Nga Artan Rama
Një grup aktivistësh janë gdhirë në sheshin në hyrje të portit në Durrës, atje ku një muaj më parë, në një rrethanë jo të pritshme, u zbuluan rrënoja arkeologjike. Një ditë më parë, ata festuan virtualisht duke brohoritur përmes statuseve një vendim të Gjykatës së Durrësit që zgjeron zonën e mbrojtur dhe ndalon punimet publike pranë rrënojave.
Por vendimi është marrë në 3 mars dhe ndonëse kallëzimi u depozitua në 20 shkurt, Prokuroria e Durrësit vazhdon të hetojë pa ndonjë përfundim të veçantë, ndërkohë që punimet po shkojnë drejt fundit.
Për të kuptuar dhe për të qartësuar dyshimet e shkaktuara prej pretendimeve të pakonfirmuara, vendosa të shoh nga afër një situatë e cila prej muajsh ka tensionuar marrëdhëniet mes disa prej zyrave kryesore të administratës së këtij qyteti dhe mbi të gjitha, ka shkaktuar një reagim të fortë publik.
***
Ende pa shkuar ora 8, në terren mbërritën disa arkeologë. Mbi rrënojat e famshme të bastionit osman, pranë kullës veneciane, drejtuesi i njësisë po shënon mbi hartë. Matanë rrugës së vjetër, aty ku fillon zona B arkeologjike, sipërmarrësit e punimeve kanë zbritur pesë metra nëntokë, në një galeri të sapohapur dhe po shtrojnë shufra hekuri mbi shtratin e zbuluar të rrugës. Bëhet fjalë për një nënkalim, çatia e të cilit do të shërbejë si dysheme për pedonalen e re. Më tej, ajo do të shtrihet në zonën A arkeologjike, duke prekur pashmangshmërisht edhe rrënojat. Është pra, kjo ndërthurje shtresash të cilën aktivistët e kundërshtojnë.
Fare pranë, përballë sheshit ku zhvillohen punimet, Gjykata Administrative ka ndryshuar vendimin e shpalluar gjatë një seance gjyqësore! Bëhet fjalë për një vendim të marrë në datën 16 shkurt, që shënon dhe përpjekjen e parë të aktivistëve për të ndaluar punimet për Velierën. Por në mënyrë jo të zakontë, vendimi përfundimtar i nxjerrë të nesërmen, ndryshoi prej procesvebalit të regjistruar në sallë!
Sipas avokates Mirela Jorgo, “Gjykata vendosi të ndërpriten punimet në vendin ku janë gjetur fragmentet arkeologjike. Por të nesërmen, në vendimin përfundimtar, vumë re një shtesë fjalësh në kllapa: Në seksionin ku ndodhet pallati”.
Ledio Braho, një avokat i specializuar në fushën e të drejtës publike, shprehet se “Pas shpalljes së vendimit, gjykata nuk mund ta ndryshojë atë, përveç se në prani të palëve, në një tjetër seancë. Procesverbali audio i seancave gjyqësore përbën procesverbalin zyrtar të seancës dhe për sa kohë që nuk ka një vendim të gjykatës për ndreqjen e ndonjë gabimi, shtimit të përmbajtjes brenda kllapave (si në rastin në fjalë), pjesa urdhëruese e vendimit të gjykatës është ajo e regjistruar në audio në momentin e shpalljes e cila pra, duhet të ekzekutohet”.
“Është vetëm një saktësim, – shprehet gjyqtarja Marjana Velçani, e vendosur t’i thërrasë palët në seancë të re ankimimi.
Përtej dritareve të Gjykatës, sheshi i ndërtimit shihet si në pëllëmbë të dorës! Por me ç’duket as ky privilegj nuk e pengon zj. Velçani të kryejë këtë saktësim.
Sipas aktivistëve kjo shtesë në kllapa që kufizon hapësirën e mbrojtur i ka dhënë mundësi investitorit të vazhdojë punimet brenda zonës A arkeologjike.
***
Ditë më pas, një mëngjes, mes rrënojave arkeologjike u vunë re disa armatura betoni, një pjesë e të cilave kishin dëmtuar strukturat e gjetjeve! Çfarë ndodhi? Si depërtuan vallë këto shufra hekuri në një zonë të siguruar me një vendim gjykate? Arkeologët ngrejnë supet. Zbatuesit në kantier refuzojnë të përgjigjen.
Rudina Zoto, Sekretarja e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë më shpjegoi se “çështja është në proces hetimi dhe gjykimi nga organet kompetente”.
Por duket se një pjesë e këtyre organeve kompetente mendon ndryshe. “Nëse janë dëmtuar strukturat arkeologjike, autoritetet që i mbrojnë ato duhet të kishin bërë kallëzim penal, – thotë drejtuesi i prokurorisë së Durrësit, z. Agron Gjana.
Në fakt, i vetmi kallëzim i bërë deri tani i takon një grupi qytetarësh. Për ndonjë gjobë, as nuk bëhet fjalë.
“KKA-ja dhe Ministria e Kulturës po shpërdoron detyrën”, – vazhdon më tej z. Gjana. ”Kemi kërkuar prej tyre informacion por nuk na janë përgjigjur”.
Është fakt se korrespondencat e fundit dëshmojnë një shkëmbim shkresor mes dy institucioneve, por ajo çka konsiderohet e plotë prej ministrisë së kulturës rezultuaka e pamjaftueshme për Prokurorinë e Durrësit.
Kështu ndodh gjithmonë! Institucionet akuzojnë njëri-tjetrën, ndërkohë që keqbërësit nuk ndëshkohen.
Qysh prej një muaji arritja e vetme e prokurorisë është sekuestroja e pjesshme e cila ka ndaluar punimet në pjesën e sipërme të rrugës, aty ku ndodhet zona A arkeologjike.
Por Lorisa Ylli, një e re, kundërshtare e projektit Veliera pretendon të kundërtën: “Punimet po vazhdojnë edhe pas ndalimit në zonën A arkeologjike, madje dhe natën!”
Ndërkohë, në më shumë se dy muaj, qysh në 4 shkurt kur firma zbatuese pezulloi punimet dhe katër ditë më pas në 8 shkurt, mbikëqyrësi njoftoi ndërprerjen e tyre, kur një javë më pas, në 16 shkurt, Gjykata Administrative “vendosi të ndalojë punimet pjesërisht, kur në 22 shkurt, pasi kqyri vendin e ngjarjes për herë të dytë, Prokuroria iu drejtua Gjykatës për vendosjen e një tjetre sekuestro preventive e kur më në fund, në 3 mars, Gjykata Penale i ndaloi, përfundimisht punimet në zonën A arkeologjike, pra në tërë këta dy muaj, një gjë mund ta themi me siguri të plotë: Punimet nuk paskan ndaluar asnjëherë! E tërë kjo betejë ligjore e ndërthurur me rrokopujën dhe entuziazmin e aksionit qytetar ka shënuar veçse fitore të parëndësishme, duke i përcjellë opinionit një triumf me përmasa të ekzagjeruara!
***
Ndërtesa e Bashkisë është nga të paktat që nuk e ka ndryshuar funksionin qysh prej ndërtimit në vitin 1928 nga italianët.
Vangjush Dako, partner i preferuar që ilustron vizionin e kryeministrit Rama për rikonceptimin e qendrave urbane ka çfarë t’i lërë qytetit në jo më pak se dhjetë vjet si kryetar i bashkisë.
Shkallët qëndrore të stilit imperial në brendësi të ndërtesës kulmojnë në katin e sipërm, në zyrën e tij të madhe. Përtej dritares, në krahun verior, shihej vazhdimi i murit antik. Poshtë në zbritje, aty ku kodrina takohet me bulevardin Epidamn, zgjatej një tjetër mur, ai otoman.
“Kjo është një vepër moderne, – sqaron kryetari, duke mos e fshehur entuziazmin për Velierën.
Duket se reagimet dhe kundërshtitë nuk e shqetësojnë. “Ne do të vazhdojmë punën. Kemi apeluar. Nuk e kemi kuptuar asnjëherë se përse duhet një sekuestro!”
-Por z. Dako, ju mund ta kishit parashikuar një situatë të tillë”, ndërhyj unë. – “Ju projektuat në një zonë të mbrojtur!”
– “Jo, ishin arkeologët që nuk e parashikuan”, – u shfajësua, duke shpalosur në tryezë projektin e rikonceptuar. “Ja, shiko! Do të jetë si një muze i hapur”. Përpara m’u shfaq një strukturë e vrimëzuar. Rigat e verdha ndiqnin një trajektore, me siguri në përputhje me linjat e strukturave të nëndheshme…
”Në pjesën e poshtme të pedonales konstruktorët italianë kanë projektuar këto çarje rrethore, ku qytetarët nga sipër mund t’i vështrojnë rrënojat përmes xhamit, – përfundoi, duke zbuluar kështu detajet e një projekti ende të pashpallur.
-Po muri bizantin?
– Jo nuk do të preket.
“Por as nuk do të zbulohet”, mendova. Sa keq! Natyrisht, projekti pritet të miratohet prej KKA-së. Por a mund të ndryshojë ai? Shpresat janë të zbehta!
Ndërkohë që ende protestohet, merren vendime për ndalime punimesh apo shkëmbehen numra protokollesh, Vangjush Dako, këtu në Durrës, nuk pengohet aspak për një zgjidhje të cilën ai beson se i takonte vetëm pushtetit të tij.
Kështu, një numër veprimesh apo mosveprimesh mbështetëse të kombinuara me arbitraritet e propagandë, ndonëse në një sërë rrethanash jo të favorshme, i kanë dhënë mundësi kryetarit për ta sjellë projektin e zbatimit në një pikë të pakthyeshme!
Asistentja njoftoi se konstruktorët italianë mbërritën. Ndërsa zbrisnin shkallët në hollin qëndror, disa qytetarë brohoritën: “Kryetar… Veliera, Veliera!” Ndoshta menduan se isha unë një prej konstruktorëve të saj. Isha thjesht në domeinin e tij.
Në dalje, në “Sheshin Liria”, Marco Casamonti, autori i Velierës, gjendej mes grupit të inxhinjerëve italianë. Kureshtja më shtyu t’i vonoj për pak minuta. Një grup pyetjesh të drejtpërdrejta më dhanë mundësi të rrëmbeja disa përgjigje.
“Projektet tuaja janë të famshme, por mjaft të diskutueshme, ndërkohë që janë mbështetur publikisht prej kryeministrit të vendit”, – i thashë. Por arkitekti fiorentin nuk ka komplekse për punën e tij. “Të gjitha projektet e rëndësishme në histori kanë hapur debate të mëdha”, shpjegon ai. “Kjo tregon se nuk janë banale, por demokratike. Një pjesë kanë qënë projekte private dhe janë shpallur fituese përmes një jurie ndërkombëtare. Nëse juria më ka zgjedhur, atëherë nuk është faji im”.
Por kur e pyes, nëse është një mik i kryeministrit, ai përgjigjet: “Jam mik i atyre politikanëve që duan të bëjnë gjëra të bukura për vendin dhe qytetin”.
Ka ekzistuar një raport i hershëm mes politikës dhe arkitekturës. Një lidhje e qënësishme, e domosdoshme si kolona që mban tërë strukturën.
Në fillimet e Shqipërisë moderne, arkitektët fashistë konceptuan qendrat kryesore urbane. Përmes krijimtarisë dhe simbolikës ata përcollën vizionin e një ideologjie.
A po i përdor sot Edi Rama arkitektët italianë për të vizualizuar mesazhet e tij, të vlefshme edhe për shumë kohë pasi të jetë larguar nga politika? Apo është thjesht, një fasadë, pas së cilës fshihen spekulantë dhe përfitues shumash të majme financiare? Një gjë është e sigurtë: në debatin ku ndërthuret aksioni politik me reagimin popullor ka mjaft propagandë dhe kontroll.
Inxhinjerët largohen drejt kantierit, atje ku sipërmarrësit ndërtojnë nënkalimin e ri të makinave. Sipër do të shtrihet pedonalja e re, nën të famshmen strehë, atë të Velierës. Dhe nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, poshtë kësaj çadre gjigande, qytetarët mund të shohin një pjesë të historisë së shkuar të qytetit. Le të shohim.