Skandal në komisariatin e Sarandës, ku katër persona janë arrestuar nga policia me dyshimin se kanë ndihmuar të arratiset një të arrestuar nga furgoni i policisë.
Fiks Fare denoncon rastin e ndodhur më 5 nëntor në fshatin Vrinë, ku arrestimi i dy invalidëve dhe i dy të afërmve të tyre është bazuar vetëm në dëshminë e një polici, i cili kishte për detyrë të ruante të arrestuarin, ndërsa kolegët e tjerë po kontrollonin një shtëpi.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan pesë persona. Por, nga pesë të arrestuarit, vetëm një prej tyre, u arrestua si i dyshuar për lëndë narkotike dhe pengmarrje, pasi katër të tjerët, konkretisht Mustafa Indrisllari, Feti Indrisllari, Asllan Pashaj dhe Fiqirije Pashaj u arrestuan për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe përkrahje të personit të arratisur Ermir Indrisllari.
Dy ditë pas arrestimit të 4 personave për kundërshtim të punonjësve të policisë, i arratisuri Ermir Indrisllari u dorëzua në polici dhe deklaroi se droga e sekuestruar i përkiste atij dhe se ishte arratisur vetë pa u ndihmuar nga asnjë prej të arrestuarve, siç pretendonte policia. Gjithsesi, më 9 nëntor, prokuroria dërgoi për masë sigurimi personal 5 personat e arrestuar, duke kërkuar për 4 burrat “arrest me burg” dhe për gruan e vetme të arrestuar “detyrim paraqitjeje”.
Gruaja e vetme e arrestuar gjatë operacionit të policisë, Fiqirije Pashaj tregon për Fiks Fare sesi ka ndodhur ngjarja, deri në momentin që nga dhuna e policisë i ka rënë të fikët.
Fiqirije Pashaj shprehet se ditën e ngjarjes, ajo po ziente raki dhe në shtëpi kishte mbesën e vogël. Burri kishte dalë te bagëtitë. Në një moment, ajo pa që erdhi policia në fshat dhe pak minuta më vonë, pa nipin që vraponte dhe pas tij një polic. Ajo doli për tek porta e shtëpisë dhe në ato momente, policia qëlloi me armë në drejtim të nipit, i cili u fut në një ndërtesë të braktisur dhe që aty u arratis. Kur qëlloi me armë, ajo thotë se shkoi dhe i foli policit duke i thënë se ç’bën, kështu është Policia e Shtetit, po na vret djalin. Pas kësaj, Fiqirijeja ka hyrë sërish brenda, pasi po qante fëmija. Kur ka futur fëmijën brenda, ka dalë sërish jashtë dhe ka parë në oborr policin, ajo e ka pyetur se ç’donte në shtëpinë e saj dhe polici i ka marrë me forcë një celular nga dora dhe aty asaj i ka rënë të fikët.
Motra e dy të arrestuarve Indrisllari, Sabrija thotë se vëllai i saj ka qenë në shtëpi dhe nuk ka lidhje fare me krimin. Ai punon në bujqësi për të mbajtur djalin 11 vjeç, pasi e shoqja i ka vdekur një vit më parë. Madje, ajo shprehet se vëllai i saj është mbajtur padrejtësisht në burg, duke lënë në mëshirë të fatit fëmijën 11 vjeç, pasi nuk ka asnjeri të kujdeset për të Ndërsa një banor tjetër thotë se nuk e ka parë si ka ndodhur ngjarja, por tregon se ka kaluar aty dhe pasi ka bërë disa metra ka dëgjuar krismën e policisë.
Gjithsesi, këto dëshmi nuk janë marrë nga prokuroria dhe në gjykatë, gjatë masës së sigurisë nuk është përmendur asnjë nga këto dëshmi. Prokurori përmendi vetëm dëshminë e policit Gëzim Çela, i cili pretendon se është sulmuar nga 3 burra dhe 2 gra, por ata nuk janë parë nga asnjë prej kolegëve të tij. Madje, ai thotë se e kishin shtrirë përtokë, por ai ka arritur të nxjerrë armën dhe ta mbushë atë, duke mos përmendur faktin se edhe ka qëlluar në drejtim të personit të arratisur.
Emisioni investigativ sjell fakte të reja për këtë çështje, që nga dëshmitë në fshat, bisedat me policët, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe shpjegojnë se atë ditë nuk kanë parë asnjë nga të arrestuarit, duke rrëzuar pretendimet e kolegut të tyre.
Një tjetër fakt i zbuluar nga Fiks Fare, ka të bëjë edhe me përdorimin e armëve nga ana e punonjësve të policisë, që nuk është përmendur në prokurori. Për të zbuluar nëse punonjësit e policisë kanë kryer detyrat sipas procedurave ligjore kanë nisur hetimet edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por ende nuk është arritur në ndonjë konkluzion.
BISEDAT ME PUNONJËSIT E POLICISË
Policja: Të gjithë janë të korruptuar
Renato (djali Fiqirije Pashajt)- Po shefi i Komisariatit, i riu është ky?
Policja- Është i ri
Renato -Po ai e ka fajin.
Policja- Janë pezulluar të gjithë
Renato (djali Fiqirijes)- ëëë
Policja- I ka pezulluar të gjithë
Renato -Pa faj, i marrin njerëzit pa faj, i fusin brenda.
Policja – Po s’kanë faj ata, duan para.
Renato – Ah, kjo është policia jonë.
Policja -Gabim i tyre, mos më trego më, mos më trego se mu ka hapur barku me këta. Me këta mu ka hapur barku po ç’t’i bëj kësaj rrobës dhe punës.
Oficeri i krimeve me emrin Enea deklaron se të arrestuarit nuk i ka parë në vendin e ngjarjes
Oficeri i Krimeve, Enea- Unë jam oficeri që kam qenë aty. Unë ty të kam parë kur bërtisje, ndërsa burrin tënd dhe atë zotërinë tjetër nuk e kam parë fare. Kush është ai babai yt?
Fiqirije Pashaj – Fetihu, Fetihuu
Oficeri i Krimeve, Enea- Nuk i kam parë fare dhe nuk më ka pyetur njeri.
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Po ai ka qenë aty kur u arratis, kur u kap Miri, ka qenë aty?!
Oficeri Krimeve Enea- Nuk e di o burrë, nuk e di, s’kam qenë aty.
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Po ti ke qenë në çështje, çfarë më thua mua?!
Oficeri Krimeve Enea- Po ja oo.. (betohet). Më merrni në mes të natës, të dëshmoj se si është e vërteta. Në prokurori se kshu në rrugë nuk më lejohet.
Fiksi- Çfarë e ke atë, të diabetit?
Fiqirije Pashaj – Insulinë moj motër.
Motra e Fiqirije Pashaj – Po bëje.
Oficeri Artan Arapi ndërmjetëson takimin e invalides me policin kallëzues, Gëzim Çela
Oficeri Artan Arapi- Hë moj mbarove?
Fiksi- Akoma, s’ka ardhur ajo që të firmosë.
Oficeri Artan Arapi- Ai oficeri ka ardhur poshtë, por s’ka ardhur nga gjykata, ai i gjykatës.
Fiqirije Pashaj – Hajde 1 minutë këtu. Do më tregosh vetëm atë policin. Ku është polici?
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Policin që ishte me Mirin roje.
Fiqirije Pashaj – Që sikur e kemi liruar ne, sikur e kemi rrahur ne policin. Sikur kam rrahur unë policin!
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Polici që ishte me Mirin roje që ishte në makinë. Si e ka emrin?
Fiqirije Pashaj – Mos është ai taksixhiu? Që ishte më përpara taksixhii?! Një sybardhë?
Oficeri Artan Arapi- Tani, juve mos u merrni me gjëra kshu, sepse…
Fiqirije Pashaj – Po më kanë bërë akuzë kot more.
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Do gjejmë dëshmitarë.
Oficeri Artan Arapi- Mos u merrni me këtë gjë se pengoni ata që janë brenda, nuk duhen as llafe as gjë.
Fiqirije Pashaj – Nuk bëjmë llafe mo jo.
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Thjesht duam të kërkojmë të takojmë atë, ta pyes: o vlla i dashur, si është muhabeti në këtë mes?!
Fiqirije Pashaj -Nuk kam rrahur more. as Asllani (Pashaj) more…
Oficeri Artan Arapi- Mirë mirë, hajde nesër në orën 9. do t’i flas unë atij te zyra dhe…
Fiqirije Pashaj -Po more foli more.
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Si e ka emrin?
Oficeri Artan Arapi- Gëzim
Fiqirije Pashaj – Gëzim Çela?
Zenepja (nusja Fiqirijes)- Është nesër këtu?
Oficeri Artan Arapi- Eee!
Fiqirije Pashaj – E njoh Gëzimin unë, ka qenë taksixhi
Oficeri Artani Arapi- Eee!
Dita e dytë
Oficeri Artan Arapi – Si kalove, çfarë bëni? Si jeni, si keni qenë?
Fiqirije Pashaj – Mirë!
Fiksi -Mirë, si jeni ju?
Fiqirije Pashaj – Tani, unë dua të vijë ai polici që më the do ta sjell unë
Oficeri Artan Arapi – Gëzimi?
Fiqirije Pashaj – Eee ai çuni.
Oficeri Artan Arapi -Për 25 minuta vjen këtu ai për instruktazhin, do ta thërras unë brenda në zyrë ta llafos dhe do ju flas.
Zenepja(nusja Fiqirijes)- E sjell dot? Të vimë neve?
Komandant Artan Arapi- Në dy pa një çerek duhet të jeni këtu. O Feko, kështu do ta lëmë, të vijë ai këtu edhe…
Oficeri Artan Arapi – Do më dëgjosh mua tani?
Fiqirije Pashaj- Po
Oficeri Artan Arapi- Shtyje, mbylle derën. Më dëgjo mua tani: Nuk ka problem të takohesh me Gëzimin, që ta takosh ti Gëzimin, s’ka ndonjë problem. Juve a keni atje ndonjë dëshmitar që e ka parë atë ngjarje, që thotë: Kjo ngjarje është kështu dhe kështu.
Fiqirije Pashaj -Prandaj dua që ta takoj more. Po, po është burrë…
Oficeri Artan Arapi –Nuk bën zgjidhje me Gëzimin, jo. Nuk bën zgjidhje këtu me Gëzimin.
Zenepja (nusja e Fiqirijes)- Po sillja sa për merak që t’i thotë kjo: Më njeh mua?
Oficeri Artan Arapi- I thashë me, o Gëzim, rri takoje dy minuta. Nuk kam se çfarë them tha, kur të na thërrasë prokuroria tha, të thotë ajo të sajat edhe unë ato të mijat.
Oficer Artan Arapi –Dëgjo, te kjo fazë tani, që është Asllani brenda është fazë hetimi, edhe shoshiten gjërat. Prokurori do pyesë Gëzimin, do pyesë këtë, do pyesë atë.
Do pyesë edhe policët, mbase do vijë edhe ndonjë dëshmitarë tjetër që do ketë qenë i pranishëm. S’ke pse shqetësohesh për këtë punë tani. Lodh veten kot. E kupton? Edhe takimi me Gëzimin s’të zgjidhte asnjë gjë. Se Gëzimi nga ato që ka thënë nuk lëviz, sepse ia fut vetes vet.
Fiqirije Pashaj -Unë e kam merak vetë ore ti. Ai vetëm shtiri me armë, me pistoletë po të them ore ndershmërisht,i i shtiri djalit.
Oficeri Artan Arapi- Ore, ai po ka shtënë me pistoletë në ajër…
Fiqirije Pashaj – Jo në ajër more.
Fiqirije Pashaj – As e kam ngacmuar policin, as e kam ndihmuar djalin, as unë, as Asllani, as ata të tjerët nuk e kanë ndihmuar.
Oficeri Artan Arapi – Po jo moj, ju s’keni lidhje. Ju s’keni lidhje absolutisht në atë muhabet. E vërteta është që ju s’kishit lidhje.