Pas dorëheqjes si kryetar i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj është paraqitur dje para Komisionit të Ligjeve si kandidat për Bordin Drejtues të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, shkruan “Panorama”.
Një javë më parë, Beqiraj është bindur nga Presidenti Meta që të largohet nga funksioni në krye të Akademisë së Shkencave, pasi ky institut rrezikoi të mbetej pa fonde, pasi është përfshirë në një debat me Kryeministrin Edi Rama. Por një javë më vonë, ai është propozuar në një tjetër funksion.
Para deputetëve, Beqiraj tha se nuk kishte dijeni për procedurën që kishte ndjekur Akademia e Shkencave për përzgjedhjen e tij, por thjesht ia kishin ofruar si mundësi. Por deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, e ka pyetur kandidatin nëse ka qenë komunist, kandidat për komunist apo bashkëpunëtor i shërbimit të shtetit në kohën e diktaturës.
“Unë thashë që s’kam qenë, por s’kam asnjë nga familja. Tani mund të ketë qenë fat i mirë apo fat i keq, këtë s’e di. Nga familja ime asnjë komunist. S’e kam pas fatin në atë kohë. Do të kisha qenë më mirë në atë kohë”, ka thënë dje Beqiraj. Ai ka thënë se di të bëjë vetëm tri gjëra në jetë “matematikë, informatikë dhe peshëngritje”.
Veç Beqirajt, Akademia e Shkencave ka propozuar si kandidat për këtë bord edhe Vasil Tolen dhe Floresha Dadon. Ndërkohë që nga shoqëria civile janë propozuar Valjeta Kaftalli, Jonida Godole, Simon Mirakaj, Nebil Çika dhe Agro Hadri.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka pyetur dhe kompozitorin Vasil Tole nëse duhet të ndalohen kantatat e komunizmit që dëgjohen sot e kësaj dite. Por deputeti i PS-së, Bashkim Fino, ka dalë kundër, duke thënë se ato i pëlqejnë atij dhe se ato kanë qenë këngët më të bukura.
PYETJE-PËRGJIGJE ME KANDIDATËT
Romeo Gurakuqi: Doja të dija cila ka qenë procedura në Akademinë e Shkencave në përzgjedhjen e tre emrave që kanë ardhur në komisionin e nderuar?
Gudar Beqiraj: Si kandidat nuk jam interesuar fare për procedurën, me thënë të vërtetën. Më kanë thënë që do të jesh kandidat për këtë pozicion dhe për më tepër nuk di.
Romeo Gurakuqi: Cili është vokacioni juaj në fushën e studimeve humanitare, në fushën e shkencave historike dhe të trashëgimisë që kanë lënë pas të persekutuarit politikë dhe tradicioni?
Gudar Beqiraj: Për sa i përket pjesës humanitare, unë nuk e thashë, por jam prej vitit 1993 president…
Romeo Gurakuqi: E kisha për studimet humaniste…
Gudar Beqiraj: Nuk kam të bëj fare me atë fushë unë… Fusha ime është matematika dhe informatika, këto dy gjëra di. Di dhe një tjetër, që është sporti i peshëngritjes, të tjera gjëra nuk di të bëj në jetën time.
Xhemal Qefalia: Ju thatë që më kanë thënë të kandidoj. Nuk është aspirim dhe dëshirë e juaja për të kandiduar.
Gudar Beqiraj: Më ka thirrur Kryesia e Akademisë dhe më kanë thënë që pranon të jesh kandidat për të qenë anëtar i Bordit Ekzekutiv të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e mia me këtë institut, i thashë po.
Enkelejd Alibeaj: Ju si kandidat nuk të keni qenë në atë kohë komunist, ose kandidat për komunist?
Gudar Beqiraj: Unë thashë që s’kam qenë, por s’kam asnjë nga familja. Tani mund të ketë qenë fat i mirë apo fat i keq, këtë s’e di. Nga familja ime asnjë komunist. S’e kam pas fatin në atë kohë. Do të kisha qenë më mirë në atë kohë.
Enkelejd Alibeaj: Fat i keq, apo fat i mirë?
Gudar Beqiraj: Për në atë kohë është e keqe, se do të kisha qenë më mirë.
Enkelejd Alibeaj: Kriter tjetër është se juve nuk duhet të keni qenë i shkolluar apo të keni bërë shkolla në vendet e Traktatit të Varshavës?
Gudar Beqiraj: E thashë edhe një herë, matematikë, informatikë dhe peshëngritje. Se këtu në Shqipëri i dinë të gjitha njerëzit. Po unë këto të tria i di.
Enkelejd Alibeaj: Nuk duhet të keni qenë anëtar apo bashkëpunëtor i shërbimeve të Sigurimit të Shtetit dhe të vendeve të traktatit të Varshavës. Si deklaroheni në këtë rast?
Gudar Beqiraj: Deri në ndërrimin e sistemeve kam qenë matematicien i thjeshtë. Pra, bashkëpunëtor shkencor. Jam marrë me gjeofizikën, gjeologjinë dhe naftën.
Enkelejd Alibeaj: Jo ndonjë punësim e Sigurimit të Shtetit.
Gudar Beqiraj: Jo, atë fat s’e kam pas.
* * *
Adnor Shameti: A keni qenë anëtar partie në komunizëm?
Vasil Tole: Jo.
Enkelejd Alibeaj: Po kandidat për komunist a keni qenë?
Vasil Tole: Me thënë të drejtën, ka qenë një periudhë në fund të viteve ‘80 që ne intelektualëve, në kuadër të hapjes së Partisë së Punës, na u bënë shumë ftesa dhe për fat ndryshuan dhe kohët e nuk pata mundësi që të jem. As kandidat.
Enkelejd Alibeaj: Sipas ligjit, ju nuk duhet të keni qenë funksionar i sistemit komunist. Pjesëtar i organeve të diktaturës apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Vasil Tole: Në atë periudhë, funksioni më i lartë që kam pasur ka qenë përgjegjës i muzikës në Shtëpinë e Kulturës në Përmet deri në ’90 dhe pas asaj kam ardhur pedagog në Tiranë dhe besoj se periudha pas 8 dhjetorit 1990 nuk është periudhë e fokusit që përfshin dhe instituti.
Enkelejd Alibeaj: Një nga kriteret është ai i besueshmërisë nëse ju do të zgjidheni, do studioni krimet e komunizmit dhe pasojat e komunizmit. Minimalisht duhet të keni një lloj kuraje civile të treguar në atë kohë dhe në këtë kohë. Ju keni qenë studiues arti. Gjatë krijimtarisë suaj, a keni ndonjë akt apo punim të vetëm dedikuar krimeve të komunizmit? Një nga mjetet më të rëndësishme të propagandës në atë kohë, simbolikës së komunizmit, ka qenë emetimi i propagandës nëpërmjet veprave të artit. Këngë, poezi, veprimtari kulturore dhe vallet.
Bashkim Fino: Po vallet ishin të bukura.
Enkelejd Alibeaj: Kjo veprimtari e realizmit socialist sot do duhet më të emetohet?
Bashkim Fino: Ç’lidhje ka kjo?
Vasil Tole: I përkas botës së muzikës dhe ne muzikantët kemi pas një fat që atë që konsiderojmë baba të muzikës shqiptare, Çesk Zadeja, nuk ishte bashkëpunëtor i Sigurimit dhe as i lidhur me sistemin. Por ishte profesionist që nuk lejoi përmes forcës së autoritetit të vet që kompozitorët të dënoheshin. Nuk kemi asnjë rast, ndryshe ndodhi në letërsi apo fusha të tjera, që ne të ishim të penalizuar. Për sa i përket asaj që ju pyetët, unë kam qenë promovuesi kryesor i Dhora Lekës, një kompozitore që u persekutua nga regjimi komunist dhe një krijimtari me shumë vlerë që ajo ka pasur gjatë viteve të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që ndonjëherë është konsideruar gabimisht si krijimtari ideologjike. Për mendimin tim, është faza e fundit e këngëve patriotike të Shqipërisë. Kemi bërë të mundur që përmes lançimit të kësaj figure, botimit dhe studimit të kësaj krijimtarie, t’ia sjellim pjesës tjetër të trashëgimisë kulturore artistike të Shqipërisë. Kurse për sa i përket çështjes së realizmit socialist në arte, më lejoni të them që në muzikë është shumë e vështirë për ta identifikuar faktin se ky tingull apo ai tingull ka ngarkesa ideologjike. Po ka një pjesë të krijimtarisë kur vetë autorët janë vetëidentifikuar me titullin. Kemi kantata për partinë dhe udhëheqësit e asaj kohe, sigurisht.
Enkelejd Alibeaj: Nuk po flas për të tjerët, po flas për ju.
Vasil Tole: Jo nuk kam lidhje fare. Asnjë titull të vetëm.
Enkelejd Alibeaj: Çfarë opinioni ke, ato kantata për partinë duhet të dëgjohen sot, apo jo? Kjo ka të bëjë dhe me çështjen e besueshmërisë.
Vasil Tole: Me bindje absolute, dhe këtë e kam shkruar, pjesa më e mirë e muzikës shqiptare është muzikë realiste. Nuk ka të bëjë me realizmin socialist, pjesa tjetër që ka ngarkesa politike është krijimtari që duhet parë dhe analizuar si një krijimtari që është krijuar në kushtet e presionit ideologjik.
Enkelejd Alibeaj: A duhet të shfaqen sot?
Vasil Tole: Për mendimin tim jo, përveçse të studiohet. Të dihet që ka ndodhur.
Bashkim Fino: Pse të mos shfaqet. Unë kam qejf ta dëgjoj. Pse mos e dëgjoj.
Vasil Tole: Sepse nuk plotëson kriteret artistike.
Bashkim Fino: Ky është mendimi yt, por ti thua ta studioj, por mos ta dëgjoj.
Vasil Tole: Dy vepra që i përmenda këtu dhe që janë krijuar pas luftës, ishin kantatat vërtet vepra të dobëta. Dhe asaj partie nuk i bëjnë nder…
Bashkim Fino: Ato kanë qenë më të bukurat.
Ulsi Manja: S’ka më procedurë. Keni ardhur t’i fusni një dorë muhabet se është kohë me shi sot. S’ka më. Tregoni respekt për viktimat e komunizmit.