Pas mbajtjes për vite të tëra të vlerave të mëdha të parave cash nëpër shtëpi, gjyqtarët në Shqipëri detyrohen nga ligji i vettingut që të depozitojnë në banka çdo qindarkë mbi 1.5 milionë lekë, por deputetët e Komisionit të Ligjeve ndajnë qëndrime të ndryshme se cilat subjekte e kanë këtë detyrim.
Gjatë dekadës së fundit, gjyqtarë të të gjitha niveleve në Shqipëri kanë deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vlera të mëdha të likuiditeteve cash. Paratë e deklaruara, të cilat qarkullojnë jashtë sistemit bankar variojnë mesatarisht nga 5 për qind e pasurisë totale për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në 15 për qind për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes deklaratave të pasurisë të administruara nga ILDKPKI tregojnë se anëtarët e Gjykatës së Apelit zotëronin së bashku rreth 296 milionë lekë cash, anëtarët e Gjykatës së Lartë rreth 55 milionë ndërsa gjyqtarët e Kushtetueses më shumë se 55 milionë lekë të mbajtura jashtë sistemit bankar deri në fund të vitit 2015.
Por pavarësisht vlerave multimilionëshe të deklaruara ndër vite si dhurata apo kursime të mbajtura në shtëpi, autoritetet e kontrollit dhe Prokuroria kanë një rekord thuajse të papërfillshëm të çështjeve të hetuara për të adresuar problematikën e burimit të parave që qarkullojnë gjyqtarët në Shqipëri.
Praktikat më të mira ndërkombëtare e klasifikojnë mbajtjen e vlerave të larta të parave cash në shtëpi apo qarkullimin e tyre jashtë sistemit bankar si një këmbanë alarmi për transaksione të dyshimta dhe një arsye për të kryer verifikime apo kontrolle të mëtejshme. Por në Shqipëri, legjislacioni që adreson mbajtjen apo transaksionet me para cash është i paqartë.
Ligji “Mbi deklarimin dhe kontrollin e pasurive…”, mbi bazën e të cilit funksionon ILDKPKI e ka futur në amendimin e tij të katërt, në maj të vitit 2014, konceptin e kufizimit të likuiditeteve cash për zyrtarët e lartë.
Neni 4/1 i ligjit i shtrin këto kufizime vetëm për subjektet që deklarojnë pasurinë për herë të parë, duke i detyruar ata që të mos mbajnë më shumë se 1.5 milionë lekë jashtë sistemit bankar.
“Për subjektet që deklarojnë sipas nenit 5/1 të këtij ligji, depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve cash mbi vlerën e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së interesave private në ILDKPKI,” thuhet në paragrafin e dytë të këtij neni.
Neni 5/1 i të njëjtit ligj rregullon deklarimin e pasurisë përpara fillimit të detyrës nga subjektet.
Ndryshe nga kufizimi i mësipërm, një tjetër ligj-ai i vettingut i detyron gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri që të depozitojnë në bankë çdo qindarkë mbi vlerën e 1.5 milionë lekëve, para dorëzimit të deklaratave në funksion të rivlerësimit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes formularëve që shoqërojnë ligjin “për rivlerësimin kalimtar”tregojnë se të gjithë subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta nuk mund të mbajnë apo të deklarojnë vlera më të mëdha se 1.5 milionë lekë jashtë sistemit bankar, në momentin që dorëzojnë deklaratat e pasurisë për këtë qëllim.
BIRN i drejtoi disa pyetje Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.
Ndërkohë, deputetë të Komisionit të Ligjeve dhe ekspertë të ligjit ndajnë qëndrime të ndryshme për subjektet që u nënshtrohen kufizimeve apo për efikasitetin e legjislacionit në drejtim të vlerave të larta të parave cash.
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, e cila mban postin e nënkryetares së Kuvendit i tha BIRN se ligji vendos kufizime vetëm për subjektet që deklarojnë për herë të parë, ndërsa subjektet e tjera mund të mbajnë shumat që dëshirojnë në gjendje cash.
E pyetur nëse kjo gjë krijon premisa për korrupsion, Hysi përgjigjet se është detyrë e institucioneve që të nisin hetime sa herë që vërejnë mospërputhje mes të ardhurave të një zyrtari dhe pasurive të tij.
“Ligji nuk ka vënë kufizime për këto subjekte. Është detyrë e institucioneve ligjzbatuese të nisin hetimet nëse konstatojnë se ka mospërputhje…Nëse konstatohen mospërputhje, atëherë ILDKPI mund të referojë rastin në prokurori dhe ndaj tij të kryhen hetime,” tha Hysi.
Por Adnor Shameti, një tjetër deputet socialist në Komisionin e Ligjeve mendon se mbajtja e parave cash lë shteg dhe hapësira për korrupsion dhe se kufizimet duhet të zbatohen për të gjitha subjektet pa përjashtim.
“Jam i mendimit se çdo subjekt deklarues duhet të depozitojë në bankë çdo qindarkë që kalon kufirin e përcaktuar nga ligji, qoftë ai që deklaron për herë të parë, apo ata që bëjnë deklarim në vazhdimësi. Është banka që bën filtrin e parë, nëse paratë janë ose jo të pastra,” tha Shameti.
Deputeti Shameti i tha BIRN se paratë cash lëna hapësira edhe për manipulime në justifikimin e pasurisë, ndaj ai është i mendimit që ligji duhet zbatuar prerazi për çdo subjekt deklarimi.
“E them këtë pasi shumë nga subjektet deklarojnë shuma cash që mbajnë në shtëpi dhe këtu më lind dyshimi, se këto para mund të mos i kenë fare, por përmes akteve korruptive shpresojnë t’i vënë në të ardhmen. Kjo është një nga format që subjekti mbrohet përpara ligjit,” shtoi ai.
Për nënkryetarin demokrat të Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, kufizimet vetëm për subjektet që deklarojnë për herë të parë nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për rastin e gjyqtarëve.
“Në rastin e gjyqtarëve, kjo nuk mund të ketë ndonjë rëndësi të madhe, pasi ata vijnë nga shkolla e Magjistraturës dhe nuk jam në dijeni të kenë para cash në vlera të mëdha të siguruara nga shkolla. Ndaj në konkluzion gjykoj se çështja e parave cash të gjyqtarëve dhe zyrtarëve ka shumë rëndësi,” tha Halimi.
Deputeti demokrat thekson megjithatë se përveç ligjit të ILDKPKI-së, gjyqtarët dhe prokurorët duhet t’u nënshtrohen gjithashtu edhe rregullave të qarkullimit brenda sistemit bankar, të përcaktuara nga Drejtoria e Parandalimit ndaj Pastrimit të Parave.
“Por e rëndësishme është që paratë e deklaruara prej tyre jashtë bankave t’i justifikojnë me burime të ligjshme, por edhe t’i kenë të mbrojtura nga sistemi i deklarimit të pastrimit të parave,” shtoi Halimi.
Përveç korrupsionit të lartë në qeverisje apo në sistemin e drejtësisë, Shqipëria konsiderohet gjithashtu një vend me rrezik të lartë të pastrimit të parave nga organizmat ndërkombëtare të monitorimit. Raporti i vitit 2016 i Këshillit të Europës thekson se vendi përbën një rrezik domethënës për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe sistemit të dobët ligjor dhe të institucioneve.
Ekonomia informale në shkallë të gjerë konsiderohet një tjetër lehtësi për pastrimin e parave në Shqipëri. Ndaj depozitimi i parave në bankë shihet si një mënyrë për ta minimizuar këtë fenomen, ndonëse ligjvënësit dhe juristët nuk janë në një mendje për mekanizmat që duhet të aplikohen.
Deputeti Shameti i tha BIRN se depozitimi i parave në bankë nga zyrtarët e lartë është i rëndësishëm, pasi sipas tij e bën më të lehtë kontrollin mbi këto subjekte.
“[Institucionet] duhet të hetojnë me kujdes pasuritë e zyrtarëve të lartë për të kuptuar nëse ka mospërputhje mes burimit të të ardhurave dhe aseteve që deklarojnë. E vë theksin tek depotizimi i parave në bankë, pasi është më e lehtë për institucionet të bëjnë verifikimin e pasurive, pasi gjithçka është e kontrolluar,”tha Shameti.
Argumentimi i Shametit përballet megjithatë me jo pak kundërshtime.
Avokati Ardian Visha i tha BIRN se ligji është “ï pashpirt” në këtë drejtim, pasi nuk mund të detyrojë gjyqtarët dhe prokurorët që tí depozitojnë paratë në bankë, përsa kohë ata arrijnë tí justifikojnë ato me burime të ligjshme.
“ILDKPI apo institucionet e tjera hetimore kanë në duar jo pak mekanizma ligjorë për të kontrolluar pasuritë e zyrtarëve dhe për mendimin tim, ”tha Visha për BIRN.
Vasilika Hysi është pro kufizimeve ligjore, ndonëse e shikon këtë të lidhur edhe me mundësitë që ofrojnë sot bankat në vend. Sipas saj, pakësimi i parave cash është varësi të zgjerimit të mundësive për të paguar me karta krediti, ndërsa shton se ILDKPKI ka tashmë më shumë akses për verifikime në banka.
“Sipas mendimit tim, gjendja e cash mund të pakësohet duke marrë një sërë masash të tjera… dhe pse jo përcaktimi i një niveli pagesash, të cilat mund dhe duhen të bëhen vetëm me kartë dhe jo cash”, përfundoi ajo. /BIRN/