Për herë të parë, vëllezërit Habilaj u bënë të njohur për publikun nga Dritan Zagani, ish-shef i anti-drogës në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitarë në Vlorë.
Pikënisje kanë qenë dyshimet dhe më pas informacioni i bollshëm i oficerit të policisë, se përveçse Habilajt merreshin me trafik droge, përdornin për qëllimet e tyre edhe mjetin personal të ministrit të Brendshëm të sapoemëruar nga Rama, Saimir Tahirit.
Ashtu siç e tha edhe në Grupin Parlamentar në mbrojtjen e paprecedentë që Rama i bëri, Tahiri ka bërë një karrierë të vrullshme jo vetëm brenda PS-së, por edhe në qeverisjen e parë të Rilindjes. Nga një zëdhënës i zëdhënësve të Partisë Socialiste, që u lëpihej gazetarëve shkallëve të selisë, ai u zgjodh deputet dhe në parlament ju caktua roli i “të egrit”, “denoncuesit” dhe “replikuesit me fakte” për familjet e eksponentëve kryesor të mazhorancës së asaj kohe.
Pavarësisht se të gjitha i dolën shpifje edhe me vendime gjykate, kur erdhën në pushtet Edi Rama e shpërbleu duke i dhënë dikasterin më delikat dhe të rëndësishëm, siç është ministria e Brendshme.
Ky vendim i Edi Ramës në atë kohë habiti edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Aleati që e solli në pushtet, Ilir Meta, që në fillim e kundërshtoi fortë këtë zgjedhje, por edhe miku dhe guruja e vetë politike, Koço Kokëdhima, e paralajmëroi se po bënte një gabim të madh.
Por Rama dinte se çfarë bënte; nuk bëhej fjalë thjesht për shpërblimin e një deputeti “luftëtar” kur ishin në opozitë, por për njeriun e duhur që kishte lidhjet e duhura, për të realizuar atë që i ka plasur sot brenda vendit dhe në çdo kancelari të vendeve perëndimore.
Për ata që e njohin mirë “Saje Qorrin”, dalja në shesh e lidhjeve të tij me botën e krimit nuk përbën asnjë surprizë. Që në rininë e tij të hershme ai njihet si përdorues i drogova të lehta dhe më pas i atyre të forta, si kokaina e pastër “Kristal”. Për këtë “ves” ai është akuzuar shpesh publikisht, por asnjëherë nuk e ka përgënjeshtruar seriozisht. Në kohën që ka qenë në opozitë, Tahiri nën alibinë e rezistencës nga “të fortët e Berishës” mbulonte sektorin e “përdorjes” të të fortëve të tjerë, si kundra peshë: Veçanërisht në Tiranë dhe në zonën e jugut, nga Fieri, Vlora deri në Tepelenë e Gjirokastër.
Lidhja e tij me Habilajt është vetëm një pikë ujë, në skemën e ngritur që në opozitë nën bekimin e Ramës.
Së fundmi deputeti Enkeleid Alibeaj deklaroi, se organi i akuzës ka të dhëna se Saimir Tahiri ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës shumë më herët, se të bëhej ministër i Brendshëm. Pavarësisht se çfarë të dhënash dhe provash disponon prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë, ka shumë gjurmë të tjera që të bëjnë të besosh, se ky fakt është i vërtetë.
Me shumë gjasa, fundi i historisë së “ministrit më të suksesshëm të Rilindjes” nuk do të jetë ajo e një shtetari të lartë, që kapet nga krimi gjatë kryerjes së detyrës, por ajo e një personi të infiltruar nga krimi në kupolën e shtetit dhe pikërisht, si kapo i madh i policisë!
Gjurma I
Në një intervistë të 4 Shtatorit të vitit 2015, Dritan Zagani ndërkohë që kishte mbërritur në Zvicër për azil politik kishte lënë pas për opinion publik shqiptarë, një intervistë për gazetarin Basir Çollaku të zhvilluar në ambientet e shtëpisë së tij, ku qëndronte “ i arrestuar”.
Para kamerës, ai tregoi me detaje mënyrën se si zbuloi, se makinën e ministrit të Brendshëm e përdornin vëllezërit Habilaj për mbulim dhe trafik.
“Në një moment desha të verifikoja me kë do takohej A.D. (trafikant i dyshuar droge) në Vlorë. Aty pashë një Audi A8 me xhama të zi me targë “AA 003 GB”. A.D. zbriti nga makina e tij dhe u fut te Audi. U mundova ta ndjek, isha vënë re nga ata dhe në vend që t’i ndiqja ata më ndiqnin ata mua dhe e lash fare. Shënova targën e Audit. Nesër në zyrë futem në sistemin TIMS dhe kërkoj targën e Audit. Del emri i Saimir Tahirit. Ishte prill i vitit 2014, para se të më arrestonin. Makinën e ministrit e përdornin këta tre persona trafikantë në Vlorë. Se kisha marrë vesh ça po bëhej. Doja të verifikoja me kë u takua A.D.
Thirra direkt Skënderin, shefin e sektorit. Shikoje ça ka ktu i thash. Nuk e di ti tha? Këtë e mbajnë kushurinjtë e ministrit në Vlorë, vëllezërit Habilaj. Është makina e ministrit, e mbajnë ata”.
Deri në këtë moment duket se kemi të bëjmë thjesht me një rastësi, një aksident; Habilajt kanë tashmë në posedim makinën e ministrit, por trafikun e bëjnë pa dijeninë e tij.
Duket se fillimisht, i këtij mendimi ka qenë edhe Zagani. Prandaj ai i alarmuar njoftoi urgjent eprorët e tij (të cilët normalisht duhej të informonin deri te Tahiri) që të merrnin masat për të shmangur “përlyerjen dhe përdorjen” e ministrit nga Habilajt.
Në të njëjtën intervistë Zagani tregoi, se si një nga njerëzit më të besuar të Tahirit, Ervin Hodaj, ndërhyri për të liruar dy nga vëllezërit kur u shoqëruan në ambientet e policisë, pasi kishin fyer dhe kundërshtuar me forcë një kontroll të policie:
“Këtë makinë policia e ka ndaluar në dy të natës në autostradën Gjirokastër-Levan. Kanë bërë debat e sherr me çunat tanë. Nuk kanë pranuar të kontrollohen. Janë shoqëruar deri në drejtori. Kanë qenë të pirë dhe të shoqëruar me dy femra. Sa janë futur brenda kanë filluar të ofendojnë policat. Mori në celular drejtori, Ervin Hodaj, dhe tha lirojini ata. Aty mësova kush paska qenë në Audi atë nate (kur ndoqi trafikantin A.D). Pastaj në Vlorë e verifikova disa herë që e kishin ata”.
Më vonë Tahiri e shpërbleu Hodajn, duke e bërë drejtor të policisë së Tiranës.
Pra Habilajt jo vetëm përdornin një makinë që kishte imunitetin e letrave të ministrit, por kishin edhe mbrojtjen e hapur të drejtuesve të lartë të policisë në gjithë territorin e vendit (përfshi edhe doganat) ku lëviznin.
Vetëm pak muaj përpara se Partia Socialiste të vinte në pushtet Tahiri kishte blerë një makinë luksoze Audi A8 në vlerën 21 mijë euro. Por papritur edhe përse ai u bë tashmë ministër dhe kishte të ardhura të larta, ai e shiti atë më 5 nëntor 2013, vetëm dy muaj pasi kishte marrë detyrën e rëndësishme.
Këtu ja vlen të ndalemi ne, por veçanërisht Prokuroria e Krimeve të Rëna.
Së pari ku i gjeti Tahiri 21 mijë euro për të blerë një makinë kaq të shtrenjtë, kur ishte ende në opozitë vetëm me rrogën e deputetit?
Ja ka dhënë paratë babai, nga biznesi i ilaçeve? Ka një dokument që e vërteton këtë?
Apo ajo i është “shitur” nga Habilajt apo miq të tyre dhe më pas Tahiri, jua ka “rishitur” me 3 fish më pak të vlerës?!
Kur u vërtetua më pas nga hetimi, se ai edhe pasi jua ka dhënë Audin Habilajve duke mos ndryshuar pronësinë, e ka përdorur atë personalisht disa herë të tjera, alibia që ngre është se; nuk donte të përdorte makinën e punës, siç bënin pushtetarët para tij…
Por nëse është kaq korrekt dhe parimor, atëherë përse “e shiti” makinën?!
Është vërtetuar se Tahiri ka lëvizur me këtë makinë, edhe pas plasjes nga Zagani të fakteve, se Habilajt ishin trafikantë të fuqishëm droge.
Edhe sikur Zagani të shpifte dhe gënjente, si ka mundësi që një ministër i Brendshëm ti bjerë vërdallë Shqipërisë, të bëjë paradë përpara gjithë policisë së Jugut të vendit deri te ata në Doganë me makinën që rëndom përdorej nga persona kaq të përfolur? Kemi të bëjmë me një mesazh të qartë të ministrit, për policët?
Prandaj edhe ashtu siç tashmë është vërtetuar, asnjë efektiv policie nuk guxoi ta ndalonte makinën, që në pronësi figuronte në emër të Ministrit të Brendshëm, por edhe shfaqej personalisht në timonin e saj.
Gjurma II
“E kanë nisur që nga viti 1998. Janë marrë me trafik droge që në fillim. Këta kanë qenë goxha aktivë. Vonë shumë kanë hapur një biznes legal në Vlorë. Në 2010-ën kishin hapur një biznes për transport fruta-perimesh me Italinë dhe kishin vetëm një kamion. E mbaj mend kamionin e tyre. E shihja që shihnin se si jetonin në luks këta persona”, deklaroi për Hbilajt Zagani, gjatë një ndërhyrje me Skype nga Zvicëra në emisinin “Opinion” menjëherë pas plasjes së skandalit “Tahiri”.
Dhe vërtet, nëse mbledh dhe sheh nga larg vetëm ato pak fakte që kanë dalë deri tani për ndërlidhjen e fortë të Tahirit me Habilajt, panorama që të shfaqet tregon për grup të strukturuar që i ka fillesat shumë kohë më parë, se Tahiri të bëhej ministër i Brendshëm. Duket qartë se ka pasur një plan mes tyre, për çfarë do të bënin që nga vjeshta e vitit 2013 deri ditën që rranë në rrjetën e antimafias italiane.
Përveç makinës organizata posedonte edhe një skaf, që formalisht përdorej për xhiro turistike në vijën bregdetare në Jug.
“Saimir Tahiri kishte një skaf që mbahej për xhiro për pushime në jug në bregdet. Në mungesë të tij, ky skaf (jo shumë i fuqishëm) mirëmbahej dhe përdorej nga 3 vëllezër. Skafi ishte i regjistruar në emrin e Tahirit. Tre vëllezërit që e mbanin skafin ishin: A.H., M.H. dhe L.H. nga Vlora. Këta të tre ishin kontigjet i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite më parë. Këta u fuqizuar kur erdhi PS në pushtet”, ka deklaruar Zagani në të njëjtën intervistë të dhënë pak orë përpara se të arratisej për në Zvicër.
Sipas burimeve ky mjet lundrues, që të gjithë në atë zonë e njihnin si “skafi i Tahirit” vërtet nuk bënte transport droge Shqipëri-Itali, por ishte mjaft aktiv ditë e natë, përgjatë vijës bregdetare nga Fieri deri në Sarandë. Ekzistojnë dyshime të forta, se ai përdorej nga vëllezërit Habilaj për të bërë transport të brendshëm të drogës, deri në mjete ku kryhej ngarkimi përfundimtar drejt Italisë.
Gjurma III
Menjëherë pasi u zbuluan në publik nga Dritan Zagani të gjithë këto, Tahiri dhe vetë Edi Rama nisën një fushatë të paprecedentë për ti mohuar këto fakte. Të dy edhe në prani të gjithë trupit diplomatik e sulmojnë egër Zaganin dhe të gjithë ata që i dhanë zë në publik dëshmisë së tij, me të vetmin qëllim për ta bërë atë të pabesueshme, duke e politizuar çështjen.
Tërbimi dhe përpjekja e tyre për të mbytur këtë dëshmi tronditëse arriti deri aty, sa që intervista e Zaganit te News 24 u bllokua dhe nuk u dha e plotë siç ishte paralajmëruar.
“Një kriminel, një nga ata të cilët policia e shtetit, policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë nga radhët e veta; një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte opreacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi. Heroi!”, derdhi Rama përroin e zemërimit për atë oficer policie që denoncoi atë që më pas do ta vërtetonte antimafia italiane.
Por më shumë se tërbim për dekonspirimin që ju ishte bërë, këto fjalë ishin një mesazh i qartë për mbi 2 mijë policët që ishin të pranishëm në Pallatin e Kongreseve; Tahiri është i paprekshëm, ai jam unë…kush guxon të hetojë, ndërhyjë, flasë; është kriminel dhe do të përndiqet…
Por le të marrim variantin, se dy vite më parë Rama ishte i dezinformuar nga Tahiri për Zaganin. Nëse do të ishte kështu, ai do të sillej ndryshe sot, pas hetimit të antimafias dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në vend që ti kërkojë falje “kriminelit Zagani”, të lejojë dhe inkurajojë organin e akuzës që ta çojë deri në fund atë që ka zbuluar antimafia italiane, ai është tërbuar edhe më keq dhe po del hapur jo vetëm në mbrojtje të Tahirit, por edhe të gjithë atij zinxhiri të policisë së shtetit që ishte vënë në shërbim të Habilajve, për 4 vite rresht.
Koj dhe shumë të tjera, të paktën si perceptim, tregojnë se Rama ka qenë i kthjellët që përpara se të shpallte qeverinë në vjeshtë të vitit 2013, madje që në opozitë, për rolin e Tahirit brenda krimit të organizuar dhe i deleguar prej tij në kupolë e qeverisë.
SYRI.net