Nga Jonida Tashi
Në një kohë kur ekranet e televizioneve tona ziejnë për krizën politike mes Bashës dhe Ramës, afromendsh pak kujt i bie në vesh lajmi se disa banorë të një fshati të vogël në Fier,Verri, kanë vijuar të protestojnë kundër impiantit të mbetjeve. Disa TV transmetuan shkurt kronika 1 minutëshe për çfarë ndodhi në Fier, si për ta pasur në listën e lajmeve edhe këtë ngjarje, ndërsa në asnjë studio në gjithë këto ditë nuk është gjetur asnjë hapësirë për të folur për problemet e këtyre njerëzve. Por përtej reagimit mediatik, ajo që vret më shumë në këtë ngjarje është mungesa e sensibilizimit qytetar. Subashi i Fierit ja ka mbyllur sytë edhe gojën mjaft qytetarëve të qytetit të tij, se ua ka zënë bukën në fyt me punën, disa të tjerëve me partinë, e me qeverinë.
Pas Kryeministrit Edi Rama, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi i ka mashtruar disa herë banorët e Verrisë. Vetëm pak ditë më parë, pas shumë përpjekjesh, ai pranoi të takonte pasdite vonë në errësirë, disa banorë të fshatit ku parashikohet ndërtimi i inceneratorit të mbetjeve urbane, si për t’i kërkuar falje për mungesën e reagimit, por jo të vëmendjes. Në takim, Subashi u premtoi banorëve se të hënën pas pushimit të festës së Pashkëve, mjetet e kompanisë private që do të kryejë punimet, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim për këtë çështje, do të largoheshin nga toka. Por, në fakt kanë kaluar dy të marta të tjera që prej asaj dite dhe asgjë nuk ka ndryshuar.
Banorët vazhdojnë të protestojnë çdo ditë në vendin e impiantit madje nën presionin e policisë së dërguar aty prej Subashit të Fierit. Por edhe kur banorët duan të protestojnë policia nuk u jep leje, sepse para miratimit u dashka të deklarohet se çfarë do shkruhet në pankarta, se sa është numri i protestuesve që do të dalin e të tjera marrëzi si këto. Madje, madje, në çdo protestë policia jo vetëm i ka ruajtur, por edhe i ka kërcënuar me arrestime banorët, sepse të dalësh të protestosh në prag fushate elektorale, megjithëse fati i zgjedhjeve po shkon për dreq, dëmton imazhin e Rilindjes, që beson në një mandat të dytë qeverisës bashkë me Subashin e Fierit. Sot, nënat e atij fshati bashkë me fëmijët kanë marshuar nga shtëpitë e tyre drejt Bashkisë së Fierit, për t’i treguar Subashit dhe gjithë qytetit se sa gra dinjitoze janë për të mbrojtur jetën. Prej ditësh me këto nëna, që Subashi i ka tallur dhe i ka poshtëruar, kanë braktisur punët e shtëpisë për të protestuar në vendin e impinatit, pranë tokave të tyre. Sot më shumë se kurrë ato gra fisnike dhe heroina janë të vendosura për luftuar për ajrin që thithin, e vetmja gjë që u ka ngelur e pastër.
Unë e di me siguri që votat e një fshati të vogël me 400 shtëpi nuk përbëjnë asnjë shqetësim as për Ramën e as për Subashin, por protesta, po. Po, sepse Rama premoi se do ta rilindte edhe fshatin kur erdhi në pushtet. Në fakt në atë fshat nuk ka as rrugë, as ujë, e as kanalizime. Të mendosh për pastrimin e plehrave dhe ndriçimin do ishte e tepërt, megjithëse banorët i paguajnë rregullisht Bashkisë së Subashit taksën e pastrimit dhe gjelbërimit. Pak kohë më parë, ishte po Rama që i mashtroi fermerët e shkretë me matrikullimin e bagëtive, në të kundërt qumështi i tyre nuk do të shitej. I regjistruan lopët të shkretët nga frika për të qenë në rregull me shtetin, paguan çfarë duhej për matrikullim, ndërsa sot askush nuk do të dijë më se çfarë ndodh me njerëzit jo më me lopët e fshatit.
Ndaj sot, ata njerëz kanë një arsye më shumë për të mos votuar më për Edi Ramën dhe Rilindjen, që nuk ua pa kurrë bojën dhe ua bëri edhe më të vështirë jetën e fshatit. Sot, banorët e Verrisë po luftojnë të vetëm për të shpëtuar jetën e të gjithë myzeqarëve. Inceneratori apo impianti modern i mbetjeve, siç thotë Kryeministri, nuk është e keqja vetëm e një fshati. Shumë e kanë marrë lehtë këtë histori. Të parët janë banorët e tjerë të Fierit që mendojnë se ky është një hall që u përket vetëm atyre të atij fshati. Kështu ndodhi në fakt edhe kur u protestua në dy fshatra të tjerë të Fierit, po kundër impiantit të mbetjeve, në Mbyet dhe në Mbrostar, sepse në këtë vend e keqja shihet si e keqe vetëm kur të vjen te pragu i derës tënde dhe jo te e komshiut. E ndërsa gjithë opinioni publik zien se si do shkojë halli mes Ramës dhe Bashës, do ishte më mirë që të gjithë të mendonim se si do shkojë halli i njerëzve me shumë halle në këtë vend. Ndoshta pas 27 vitesh farsë demokracie, revolucioni për të ndryshuar reagimin qytetar duhet të nisë nga mesi i Shqipërisë dhe jo nga çadra që ka ndarë në mes bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.