Çdo student i Fakultetit të Mjekësisë në kryeqytet që pretendon se duhet të përjashtohet nga detyrimi për pagesën e tarifës vjetore të shkollimit, duhet të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues pranë departamentit përkatës. Teksa kanë detajuar kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë nga rimbursimi i tarifës vjetore të studimit për vitin akademik 2017-2018, drejtuesit e këtij fakulteti bëjnë me dije se afati i fundit për pranimin e kërkesave do të jetë data 12 dhjetor.
“Dokumentacioni së bashku me formularin e aplikimit duhet të dorëzohet në protokollin e dekanatit nga data 4 deri 12 dhjetor në orarin 14:00-16:00”, bëjnë me dije burimet zyrtare të këtij institucioni. Dhjetë janë kategoritë e studentëve që mund të aplikojnë për të përfituar nga mundësia e vijimit të studimeve pa qenë të detyruar që të shlyejnë taksën vjetore të përcaktuar.
Konkretisht bëhet fjalë për kategori që vijnë nga shtresat sociale në nevojë me mungesë të ardhurash, studentët që janë jetimë, ata me aftësi të kufizuara, studentët që vijnë nga familjet e ish të përndjekurve politikë, student që janë fëmijë të policëve e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë, ose të plagosur për shkak të detyrës, studentët që kanë humbur njërin nga prindërit dhe janë me mungesë të ardhurash, etj. Në vijim të shkrimit gjeni të plota dokumentet që duhet të depozitojnë secila prej këtyre dhjetë kategorive përfituese në afatet e përcaktuara.
Në përfundim të aplikimeve do të jetë një komision ekspertësh që do të vërtetojë plotësimin e kushteve nga çdo dosje e dorëzuar. Sipas kritereve të përmbushura ky komision zbardh edhe listën zyrtare të studentëve që do të përjashtohen nga detyrimi i derdhjes së kësaj takse studimi.
Studentët me aftësi të kufizuar
Kjo kategori bashkë me formularin e aplikimit duhet që të dorëzojë në dekanat brenda datës 12 dhjetor fotokopje të kartës së identitetit, fotokopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), si dhe vërtetim që konfirmon se janë studentë të këtij fakulteti.
Studentët që janë fëmijë të personave me aftësi të kufizuara
Lidhur me këtë kategori, drejtuesit e fakultetit bëjnë me dije se në dosjen e dokumenteve të kërkuara duhet që të përfshijnë fotokopje të kartës së identitetit, certifikatë familjare të tre muajve të fundit, fotokopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe vërtetim origjinal për trajtim me ndihmë ekonomike të plotë, apo të pjesshme nga njësitë e qeverisjes vendore (në rast se e përfitojnë), si dhe vërtetim që janë studentë të degës përkatëse.
Studentët nga familjet që trajtohen me ndihme ekonomike
Edhe kjo kategori studentësh ka të drejtë që të kërkojnë përjashtimin nga detyrimi i taksës vjetore të shkollimit. Dosja që këta studentë duhet të dorëzojnë në dekanat duhet që të përfshijë: fotokopje të kartës së identitetit, certifikatë familjare të tre muajve të fundit, vërtetim origjinal që konfirmon se po trajtohen me ndihme ekonomike, qoftë kjo e plotë, apo të pjesshme, si dhe vërtetim studenti.
Studentët nga komuniteti romë, si dhe ballkano-egjiptianë
Dokumentacioni shoqërues i domosdoshëm që duhet të dorëzojë kjo kategori në afatet e përcaktuara duhet që të përfshijë fotokopje të kartës së identitetit, dokumentin origjinal që vërteton se studenti i përket komunitetit rom dhe atij ballkano-egjiptian i lëshuar nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale, si dhe vërtetimin që konfirmon se janë duke vijuar studimet e larta në një nga programet studimore të këtij fakulteti.
Studentët që kanë humbur njërin nga prindërit
Një tjetër kategori që ka të drejtë të përfitojë nga rimbursimi i tarifës së studimeve janë edhe studentët deri në moshën 25 vjeç, ku njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta, dhe familja e tyre rezulton të jetë me të ardhura vjetore të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve. Dokumentacioni që duhet të depozitojë kjo kategori është fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim studenti, certifikatë familjare e tre muajve të fundit, si dhe vërtetimi origjinal që familja është me të ardhura vjetore të pamjaftueshme.
Studentët nga shtresat e ish të përndjekurve
Dokumentacioni shoqërues i kësaj kategorie duhet që të përfshijë fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim studenti, certifikatë familjare të tre muajve të fundit. Për studentet e ish të dënuarit kërkohet fotokopje e njësuar në Republikë ne Shqipërisë të dokumentit që vërteton statusin e ish–të dënuarit politik të lëshuar nga Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë. Ndërsa për studentin me prindër ish të përndjekuri politik kërkohet fotokopje e njësuar në Republikën e Shqipërisë të dokumentit që vërteton se prindërit kanë statusin përkatës, të lëshuar Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë.
Studentët e ushtarakëve dhe policëve të rënë në detyrë
Dokumentacioni që duhet të dorëzojë kjo kategori përfshin: Fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim studenti, certifikatë familjare të tre muajve të fundit, vërtetim që provon se prindi ka humbur jetën për shkak të detyrës nga institucioni përkatës (lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes ose e Brendshme).
Studentët e identifikuar si viktima trafikimi
Studentët që deri në moshën 25 vjeç janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statutin ligjor për trajtim si të tillë, duhet të dorëzojnë në afatet e caktuara: Fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim studenti, dokumentin origjinal qe vërteton se kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
Student që kanë statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç
Kjo kategori duhet që krahas dokumenteve të identifikimit të dorëzojë edhe certifikatë familjare të tre muajve të fundit, vërtetim studenti, fotokopje të noterizuar të dokumentit që certifikon statutin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate
Kjo kategori duhet që të dorëzojë në afatet e përcaktuara certifikatë familjare të tre muajve të fundit, fotokopje të noterizuar të vendimit të formës së prerë të Gjykatës për humbjen e kujdestarisë prindërore.
Pranvera Kola-DITA