Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë publike të tjera të dhëna që implikojnë lidhjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 25-vjeçarin Orest Sota, të cilit ju gjetën mbi 800 mijë Euro dhe dy patentat për mjete lundruese në emër të Tahiri.
Përmes një deklarate dërguar mediave, Basha ka publikuar datat sipas të cilit, Saimir Tahiri ka udhëtuar jashtë Shqipërisë me Orest Sotën. Më 2 Gusht, Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar drejt Italisë; më 1 Shtator kanë dalë nga Shqipëria përmes doganës së Muriqanit dhe më 6 Shtator Orest Sota ka dalë sërish nga vendi ynë duke përdorur automjetin e Saimir Tahirit.
Në denoncimin e tij, Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se po mbron Tahirin dhe po përpiqen të fshehin provat, ndërsa paralajmëron se të tjera të dhëna do të publikohen së shpejti.
“Sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat.
Burime të sigurta informojnë se:
- Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 Gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 Gusht 2016 me të njëjtën linjë.
- Me 1 Shtator 2017 Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë me datë 3 Shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit.
- Në 6 Shtator 2017 Orest Sota ka dalë nga Shqipëria duke përdorur makinën e Tahirit.
Fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar”, deklaron Lulzim Basha.
Orest Sota u arrestua më 2 Nëntor në Elbasan me 863 mijë Euro dhe dy patentat për mjetet lundruese në emër të Saimir Tahirit. PD thotë se Eurot janë të Tahirit, ndërsa Orest Sota ka thënë në polici se po i çonte tek “Kurum” për të bërë një pagesë në emër të babait të tij biznesmen. Sa u përket patentave, Sota ka thënë se i harroi në makinën e tij shoferi i Saimir Tahirit, të cilin e ka shok. Ndërsa për ish-ministrin e Brendshëm thotë se nuk e njeh, kurse PD pretendon të kundërtën duke denoncuar prova të lidhjes mes tyre. Kujtojmë se kreu i PD Lulzim Basha ishte i pari që denoncoi arrestimin e Orest Sotës dy ditë më pare.