Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka mbetur i befasuar dhe i keqardhur nga dorëheqja e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, duke mos mohuar që presioni politik ta ketë shtyrë atë.
Në një intervistë për “Panorama”, ish-kreu i shtetit, Bujar Nishani, flet për marrëdhënien institucionale që kishte me Visho Ajazin, njeriun, të cilin në vitin 2012, me propozim të ish-kryeministrit Berisha, e dekretoi në krye të SHISH.
Sipas Nishanit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kreu i SHISH është përballur me presion të fortë, deri në shantazh politik nga maxhoranca. Por ish-Presidenti pohon se, pavarësisht këtyre presioneve, ka parë një punë profesionale, të guximshme dhe patriote nga Shërbimi Inteligjent, kryesisht në luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike.
Nishani i sugjeron Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që t’i përmbahet vetëm Kushtetutës së Republikës për të vendosur për emrin e ri të SHISH. Ish-kreu i shtetit kërkon që të zbardhet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e nëntorit 2016, kur ai mbante detyrën e Presidentit.
Sipas Nishanit, në atë mbledhje ka disa diskutime ku reflektohet niveli i përgjegjësisë, seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së detyrës nga anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për kultivimin dhe trafikun e kanabisit në Shqipëri.
Z. President, kreu i SHISH, Visho Ajazi, ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra e tij. Ju e keni dekretuar në atë detyrë me propozim të ishkryeministrit Berisha dhe përgjatë gjithë detyrës suaj keni bashkëpunuar me të. Cilat mendoni se kanë qenë arsyet e kësaj dorëheqjeje?
Nuk kam asnjë informacion se cilat kanë qenë arsyet e dorëheqjes së z. Visho Ajazi Lika. Mund t’ju them se kam mbetur i befasuar dhe shumë i keqardhur nga kjo situatë e krijuar në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të vendit dhe shumë specifike, për më tepër, në situatën aktuale që lidhet me sigurinë nga kërcënimet, qoftë me terrorizmin, qoftë me krimin e organizuar. Kam patur dhe ruaj një eksperiencë të shkëlqyer nga bashkëpunimi me të dhe e vlerësoj për profesionalitetin, maturinë dhe gjakftohtësinë, me të cilën ka menaxhuar punën dhe sfidat. Me siguri që dorëheqja ka arsye shumë të forta, për një natyrë si ajo që kam njohur unë tek z. Ajazi.
Mendoni se kjo dorëheqje mund të ketë qenë e nxitur politikisht ashtu siç opozita pretendon? Kujtojmë këtu, se burime nga Presidenca konfirmojnë se kreu i ri i shtetit, Ilir Meta, i kishte dhënë kreut të SHISH mbështetje për të vijuar punën dhe për të qëndruar në detyrë…
Personalisht, i kam dhënë të gjithë mbështetjen e duhur z. Visho gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Duhet të kemi parasysh që Shërbimi Inteligjent ka një specifikë, që për çështje operacionale nuk jep informacione te drejtuesit e shtetit, por i vë në dijeni për rreziqet që i kanosen sigurisë, natyrisht, shoqëruar me argumentet përkatëse dhe analizën e riskut. Shërbimi Inteligjent është një institucion i pavarur kushtetues në kuptimin operacional, dhe kemi parasysh që veprimtaria më kryesore dhe më e rëndësishme është ajo operacionale për këtë institucion. Si i tillë, ai mbetet nën tentativën e kapjes politike. Gjatë viteve të kaluara, ka patur një presion të fortë e herë pas here, deri dhe shantazh politik ndaj Shërbimit dhe z. Ajazi kryesisht. Po të risjellim në revistë sulmet nga deputetët e maxhorancës, qeveria dhe Komisioni Parlamentar i Sigurisë do kuptojmë shumë më mirë rrethanat aktuale.
A mund të ketë lidhje kjo dorëheqje me zhvillimet e fundit politike, pasi vetëm një javë më parë ndodhi “skandali Tahiri”? SHISH ka qenë një prej institucioneve që ka zbuluar skandalin me makinën e ish-ministrit Tahiri…
Ndoshta. Ajo që mund t’ju them, juve dhe opinionit publik, është fakti i një pune profesionale, të guximshme dhe patriote nga ana e Shërbimit Inteligjent në luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe jo vetëm, por edhe trafikut të drogave të forta nga Shqipëria drejt vendeve të BE. Natyrisht, që kjo nuk ka qenë i vetmi kontribut i Shërbimit ndaj sigurisë së shqiptarëve dhe aleatëve. Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimi i akteve terroriste ka qenë dhe do mbetet një histori suksesi për Shërbimin. Ndoshta, pas dekadash do dalë në publik ky kontribut.
Pasi u njohët me kërkesën e z.Ajazi për t’u dorë- hequr nga detyra që mbante, a keni pasur një komunikim me të dhe a jeni njohur personalisht me arsyet e këtij largimi?
Jo, nuk kam patur asnjë takim me të dhe nuk kam asnjë informacion për arsyet e kësaj dorëheqjeje.
Pak ditë më parë, kërkuat zbardhjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare? Cilat janë arsyet e kësaj kërkese?
Aktualisht, ka një ndërgjegjësim më të madh nga opinioni publik ndaj krimit dhe rrezikut kombëtar, që ka sjellë kultivimi dhe trafiku i kanabisit dhe jo vetëm. Kjo situatë kërkon një hetim të thellë kriminal nga njëra anë, por edhe një diskutim dhe gjykim të gjerë publik nga ana tjetër. Vetëm kështu do mund të jemi të suksesshëm në përballjen me të. Në nëntor të vitit 2016, pikërisht nisur nga informacionet dhe shqetësimet serioze që më vinin nga Shërbimi Inteligjent, thirra mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të adresuar këtë rrezik të madh. Ka disa diskutime ku reflektohet niveli i përgjegjësisë, seriozitetit, përgjegjshmërisë dhe lartë- sisë së detyrës nga secili prej anëtarëve të atij Këshilli. Deklasifikimi dhe bërja publike e disa prej materialeve të asaj mbledhje, do u tregojnë shqiptarëve pse mbërritëm në situatën që kemi sot dhe se si mund të luftohet ky rrezik.
Kryeministri Edi Rama ka pretenduar se nuk ka pasur informacione nga SHISH për situatën e kanabizimit të vendit. Ju, personalisht, keni pasur një bashkëpunim korrekt me kreun e këtij institucioni?
Unë kam patur një bashkëpunim shumë të mirë. Kam marrë informacione dhe analiza risku mbi kultivimin masiv dhe trafikimin e kanabisit. Sasinë e madhe të parave që gjeneroheshin nga ky aktivitet kriminal e mbi të gjitha, mbi dëmin e madh që po i shkaktohej jetës dhe shëndetit të fëmijëve të shqiptarëve nëpër shkolla dhe klube. Kjo ishte edhe arsyeja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në një kohë që
Kryeministri e ka bërë publik propozimin e tij për kreun e SHISH, pa u konsultuar me kreun e shtetit, cila mendoni se duhet të jetë zgjedhja që duhet të bëjë Presidenti Meta?
Kjo është një çështje dhe vendim që i takon vetëm Presidentit të Republikës. Unë jo vetëm që e njoh mirë Kushtetutën e vendit tim, por dhe e respektoj me fanatizëm atë.