Në konferencën e përbashkët për shtyp mes Prokopis Pavlopulos dhe Recep Taip Erdogan u shpërfaqën përplasjet e hershme mes Turqisë dhe Greqisë.
Në fjalën e tij, Presidenti turk e cilësoi si të vjetëruar Traktatin e Lozanës dhe ofroi ose përditësimin e tij dhe përshtatjen me kohën, ose nënshkrimin e një marrëveshjeje të re mes Athinës dhe Ankarasë.
Erdogan la të kuptohej se Greqia nuk e ka respektuar plotësisht këtë traktat, duke sjellë si shembull minoritetin mysliman në Trakë. Greqia e njeh si minoritet mysliman, ndërsa Erdogan thotë se ata janë turq, bën të ditur Top Channel.
“Në marrëveshjen e Lozanës shkruhet qartë se minoriteti në Trakë është turk dhe jo mysliman. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe Gjykata Ndërkombëtare, por asnjëhere nuk është njohur dhe trajtuar si i tillë nga Athina”, u shpreh ai.
Erdogan thotë se në këtë pjesë të Greqisë ka përpjekje për të kontrolluar myftininë. “Myftinjtë nuk e zgjedhin kryemyftiun. Atje ka tentativa të kontrollohet myftinia jo nga fetarët, por nga shteti”, vijoi ai.
Presidenti turk thotë se të gjitha këto e kanë nxjerrë jashtë funksionit Traktatin e Lozanës dhe përdori fjalën “riaktualizim”, kur kërkoi një ujdi të re mes dy vendeve.
“Kur flasim nga bregu ynë, dëgjohet në anën tjetër. Dëshiroj që të mos merremi me pjesën boshe të gotës, por të shihim pjesën e mbushur të saj dhe të shtojmë bashkëpunimin. Besoj se vizita do të lerë menjanë 65 vitet dhe të shohim nga e ardhmja”, ishte apeli i Presidentit turk.
Nga ana e tij, edhe Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë që Greqia të jetë porta hyrëse e Turqisë për në BE, por kur u cek Traktati i Lozanës, ishte i prerë.
“Kjo është dhe duhet të mbetet një vizitë historike për dy vendet, por edhe për rajonin. Dy vendet i lidh miqësi e vjetër. Jemi të gatshëm të jemi porta e Turqisë drejt Bashkimit Europian. Duhet të kemi respekt për të drejtën ndërkombëtar, siç edhe respekt për standardet e arritura europiane. Respektimi i Traktatit të Lozanës është zgjidhja e vetme për paqen në rajon”, tha Pavlopulos.
Erdogan bëhet Presidenti i parë turk që viziton Greqinë që prej vitit 1952 dhe vizita e tij u shoqërua me masa të forta sigurie, ku u angazhuan 3 mijë policë.
Erdogan në Athinë, nis takimet me krerët e shtetit, atmosfera në Greqi
Presidenti i Turqisë Rexhep Tip Erdogan, ka mbërritur në Athinë mëngjesin e sotëm, ku do të zhvillojë disa takime me krerët më të lartë të vendit.
Më pas, rreth orës 13:30 ai do të takohet me kryeministrin Tsipras, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi pak para orës 15. “Kjo vizitë është një mundësi për të bërë hapa përpara në miqësinë midis dy vendeve”, ka deklaruar kryeministri Tsipras.
Qeveria greke synon në këtë vizitë të presidentit turk të mbajë të hapura urat e komunikimit me fqinjin e saj, duke marrë edhe një rol negociues midis Turqisë dhe BE-së, në një periudhë kur shumë qeveri europiane shprehen kundër integrimit të Ankarasë në BE.
Gjithashtu, Athina kërkon përveç zgjidhjes së çështjes qipriote, edhe një bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve, si dhe për marrëdhëniet ekonomike.
Programi i presidentit turk përmban edhe takimin me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes nga homologu i tij grek Pavlopoulos. Të premten, Erdogan viziton krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi.