Në nëntor të vitit 2015, qeveria shqiptare u dënua nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut të paguajë mbi 2 milionë euro për tre familje të shpronësuara nga regjimi komunist. Në gjyq, shteti shqiptar mbrohej nga Avokatja e Shtetit, Alma Hiçka. Paditësi ishte bashkëshorti i saj, Envi Hiçka, me studion e tij, Haxhia & Hajdari.
Gjyqi për këtë çështje ka nisur në dhjetor të vitit 2013. Në atë kohë, bashkëshorti i avokates së Shtetit, përveçse një nga avokatët kryesorë të studios Haxhia & Hajdari, ishte aksioner i saj duke zotëruar 5 për qind të kuotave.
Ai i Sharrës kundër Shqipërisë nuk është një rast i izoluar. Syri.net publikon dokumentat ekskluzivë që faktojnë se si gjyqet kundër Shqipërisë në Arbitrazhin Ndërkombëtar janë shndërruar në biznesin familjar të Avokates së Shtetit.
Skema funksionon përmes një qarku të mbyllur, ku interesat kombëtare të shtetit shqiptar tregtohen brenda një familje. Shqipëria paditet në gjykatat ndërkombëtare nga bashkëshorti i Avokates së Shtetit dhe mbrohet nga Avokatja e Shtetit.
Faktet tronditëse dëshmojnë se përmes kësaj skeme, shteti shqiptar është dënuar me dhjetëra milionë euro nga gjykatat ndërkombëtare. Dokumenti më poshtë është vendimi në çështjen Sharra dhe të tjerë, ku Shqipëria humbi mbi 2 milionë euro. Por ky nuk është i vetmi.
Një tjetër rast i bujshëm është ai i çështjes Delijorgji kundër Shqipërisë. Në këtë rast studio përfaqësuese e Mihal Delijorgjit ishte sërish Haxhia&Hajdari, respektivisht me avokatët Elira Kokona dhe Maks Haxhia, ndërsa shteti shqiptar mbrohej nga avokatja e shtetit Alma Hiçka.
Në atë kohë, Elira Kokona ishte sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Kulturës çka përbën një tjetër skandal, ku një nëpunës i lartë i shtetit padit shtetin. Por skandali thellohet më tej, pasi avokati tjetër, Maks Haxhia, ishte ortak me bashkëshortin e Avokates së Shtetit, Alma Hiçka. Kjo e fundit mbronte shtetin shqiptar nga padia e studios së bashkëshortit të saj. Edhe këtë herë çështja u humb. Qytetarët paguan kosto jo të vogla, ndërsa gjykata i ktheu të gjitha pronat e sekuestruara biznesmenit Delijorgji.
Biznesi miliarder
Në 60 çështje të komunikuara në Janar të vitit 2014 kundër Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, 15 prej tyre përfaqësoheshin nga studio ligjore, me ortak bashkëshortin e Zonjës Hiçka, pavarësisht se nuk përfaqësonte vetë personalisht. Mjaftoi vetëm një vit për të parë rezultatet.
Në rastin Sharra kundër Shqipërisë ( Nëntor 2015) , Delijorgji kundër Shqipërisë( Prill 2015) e shumë e shumë çështje të tjera në GJEDNJ, qytetarët shqiptar kanë paguar miliona euro, të paditura nga Envi Hiçka dhe të pambrojtura nga Alma Hiçka.
Por çështja më e bujshme e familjes Hiçka mbetet marrëveshja me CEZ. Envi Hicka, i shoqi i Avokates së Shtetit ishte avokat i kontraktuar nga CEZ Shpërndarje në çështje, që kjo kompani kishte ngritur kundër Drejtorisë së Tatimeve për një vlerë prej 8 milionë euro.
Bëhet fjalë për abuzime dhe evazion fiskal që kompania çeke kishte kryer gjatë kohës që zotëronte rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Të gjitha këto vepra më vonë u amnistuan në marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim. Personi që formuloi nenin 9 të marrëveshjes që amnistoi penalisht drejtuesit e CEZ ishte Alma Hiçka, Avokatja e Shtetit Shqiptar dhe Bashkëshortja e avokatit të CEZ.
Syri.net