Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e themeluesit të Top Channel më 23 maj të vitit 2008 rikonfiguroi aksionerët e televizionit më të madh në vend, duke futur për herë të parë në menaxhimin e televizionit Vjollca Hoxhën, bashkëshorten e Dritan Hoxhës.
Për të paktën 8 vite, znj.Hoxha e cila mori edhe detyrën e administratores së shoqërisë, bashkëpunoi duke menaxhuar çdo çështje të kompanisë me dy aksionerët e tjerë, Albert Sino dhe Aurel Baçi të cilët zotërojnë 60 përqind të aksioneve.
Gjatë kësaj kohe, bashkëshortja e të ndjerit nuk ngriti asnjë pretendim mbi mënyrën e marrjes së aksioneve nga dy aksionerët e tjerë, por një kërkesë për vlerësimin e punës së saj si administratore ndryshoi gjithçka.
Ky do të njihet si momenti i pikënisjes së konfliktit ligjor në një prej çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Pikërisht pronësia e aksioneve të televizionit “Top Channel” ka bërë bashkë lobe të forta biznesi, të cilët nëpërmjet sistemit të korruptuar të drejtësisë po synojnë vjedhjen e pronës së dy aksionerëve kryesorë të televizionit.
Historia nisi më 26 janar 2016, kur Vjollca Hoxha dhe fëmijët e saj, të cilët të gjithë bashkë zotërojnë 40 përqind të aksioneve ju drejtuan me një kërkesë padi Gjykatës së Tiranës ku kërkonte njohjen e pronësisë edhe mbi 60 përqind të aksioneve që zotërohen nga Albert Sino e Aurel Baçi. Bashkë me këtë kërkesë padi znj.Hoxha kërkoi edhe marrjen e masës se sigurimit duke kërkuar ngrirjen e të drejtës së vendimmarrjes për dy aksionerët kryesor të televizionit.
Edhe pse padia është regjistruar më datë 26, brenda tre ditësh, ish-kryetari i Gjykatës së Tiranës, hodhi shortin që fillimisht përzgjodhi gjyqtarin Ervin Pollozhani, por ky i fundit u dorëhoq. Në të njëjtën ditë është rihedhur shorti, që këtë radhë përzgjodhi gjyqtaren Teuta Hoxha, e cila caktoi menjëherë seancën gjyqësore më datë 29 janar.
Nisur nga procedura e përzgjedhjes së gjyqtares, pala e paditur, në seancën përgatitore të datës 29 janar kërkoi përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha. Ndodhur përpara një kërkese të tillë, gjytarja Hoxha pezulloi gjykimin deri në një vendim mbi përjashtimin ose jo të saj.
Por pikërisht ketu ndodh çudia, pasi brenda një dite, Gjykata e Tiranës zhvillon tre gjyqe për çështjen Top Channel, ku pa praninë e palëve merr vendime kundër aksionerëve kryesorë të televizionit.
Pasojat e këtyre vendimeve vuhen ende dhe sot, pasi Gjykata e Apelit nuk ka zgjidhur ende çështjen në themel. Referuar kronologjisë së gjykimit, rezulton se data 5 shkurt 2016, mund të konsiderohet pa frikë si një ditë turpi për Gjykatën e Tiranës.
Në orën 08:45 të mëngjesit të kësaj dite, gjykata nis shqyrtimin e kërkesës së Vjollca Hoxhës për bllokimin e mbledhjes së aksionerëve që ishte kërkuar brenda afateve ligjore me qëllim vlerësimin e punës së administratores së Top Channel.
Në orën 10 të po asaj dite, gjyqtari Flamur Kapllani merr në shqyrtim kërkesën e palës së paditur për përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha. Edhe pse kërkuesit nuk ishin njoftuar, në mungesë të tyre gjyqtari Kapllani vendosi të mos përjashtojë gjyqtaren Hoxha, e cila po atë ditë bën çudinë. Pa asnjë njoftim, në orën 10:45, gjyqtarja Teuta Hoxha merr vendimin për sigurimin e padisë duke caktuar si masë sigurimi bllokimin e çdo të drejte që rrjedh nga aksionet për dy aksionerët Albert Sino dhe Aurel Baçi. Pra me këtë vendim, gjykata ndaloi aksionerët kryesorë të marrin vendime në shoqëri, edhe pse të dy ata zotërojnë 60 përqind të aksioneve.
Pas këtij vendimit pala e paditur depoziton një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës kundër gjyqtares Teuta Hoxha dhe në seancën e datës 15.02.2016, kërkon përjashtimin e kësaj gjyqtare nga gjykimi i çështjes.
Ndërkohë të paditurit kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë vendimin e gjyqtares Teuta Hoxha për masën e sigurimit që ndalonte aksionerët të merrnin vendime, ankim që u depozitua në Appel më datë 17.02.2016. Më datë 01.03.2016, gjyqtarja Irena Hoxha mori në shqyrtim kërkesën e dytë për përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha ndaj të cilës ndërkohë ishte depozituar kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës.
Gjyqtarja Irena Hoxha pranoi kërkesën e të paditurve dhe vendosi përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha. Dosja civile është rihedhur në short, ku është përzgjedhur gjyqtarja Marinale Osmani. Paralelisht në Gjykatën e Apelit u mor në shqyrtim ankimi për masën e sigurimit dhe me short u përzgjodhën gjyqtarët Zegjine Sollaku, Agim Bendo dhe Zamir Poda. Për dy nga gjyqtarët, Sollaku dhe Bendo, pala e paditur, kërkoi përjashtimin e tyre duke paraqitur dhe argumentet përkatëse.
Për gjyqtaren Sollaku, kërkesa u pranua, dhe ajo u zëvendësua na gjyqtari Gramoz Levanaj. Ky i fundit ishte përfolur si pjesë e trupës gjyqësore të kësaj çështja pa u hedhur ende shorti në Gjykatën e Apelit.
Teksa në Apel, palët kishin nisur betejën ligjore për masën e sigurisë, më datë 9.05.2016, gjyqtarja Marinela Osmani rrëzon kërkesën e paditësve Vjollca Hoxha e familjarëve të saj, duke njohur si pronarë të ligjshëm të 60 përqind të aksioneve të shoqërisë Albert Sino e Aurel Baçi. Po ashtu në këtë vendim është hequr edhe masa e sigurimit të padisë, që ishte marrë më datë 5.02.2016 nga gjyqtarja Teuta Hoxha. Duke qenë se ky vendim nuk është i formës së prerë, masa e sigurisë ishte në proces gjykimi në Gjykatën e Apelit Tiranë nga trupi gjykues i përbërë prej gjyqtarëve Agim Bendo, Yamir Poda dhe Gramoz Levanaj i cili kishte zevëndësuar gjyqtaren e përjashtuar Zegjine Sollaku.
Më datë 10.06.2016, Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për masën e sigurimit të padisë të marrë nga gjyqtarja Teuta Hoxha, e përjashtuar nga gjykimi i kësaj çështje, duke paraqitur si argument faktin se kjo masë sigurimi i jep garanci paditësit për gjykimin e themelit të çështjes. Vetëm në këtë mënyrë sipas vendimit, do të garantohej zgjidhja përfundimtare e çështjes. Por ky vendim është marrë pasi Gjykata e Tiranës kishte vendosur rrëzimin e padisë së themelit të çështjes dhe znj. Vjollca Hoxha kishte depozituar ankim në Gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi.
Ankimi është depozituar më 23.05.2016, në Gjykatën e Apelit për themelin e çështjes, ndërsa pala e paditur ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të shkallës së parë dhe Apelit për masën e sigurimit.
Që prej muajit qershor, gjithë konflikti u transferua në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku deri në shkurt të këtij viti, gjithçka qëndroi në qetësi. Në muajin shkurt, një trupë gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Ridvan Hado dhe Zegjine Sollaku morën në dorë dosjen Top Channel, për shqyrtimin e ankimit të Vjollca Hoxhës kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës që rrëzoi padinë e saj. Që në prezantimin e trupit gjykues, pala paditëse kërkoi menjëherë përjashtimin e gjyqtares Sollaku, pasi edhe më parë ajo ishte përjashtuar nga ky gjykim.
Pa u marrë ende vendimi për përjashtimin e saj, në korridoret e Top Channel qarkullonin zëra se ajo do të zëvendësohej nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj. Gjithçka u konfirmua një muaj më pas, kur “me short” gjyqtari Demiraj caktoi veten si pjesë të trupës gjyqësore. Pas këtij vendimi të pritshëm, të diktuar nga interesa të errëta, pala e paditur kërkoi menjëherë përjashtimin e Demirajt, por ky i fundit nuk nguroi të « vinte bast » në sallën e gjyqit se nuk do të largohej nga kjo çështje.
Dhe në fakt ashtu ndodhi, trupi gjykues që mori në shqyrtim kërkesën për përjashtimin e Demirajt vendosi ta rrëzojë atë, duke lënë pjesë të gjykimit kryetarin e Gjykatës së Apelit. Ndodhur në këto kushte, pala e paditur depozitoi një kallëzim penal në prokurori ndaj Hysni Demirajt, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe abuzime me hedhjen e shortit. Prokuroria pasi kreu verifikimet e para vendosi të regjistroi procedimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me procedurat e hedhjes së shortit në Gjykatën e Apelit për çështjen civile me paditës Vjollca Hoxhën dhe të paditur Albert Sino e Aurel Baçi.
Me këtë argument, të paditurit kërkuan sërish përjashtimin e Demirajt, ndërsa shtoheshin zërat në Top Channel se « e kishin mbyllur në Gjykatë ». Edhe pse prokuroria kishte regjistruar një procedim penal, sërish një tjetër trupë gjyqësore rrëzoi kërkesën për përjashtimin e Hysni Demiraj, duke konfirmuar kështu gjithçka ishte thënë deri në atë kohë se Vjollca Hoxha dhe biznesmenët që e mbështesin e kishin mbyllur këtë çështje në Gjykatë.
Të gjitha provat që zotërohen për abuzimet e njerëzve të drejtësisë, tashmë janë pjesë e një dosje voluminoze në prokurori, ku po hetohet një krim i paralajmëruar i drejtësisë shqiptare. Tashmë pritet nisja e gjykimit të kësaj çështje, ndërsa pjesë e trupit gjykues vijon të jetë edhe gjyqtari Hysni Demiraj që zyrtarisht është nën hetim nga prokuroria.
Sistemi i korruptuar i drejtësisë, biznesmenë me qëllime të errëta, gjyqtarë që shiten e blihen, si dhe eksponetë politikë nga të dy krahët, si rrallë herë më parë janë bërë bashkë për të grabitur aksionet e televizionit më të madh në vend që sot është në ditën e tij më të vështirë./ Citynews.al