Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar ngritjen e Komisionit Shtetëror për Diasporën, në përbërje të të cilit do të jenë Kryeministri si dhe tetë ministra. Komiteti Shtetëror për Diasporën do shërbejë si organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e diasporës.
V E N D I M PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT SHTETËROR PËR DIASPORËN
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Komitetit Shtetëror për Diasporën, këtu e në vijim Komiteti, si organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e diasporës.
2. Komiteti kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje të tij këta anëtarë:
a) Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) Ministrin e Brendshëm;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Drejtësisë;
d) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
dh) Ministrin e Kulturës;
e) Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit;
ë) Ministrin e Shtetit për Diasporën;
f)Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
g) Kryetarin e Akademisë së Shkencave;
gj) Drejtorin e INSTAT-it.
3. Fusha e veprimtarisë së Komitetit përfshin:
a) përgatitjen e linjave orientuese për hartimin e politikave të reja aktive dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike në fushën e diasporës;
b) propozimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për çështje që lidhen me përmirësimin e pozitës së anëtarëve të diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku jetojnë;
c) nxitjen dhe zhvillimin e dialogut për zbatimin e strategjisë, politikave dhe legjislacionit në fushën e zhvillimit të komuniteteve të diasporës;
ç) koordinimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën;
d) mbështetjen dhe monitorimin e veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare për Diasporën.
4. Komiteti mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj dhe sa herë është e nevojshme, me kërkesë të Kryeministrit.
5. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të qeverisjes qendrore e vendore apo të institucioneve të tjera, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e misionit.
6. Veprimtaria e Komitetit mbështetet nga sekretariati teknik. Përbërja dhe detyrat e sekretariatit teknik përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
7. Urdhri nr.115, datë 11.5.2006, i Kryeministrit, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komitetit Ndërministror të Migracionit”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen anëtarët e Komitetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.