, peshkatarëve, detarëve etj., lindin dhe Statutet (ligjet) e veçanta për çdo vëllazëri, duke e plotësuar në mënyrë të harmonishme, me ligjet e veta, gjithë jetën e qytetit në tërë mozaikun e vet.

3.

Sipas statutit të qytetit, banorët e Durrësit ndaheshin në tri kategori: banorë vendës, që kishin statusin e qytetarit (civis), të huaj, që banonin në Durrës (habitator) dhe të tjerë, që qëndronin për një kohë të shkurtër (marans).

Organi më i lartë i qytetit ishte këshilli bashkiak. Ai miratonte ligje të reja (të kushtëzuara nga rrethanat politike dhe ekonomike), të cilat hartoheshin nga specialistë të njohur dhe me kulturë të qytetit. Mbledhja e këshillit bashkiak ishte një ngjarje e rëndësishme dhe qyteti, në këtë kohë, merrte pamje festive dhe “si në epokat e vjetra” dhe pas “rregullave tradicionale” në kishën Katedrale të qytetit (një nga rezidencat e këshillit bashkiak) për një kohë të caktuar, “ushtonte tingulli i trumbetave”.

Për statutin e qytetit të Durrësit flasin shumë dokumentet venedikase. Ai përmendet që në vitin 1392 dhe, më vonë, në aktin e hartuar në kohën e Gjergj Topisë dhe se ky statut kishte 35 kapituj (që, megjithatë, përbënin vetëm një fragment), ku përfshiheshin dhe mënyra e organizimit dhe e lidhjes së marrëdhënieve me fuqitë e huaja. Por, në statut përfshiheshin edhe rregullat e ndryshme mbi pasurinë (shtëpi, vreshta, ullishte, ara, burime uji, etj.), rregullat e normativat për veprimtaritë e punës, rregullat për procedurat juridike, të jetës familjare (të drejtat dhe liritë e gruas), të drejtat e trashëgimisë, të marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve (ndërmjet të cilëve

ndaloheshin aktet e dhunës dhe sjelljet e pahijshme), raportet në mes së drejtës laike dhe kishtare. Në statut theksohej “për të drejtat juridike” dhe “për të drejtat njerëzore”, siç është rasti i hamejve të limanit të Durrësit, që, në prag të pushtimit turk, kishin mbetur pa punë dhe “e drejta njerëzore kërkonte që hamejtë të paguheshin për të mbajtur gjallë familjet e tyre” (në një farë asistence sociale – 1498).

Statuti mbyllej me kapitujt e dhunës publike, mosdrejtësinë, falsifikimin, grindjet, vrasjet. Të bën përshtypje që çdo fillim kapitulli është i njëjtë dhe ka si lajtmotiv “respektin për lirinë personale të qytetarëve”.

4.

Këshilli bashkiak mblidhej rrallë dhe në momente të rëndësishme, ndërsa Kapiteni mund të merrte vetë një numër vendimesh. “Por, midis seancave të asamblesë nuk ishte më çdo gjë në dorë të Kapitenit”. Edhe sot e kësaj dite, ruhen në arkivin e Venedikut (po gjenden edhe në publikime të ndryshme) mjaft vendime, që të habisin me mënyrën se si analizoheshin e zgjidheshin mjaft probleme, duke ruajtur edhe sot e kësaj dite aktualitetin e tyre.

Anëtarët e këshillit bashkiak e “kishin të ndaluar të bënin bukë (ose të ngarkonin të tjerë që ta bënin), as të bënin shoqëri me bukëpjekës (burra ose femra), të shoqëroheshin me kasapë (nec cum macellaris), kafexhinj (nec cum tabernaris), sa kohë që ishin në detyrë, përndryshe do të gjobiteshin 111 perperë mbi pasurinë personale” (15 janar 1400).

5.

Me mjaft interes janë dhe statutet e organizimit të vëllazërive të qytetit. Anëtarët quheshin vëllezër dhe motra. Ata ishin të detyruar të zbatonin gjithë ligjet e statutit. Në krye të vëllazërisë ishte kryetari (gastaldo) dhe pastaj vinin nënkryetari (vicario), sekretari (scrivano), administratori (massaro) dhe këshilli i pleqve (degani). Në këto vëllazëri bënin pjesë, gjithashtu, grupi i muzikantëve (piffari), që jepnin shfaqje në raste solemne të vëllazërisë.

Edhe në këto statute, që krijoheshin në bazë të modelit të Statutit të qytetit, ndjehej ruajtja e dinjitetit njerëzor si dhe fryma e humanizmit. Mjeshtri ishte i detyruar ndaj shegertit që t’i hiqte shpenzimet, qoftë edhe kur të ishte i sëmurë dhe besnikërisht t’ia mësonte zanatin (et eum fideliter docere dictam artem) dhe t’i jepte atij të gjitha veglat e zanatit në fjalë, sipas zakonit të Durrësit (secundum consuetudinem Durachij).

Kështu që përfytyrimi ynë bëhet edhe më i qartë. Durrësi në mesjetë dhe në fillimet e Rilindjes evropiane ishte një qytet me ligje dhe me një organizim të përparuar qytetar, që ecte paralel me gjithë zhvillimin evropian të kohës. S’është i rastit fakti që në vitin 1210, despoti i Artës, Mihal Engjëll Komneni u premtonte gjithë tregtarëve të qytetit të Durrësit se do t’i mbronte dhe nuk do t’u merrte taksë dhe se do t’i lejonte të vepronin lirisht kudo që dëshironin. Ndërsa 64 vjet më vonë, Karli i parë Anzhu do të urdhëronte gjithë doganierët e mbretërisë së Sicilisë që të respektonin të gjitha privilegjet që u kishte caktuar tregtarëve të Durrësit, të cilët, dy vjet më parë (1272), të

tmerruar nga shkatërrimet që kishte bërë Stefan Dushani rreth Epidamnit “që edhe të vdekurit i kishte nxjerrë nga varret”, kishin shkuar në qytetin e Napolit (duke zgjedhur të keqen më të vogël) përfaqësues të Bujarisë së qytetit, të ndjekur dhe nga shumë bujarë të tjerë shqiptarë, për t’i dorëzuar Karlit të parë Anzhu “kurorën e Mbretërisë së Arbërisë”, duke pasur parasysh besnikërinë dhe devocionin që “kontët, baronët, kalorësit, qytetarët kishin treguar ndaj Kishës së Shenjë të Romës”. Në këto kohë kritike, qytetarët e Durrësit kishin ditur t’i zgjidhnin aleatët dhe manovronin me diplomaci.

* Titulli është i “Dyrrah”-ut

** Mësues, shkrimtar, gazetar i shquar durrsak, anëtar i Shoqatës së Historianëve të Mesdheut, shumë studime të të cilit janë botuar edhe në Itali

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Etiketa: bold-blog

Lajme të lidhura

BOLD BLOG

Letra e Nënë Terezës shkruar në gjuhën shqipe

16:14 : 08/01/2018
BOLD BLOG

Sabit Brokaj: Ju rrëfej dy ditët e fundit të Enver Hoxhës, si ia rikthyem zemrën në punë

19:06 : 06/01/2018
BOLD BLOG

Zbulohet dokumenti i rrallë/ Enver Hoxha në 1946: Të luftojmë me mish e shpirt

20:49 : 26/12/2017
BOLD BLOG

Gjendet nëndetësja e zhdukur, australianët e kërkonin prej 103 vjetësh

16:57 : 21/12/2017
BOLD BLOG

Prejardhja e emrit Shqiptar/ A e dinit se nga vjen emri jonë? Një krenari nga lashtësia

13:13 : 19/12/2017
BOLD BLOG

“New York Times” lëshon “bombën”: Mehmet Shehu u vra, kërkoi lidhje të ngushta me Perëndimin

21:03 : 18/12/2017
Para

Denoncimi/ ‘Eskobari’ i Shqipërisë emëronte policët në Sarandë dhe Delvinë

TË GJITHA

Durrës/ Shkrumbohet autobusi, shpëtojnë pasagjerët

18:13 : 10/05/2025

Shtruan asfalt elektoral, shpallen në kërkim administratorët e kompanisë “Vëllezërit Hysa”

17:45 : 10/05/2025

DOKUMENTET/ Kompania lobuese e PD i dërgoi dy letra Rubios për të pajisur me vizë Berishën

17:34 : 10/05/2025

Denoncimi i Bardhit: Balluku përmes Portit të Durrësit, lehtësoi trafikun e drogës në Europë

17:32 : 10/05/2025

Foto/ Dy të rinjtë humbën jetën në vendin e punës, pamje nga vendngjarja

16:59 : 10/05/2025

VIDEO/ Policisë dështon me “Giro d’Italia”, qytetari përplaset me çiklistin

16:54 : 10/05/2025

Bitcoin, në nivelet më të larta që nga janari, kalon 100 mijë dollarë

16:39 : 10/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com