Deputeti demokrat. Tritan Shehu, e cilëson si të dështuar takimin e zhvilluar në Kretë mes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek Nikos Kotzias, për të zgjidhur problemet mes dy vendeve. Ai shprehet se ministri i Jashtëm shqiptar duhet të shkonte i përgatitur, pasi takime të tillë nuk mbahen me këngë dhe me valle. Në një intervistë për Report tv, Shehu tha se dosjet duhet të ishin të përgatitura përpara dhe ministrat të mbyllin një proces të përgatitur më parë nga stafet.
Zoti Shehu në gjykimin tuaj çfarë ka ndodhur?
Politika e jashtme nuk është pronë e askujt është element që duhet të jetë i lidhur me të gjithë. Politika e jashtme kërkon konsulta të vazhdueshme. Unë bëj përgjegjës të gjithë qeverisjen e majtë, që vuajnë nga një sindromë e rrezikshme. Të menduarit që bota fillon me ta, dhe vetë deklaratat që do zgjidhim problemet “70-vjeçare janë qesharake”. Greqia është fqinj, vend anëtar i NATO dhe BE që na ka mbështetur. Kemi pasur probleme dhe këto probleme janë zgjidhur hap pas hapi, marrëdhëniet deri në 2013 ishin shumë të mira, më pas u shkatërruan, por u vështirësuan edhe në rajon me Maqedoninë dhe me Italinë. Boshti është kthyer drejt disa marrëdhënieve preferenciale, si Serbia duke kaluar një cak dhe limit.
Çfarë është misterioze në bisedimet me Greqinë?
Duhet të jemi të qartë me diçka, takimi i dy ministrave kishte kohë që ishte përgatitur dhe servirur. Gjithë ecuria e marrëdhënia ka qenë negative, pra edhe si e tillë nuk mund të zgjidhej në një apo dy ditë. Unë mendoj që takimet janë pozitive, por kërkojnë përgatitje serioze, nuk mbahen me këngë dhe me valle, pasi nuk sjellin gjë këngët dhe vallet. Dosjet duhet të ishin përgatitur përpara, edhe ministrat të mbyllin një proces të përgatitur më parë nga stafet. Dhe jo duke dalë me një deklaratë që nuk thotë asgjë.
Ju mendoni se nga takimi nuk pati asnjë rezultat?
Duke lexuar deklaratën nuk është bërë asgjë. Në takime shkohet me përgatitje dhe jo për këngë dhe për valle. Realisht nga ai takim nuk doli asgjë.
Mendoni se fajtore është gjithë politika shqiptare?
Marrëdhëniet me Greqinë kanë pasur vështirësi, por me vullnet i kemi tejkaluar. Ne kemi pasur në vitet 1994 vështirësi, por i kaluam dhe nënshkruam traktatin e miqësisë, kulmi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Greqia edhe në mandatin tjetër të Berishës, bashkëpunim për heqjen e vizave. Drejtuesit e Shqipërisë në politikën e jashtme kanë treguar amatorizëm, kemi humbur kaq shumë pikë dhe kemi shkuar larg interesave tona. Shkaku është për mua amatorizmi, një ide absurde që kanë rilindësit që; Bota fillon dhe mbaron me ata.
Pra për ju përgjegjës është Bushati?
Jo! Nuk është kjo, bëra përgjegjës të gjithë rilindjen.
Takimi ishte pas asaj që ndodhi në Himarë, a ka ndikuar edhe kjo ndërhyrje?
Unë çështjen e Himarës e shoh ndryshe. Kishte arbitraritet, korrupsion dhe veprimtari jo ligjore. Nuk zhvillohet Himara pa mirëkuptimin e komunitetit, por edhe të Shkozës bashkë dhe Velipojës. Qeveria ka treguar arrogancë me qytetarët.
Do të ketë edhe një takim në Shqipërisë, a do të jemi më shpresëplotë?
Mund të takohen në Tiranë, Greqi apo Bruksel, por kur të takohen duhet të përgatiten mirë dhe jo të dalin me deklarata boshe.