Ka rifilluar rreth orës 15:30 mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin e ndërpreë pas një pushimi disa minutësh.
Pritet që në mbledhjen që po zhvillohet me dyer të mbyllura 3 prokurorët e Krimeve të Rënda, Besim Hadarmataj, Elizabeta Ymeraj si dhe Gentian Osmani do të vijojnë me paraqitjen e provave sekrete, ndërsa në përfundim të shqyrtimit të tyre do vendoset nëse do t’i hiqet apo jo imuniteti ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në këtë seancë vijon të jetë i pranishëm dhe vetë deputeti Saimir Tahiri, i cili përfaqësohet nga avokati Artan Hajdari.
Fillimisht drejtuesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, prokurori Besim Hajdarmataj, i kërkoi komisionit që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit të hetimit.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli vendosi që një pjesë e punimeve të zhvillohen me dyer të hapura për shkak të interesit publik, ndërsa pjesa tjetër të zhvillohet me dyer të mbyllura, sipas kërkesës së Prokurorisë, për shkak të sekretit të hetimit.
Duke parashtruar një pjesë të argumentave që shoqërojnë kërkesën e prokurorisë, prokurori Hajdarmataj theksoi se “Prokuroria për Krime të Rënda gjatë vitit 2016, duke u bazuar nga disa informacione të ardhura nga një pjesë e organeve ligjzbatuese në vend, për çështjen e trafikimit të lëndëve narkotike, ka informacione dhe të dhëna se një grup personash, ku përfshihen edhe vëllezërit Habilaj, si dhe punonjës policie ishin të angazhuar në kultivimin e bimëve narkotike”.
“Kryesisht këtë aktivitet e zhvillonin në territorin e disa fshatrave të Vlorës. Në sekret të plotë kemi kryer hetimet në terren. Sipas informacioneve të përfshira në këtë aktivitet kishte edhe punonjës policie. Nga verifikimet në terren ka rezultuar se ekzistonte një informacion i tillë. Gjatë veprimtarisë hetimore kemi arritur të mbledhim prova dhe të dhëna se një grup personash, ku përfshiheshin edhe dy punonjës policie të drejtorisë së policisë Vlorë, që i krijonin mundësinë grupit të kultivonin lëndë narkotike të pashqetësuar nga Policia e Shtetit”, tha ai.
Prokurori Hajdarmataj tha se “nga të dhënat rezulton që kishte biseda kompromentuese në lidhje me deputetin Saimir Tahiri, si për pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal, por edhe se bëhet fjalë për dhënie-marrje mitesh dhe jemi para veprës penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të shtetit”.
“Ne do ta vijonim hetimin në fshehtësi të plotë, por duke qenë se të dhënat u bënë publike u detyruam të ndërhyjmë në fshatin Babicë dhe po vijojmë kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Këta persona e ushtronin aktivitetin e tyre në qetësi të plotë, ndaj në rastin konkret, krijohet bindja dhe dyshimi i arsyeshëm seështë i përfshirë në këtë aktivitet edhe deputeti Saimir Tahiri.
Kemi bërë verifikime dhe jemi të bindur që nuk i kanë as autoritetet italiane dhe as ato greke, që forcojnë dyshimin tonë se ato biseda përputhen me përgjimet që kemi bërë”,- tha Hajdarmataj.
Duke ruajtur sekretin e hetimit, prokurori Hajdarmataj përmendi vetëm rastin e makinës së deputetit Tahiri, që u shit te Habilajt dhe më pas, ashtu sikurse figuron në sistemin TIMS, u ripërdor nga ish-ministri Tahiri në Greqi.
Deputetët e maxhorancës kërkuan nga grupi i prokurorëve provat, që sipas tyre, inkriminojnë deputetin socialist, Saimir Tahiri. Prokurorët deklaruan se hetimi ka nisur kryesisht edhe mbi bazën e informacioneve të qarkulluara në media për përgjimet e realizuara nga pala italiane.
Duke marrë fjalën pas rreth 2.5 orësh debat mes prokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit të Mandateve, deputeti Saimir Tahiri tha se, “në 2015-ën ka bërë padi në Prokurori kundër Habilajt pas denoncimeve në media se automjeti tip “Audi” i shitur nga ai po përdorej për trafik droge, por prokuroria ka mbyllur çështjen”.
“A keni dijeni që më 11 shtator 2015 kam shkuar unë te Prokurori i Përgjithshëm pas akuzave për përfshirjen e makinës sime në trafik droge dhe kam kërkuar hetim?
Keni dijeni se në 2015 unë kam shkruar te Prokurori i Përgjithshme për përfshirjen e makinës sime për trafik droge dhe kam kërkuar hetim dhe pas paraqitjes sime keni regjistruar ju procedimin penal me nr 1582 për këtë çështje që u mbyll në 29. 12. 2015, keni dijeni? Keni dijeni është hetuar për këtë çështje? Unë po them se kam ardhur vetë të hetoni, e dini këtë”, tha Tahiri.