Java e fundit politike është nxehur për shkak të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Maxhoranca dhe opozita, publikisht, kanë artikuluar qëndrime tërësisht të kundërta për mandatin e Adriatik Llallës dhe për mënyrën e zgjedhjes së pasuesit të tij.Gjithesesi, larg syve të publikut, debati në distancë në fakt krijon përshtypjen e një fasadë. Edi Rama dhe Lulëzim Basha duket se kanë arritur një kompromis të hershëm për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe tashmë po luajnë rolet e tyre.
Debati është shfaqur në publik vetëm ditët e fundit, pavarësisht se politika, nëse do të kishte vullnetin, mund ta kishte zgjidhur aspektin ligjor për kryeprokurorin më herët. Në këtë mënyrë, do të kishte shmangur diskutimet e zjarrta të ditëve të fundit. Por, mesa duket, ky debat duhet për të fshehur marrëveshjen e pazbardhur Rama-Basha.
Partia Socialiste është deklaruar vendosur të largojë nga zyra Adriatik Llallën. Në këtë iniciativë të saj, qeveria mbështetet nga ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
Edi Rama dhe çifti ambasadorial po punojnë që prokurorin e ri të përgjithshëm, të përkohshëm, ta marrë Partia Socialiste me shumicë të thjeshtë parlamentare.
Nga ana tjetër, opozita e kundërshton procesin e nisur për zëvendësimin e Llallës, duke e konsideruar anti-kushtetues dhe një tentativë për të vendosur nën kontroll politik organin e Prokurorisë.
Megjithatë, si në çdo rast të mëparshëm, debati për Prokurorin e Përgjithshëm lidhet ngushtësisht me veprimtarinë konkrete hetimore të prokurorëve.
Në javët e fundit, të paktën dy “patate të nxehta” gjenden nën hetim nga Prokuroria: çështja “Tahiri-Habilaj” dhe çështja “Vangjush Dako”.
Dy palët politike janë përfshirë në diskutime tekniko-ligjore për kohën kur mbaron mandati i Adriatik Llallës dhe për mënyrën se si do të zgjidhet pasardhësi i tij.
Por, në fakt, diskutimi duket se qëndron tek hetimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i cili ka bashkëpunuar me grupe kriminale në Durrës për të siguruar vota për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Në këtë çështje mpleksen interesa, kulisa dhe “luftë korridoresh”. Dhe, mbi të gjitha, vjen era “pakt politik”.
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Ervin Salianji, ka denoncuar Dakon se ka përdorur grupe kriminale për të siguruar vota për PS-në në qytetin bregdetar. Salianji mbështeti denoncimin e tij me një video, të cilën e publikoi pak ditë pas zgjedhjeve të vitit 2017, ku dallohej Dako që darkonte për festën e fitores me disa eksponentë kriminalë të rrezikshëm.
Pavarësisht këtij denoncimi publik, Prokuroria nuk reagoi. Ose, të paktën, nuk u njoftua asgjë publikisht nëse prokurorët e kishin vlerësuar denoncimin publik të Partisë Demokratike. Për më tepër, as opozita nuk kërkoi asnjë ditë të vetme nga Prokuroria që të hetonte rastin flagrant.
Pasi kaluan disa muaj nga ky denoncim, në momentin kur do të diskutohej mandati i Llallës, kryedemokrati Lulëzim Basha, iu rikthye kësaj teme. Por tashmë, me elementë më konkretë. Ai kishte mësuar se Prokuroria për Krime të Rënda kishte nisur hetimin ndaj Vangjush Dakos.
Gjithashtu, Basha akuzoi kryeministrin Rama se kishte larguar, nëpërmjet presionit, prokurorin e çështjes, Anton Martini. Ky i fundit, sipas Bashës, kishte gati prangat për Dakon dhe prandaj duhej larguar me urgjencë nga hetimi.
Në këtë mënyrë, Basha mbrojti publikisht prokurorin Martini, i cili njihet si lidhje e ngushtë e Agron Kuliçit, ish-zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në kohën e qeverisë “Berisha”. Ç’ka do të thotë se prokurori ka akses dhe kanale komunikimi të fuqishme me Partinë Demokratike.
Nëse do të ishte e saktë ajo që deklaroi Basha për “prangat gati” për Dakon, largimi i prokurorit Martini do të ishte një këmbanë e fortë për drejtësinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
Në fakt, rezulton se prokurori, i cili po e hetonte prej të paktën 5 muajsh Vangjush Dakon, nuk ka kryer asnjë veprim hetimor.
Pavarësisht se të dhënat e ofruara nga informacionet inteligjente e lidhin Dakon ngushtësisht me grupet kriminale, këto nuk janë kthyer në prova proceduriale nga ana e prokurorit të çështjes.
Basha duhet të ketë pasur informacionin e plotë për këtë sjellje të ngathët të prokurorit, pasi ky i fundit rezulton i lidhur ngushtësisht me Partinë Demokratike.
Nga ana tjetër është Edi Rama, që për shumë arsye, politike, interesash e personale, nuk do të dëshironte në asnjë moment që të “digjej” në aspektin penal bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Vangjush Dako.
Dhe, për të përmbushur këtë dëshirë të kryeministrit, është e qartë që ka menduar, as më shumë dhe as më pak, se sa vetë krye-kundërshtari i tij, Basha.
Kreu i selisë blu ka pasur në dorë edhe informacionin, edhe prokurorin që po hetonte Dakon. Pra, ai faktikisht, ka pasur në dorë fatin e kryebashkiakut të Durrësit. Dhe ka vendosur që të mos avancohet me hetimin, nëpërmjet prokurorit Anton Martini.
Në një mënyrë fare të qartë, “pakti politik” Rama-Basha po funksionon. Në rastin konkret, edhe për çështje konkrete hetimi. Por prokurori që po hetonte Dakon u largua dhe tashmë hetimi po vijohet nga prokurorë të tjerë. Palët politike duket se nuk e kanë gjetur ende lidhjen e shkurtër me hetuesit e rinj të çështjes.
Ndaj, po aplikojnë mekanizmin e ri, ligjor. Të ndryshohet Prokurori i Përgjithshëm dhe, nëpërmjet prokurorit të përkohshëm, të ndikohet tek grupi hetimor që ka në dorë fatin e kryebashkiakut të Durrësit, por edhe të Saimir Tahirit.
Pavarësisht qëndrimeve të kundërta të shprehura publikisht për mandatin e Adriatik Llallës, dyshja Rama-Basha po vijojnë paktin e tyre, të dakordësuar natën e 17 majit.