Nga Boldnews.al
Një hetim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi se në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve paguhej rryshfet për të fituar tendera. Bëhet fjalë për tenderat e ushqimeve për të burgosurit të cilat kapin vlera të konisderueshme, miliarda lekë. Hetimet, përgjimet por dhe dëshmitë e mbledhura treguan se zyrtarët e dyshuar për korrupsion janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto dhe zëvendësi i tij Iljaz Labi. Të dy këta zyrtarë tashmë janë të arrestuar ndërsa të dy u emëruan në këto detyra nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Arrestimi i tyre erdhi pas tri vitesh në detyrë, ndërsa prokuroria referuar dëshmive tregoi se për tenderat objekt hetimi, ishte paguar deri në 20 përqind të vlerës. Gjithçka ndryshoi pasi dy drejtorët e LSI-së nuk po i bindeshin më partisë së tyre dhe nuk vonoi shumë që ata të përfundonin në burg. Madje arrestim i ish-drejtorit Zoto ishte përfolur qysh në kohën kur një shtetas kosovar u la i lirë nga burgu i Shënkollit, por ajo ngjarje kaloi me një hetim ende të pa përfunduar për drejtuesit e këtij burgu.
Sipas marrëveshjes për ndarjen e tortës së pushtetit mes PS dhe LSI, brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, disa pozicione pune të rëndësishme i takojnë edhe Partisë Socialiste. Por kushdo që ka tentuar apo që ka nisur të jetë pjesë e këtij insistucioni i propozuar nga PS nuk i ka shpëtuar dot “lakut” të LSI. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, e cila edhe pse ka ndërruar tre ministra deri tani, vijon të ketë kontroll të plotë mbi këtë institucion. Pra Drejtësia që ka në varësi Burgjet administrohet nga LSi dhe gjithë struktura e burgjeve po ashtu drejtohet nga njerëz të emëruar apo të propozuar nga kjo parti. Për të forcuar kontrollin mbi burgje, në krye të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm u emërua një avokat, i cili sipas një shkrese të publikuar në media ishte përjashtuar dy herë nga radhët e Policisë së Shtetit. Por çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe dhe cilat kanë qenë konfliktet me njërëzit e PS.
I pari që ra në kurthin e LSI ishte Bledar Skënderi, zv.Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, aktualisht anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Skënderi nëpërmjet një letre informonte kryeministrin mbi problematikën e punësimit nga drejtuesit e LSI në burgje. Ai tregonte se në institucionet që drejtonin njërëzit e propozuar nga PS ishte respektuar marrëveshja, ndërsa në ato që drejtoheshin nga LSI, kjo marrëveshje nuk ishte marrë parasysh. Për të konfirmuar këtë informacion Skënderi i dërgoi kryeministrit numrin e personave të emëruar në burgje sipas të cilit rezulton se PS kishte emëruar 300 persona ndërsa LSI 462. Por edhe pas këtij informacioni asgjë nuk ndodhi dhe LSI vijonte të kishte në zotërim Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Skënderi e mohoi publikisht dërgimin e letrës, por pak kohë pas publikimit të saj ai u largua nga kjo detyrë për t’u mbështetur nga Partia Socialiste si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Largimi i Skënderit i la po aty problemet mes PS dhe LSI në Burgje, të cilat jnë të shumta pasi kanë të bëjnë me një institucion tepër delikat. Këto probleme nisin me emërimet, vijojnë me biznesin brenda burgjeve, tenderat miliardësh e deri tek lejet “shpërblyese” për të burgosur të veçantë.
Pas “eleminimit” të një zyrtari të rëndësishëm siç ishte zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, njohës i mirë i ligjit dhe që vinte në detyra shtetërore nga fusha e avokatisë, sulmi nisi ndaj një tjetër drejtuesi. Ish-drejtori i Burgut të Fierit, Arjan Hasani u shkarkua nga detyra me urdhër të ish-ministrit Manjani i cili në analizën vjetore, pak para largimit si ministër kërkoi ndjesë për këtë shkarkim, duke thënë se kishte larguar nga detyra një nga drejtuesit më të aftë të sistemit të burgjeve. Por edhe pas këtij vendimi nuk pati asnjë reagim nga Kryeministri apo njerëz pranë tij, të cilët janë informuar peridokisht mbi problematikën që haset në sistemin e burgjeve dhe konfliktet mes drejtuesve të propozuar nga PS dhe atyre të LSI. Largimi i Hasanit nga burgu i Fietrit, një burg ky që ka 700 veta staf, LSI i dha një tjetër goditje sigurisë në burgje duke shkakarkuar një zyrtar të rëndësishëm. Petrit Koshaj, një oficer karriere i cili mbajti detyrën e Drejtorit të Policisë së Burgjeve u shkakrua nga detyra pak ditë më parë me urdhër të ministrit të ri të drejtësisë, Petrit Vasili.
Argumenti i përdorur nga Vasili ishte “mangësi të theksuara në detyrë” nga Drejtori i Policisë së Burgjeve. Një ndihmë të veçantë për shkarkimin e tij nga detyra ka dhënë edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, i cili drejtohet nga avokati Ramazan Topuzi. Pas një kontrolli të kryer nga SHKB e burgjeve, ndaj Koshajt u dërgua një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas dyshimeve se ai kishte shpërdoruar detyrën. Kallëzimi i referohej shoqërimit të një të burgosuri, kur drejtuesi i burgut përkatës kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për ruajtjen e vendit ku ndodhej ky i burgosur, kërkesë kjo e cila ishte miratuar edhe nga drejtori i Policisë së Burgjeve, Koshaj. Pas këtij kontroll erdhi edhe shkarkimi i tij nga detya. Ndërsa avokati (avokat është titull që të shoqëron gjatë gjithë jetës) që drejton SHKB-në e Burgjeve, ka mbrojtur në gjykatë pilotin italian Xhorxho Riformato i cili u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik droge me avion. Avioni i drejtuar prej tij ngeci në plazhin e Divjakës në tentativë për të marrë një ngarkesë droge me qëllim trafikimin në Itali. Sipas një shkrese të publikuar në media, avokati Topuzi më herët ka qenë dy herë i përjashtuar nga Policia e Shtetit.
Pasi ka “hequr qafe” njerëzit e propozuar nga PS, të cilët i ka konsideruar si pengësë, drejtuesit e LSI kanë vijuar të qetë punën, si në emërime, ashtu edhe në punët që bëjnë brenda burgjeve. Pak ditë më parë në media u publikuan dokumente dhe urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani i cili lejonte një person të dënuar të hapte biznes brenda burgut të Fierit. Më herët ky biznes nuk ishte lejuar nga drejtori Hasani, i cili u shkarkua nga detyra. Thuajse e njëtja situatë është edhe në burgjet apo paraburgimet e tjera të vendit, ku shërbimin e shitjes ndaj të dënuarve e kanë marrë njerëz pranë deputetëve të zonave përkatëse, apo kontribues të tyre gjatë fushatës zgjedhore të LSI. Fieri është shebulli më i mirë për këtë, por nuk ka munguar as raste të tjera si Rrogozhina. Por përveç biznesit në burg, emërimet janë një tjetër problem që në një kontroll të mundshëm do të zbulohen lehtësisht. Sipas informacioneve që disponon Boldnews.al mbi 150 emërime në radhët e policisë së burgjeve apo personelit ndihmës janë bërë jashtë kritereve ligjore. Qershia mbi tortë janë lejet për të dënuarit. Boldnews.al disponon informacione se një i dënuar ka përfituar 6 herë leje shpërblyese në harkun kohor të 25 ditëve.