Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro nga gjyqet në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Një dokument konfidencial që Ministria e Drejtësisë i dërgon kryeministrit Edi Rama zbulon fakte tronditëse mbi rreziqet financiare që po i kanosen vendin nga paditë e kompanive të huaja kundër qeverisë.
Dokumenti, i cili mban datën 10 prill të këtij viti, zbulon se aktualisht në Arbitrazhin Ndërkombëtar po zhvillohen katër procese kundër Shqipërisë. “Vlera totale e dëmshpërblimit që kërkohet nga palët, vetëm për këto katër procese shkon mbi 2 miliardë euro” thuhet në shkresën konfidenciale që Ministria e Drejtësisë i dërgon Kryeministrit.
Këto padi janë rrjedhojë e prishjes së njëanshme të kontratave nga qeveria shqiptare me kompanitë e huaja, edhe pse disa prej tyre kanë qenë të miratuara nga Parlamenti, çka u jep paditësve pozita shumë të forta në gjyq.
Situatë alarmante
Edhe pse në shkresë nuk zbulohen emrat e kompanive, që kanë paditur Shqipërinë, burime nga Ministria e Drejtësisë, thonë se një prej çështjeve është ajo e biznesmenit italian Francesco Beccheti, i cili ka paditur qeverinë shqiptare për hidrocentalin e Kalivaçit, por edhe disa çështje të tjera.
Me tone alarmuese Ministria e Drejtësisë kërkon nga Kryeministri që të marrë masa urgjente për të parandaluar një krizë, e cila do të kishte pasoja të rënda për financat e shtetit.
‘Sipas komunikimeve me Avokaten e Përgjithshme të Shtetit ka shumë çështje të tjera në ministritë e linjës, kur kontratat janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala shtetërore,” thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas të dhënave konfidenciale nga Avokatura e Shtetit, vetëm vitin e kaluar Shqipëria u dënua me 70 milionë euro në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
“Një situatë e tillë është shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, e cila kërkon një analizë të thellë për çdo institucion shtetëror,” sugjeron Ministria e Drejtësisë.