Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë pjesërisht ankesën nga operatori ekonomik “2 T” sh.p.k. për procedurën konkurruese me objekt ndërtimin e Terminalit të Transportit Publik Tiranë, një projekt i Bashkisë së Tiranës.
Vlera totale e projektit është 2.093.070.602 lekë (pa TVSH) ose 15.477.857,31 Euro (pa përfshirë TVSH). Gara ishte parashikuar për t’u zhvilluar në datën 27.02.2014, nga autoriteti kontraktues Bashkia Tiranë.
Mirëpo shoqëria “2 T” sh.p.k. është ankuar në Komisionit e Prokurimit Publik se Bashkia e Tiranës ka modifikuar dokumentat e procedurës konkurruese.
Në datën 04.01.2014 është publikuar në portalin elektronik të prokurimeve, procedura konkurruese, ndërsa në datën 16.01.2014, operatori ekonomik ankimues “2 T” sh.p.k., ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke kundërshtuar kriteret e kualifikimit.
Kompania ankimuese argumenton se gara është një procedurë ndërkombëtare ku lejohet pjesëmarrja e ofertuesve të huaj dhe paraqitja e një oferte prej tyre, çka nënkupton se në këtë procedurë koncensioni/partneriteti publik privat lejohet pjesëmarrja jo vetëm e ofertuesve të mundshëm të regjistruar në Republikën e Shqipërisë por edhe atyre të cilët operojnë dhe kanë seli jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Lejimi dhe ftesa për pjesëmarrjen e ofertuesve të huaj do të thotë përveçse lejimit të garimit të tyre në këtë procedurë dhe lehtësimin ose shmangien e kritereve të cilat lidhen drejtëpërsëdrejti me kritere/leje/licenca/vërtetime të cilat lëshohen vetëm në Republikën e Shqipërisë.
Sipas ankimuesit rereferuar sa më sipër, është dhe vetë Bashkia e Tiranës, nëpërmjet dokumentave sqaron se në rastin e ofertuesve të huaj nëse në vendin e origjinës nuk lëshohet një dokument i kërkuar në kushtet e përgjithshme për kualifikim mjafton plotësimi i deklaratës ku të sqarohet se në vendin e origjinës nuk lëshohet një dokument i tillë.
Por vijimi më poshtë i kritereve të kërkuara bie ndesh me këtë parim dhe atë të konkurrimit ndërkombëtar pasi në shtojcën 9 nga Bashkia e e Tiranës kërkohen dokumenta të cilat pengojnë konkurrencën e lirë, kritere të cilat kufizojnë dhe përjashtojnë pjesëmarrjen e ofertuesve të huaj.
“Për operatorët e huaj të bëhet njehsimi i licencës profesionale që disponojnë nga vendi i origjinës pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në plotësim të licencave profesionale të kërkuara për ekzekutimin e kontratës”.
Ankimuesi pretendon se kërkea e Bashkisë së Tiranës që për operatorët e huaj të bëhet njehsimi i licencës profesionale është diskriminues, pasi referuar VKM nr. 42, dt. 16.01.2008 “Për miratimin e rregullores kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”, kërkohet që në rast të njësimit të licensës duhet regjistruar dega e shoqërisë së huaj në Shqipëri.
Pra të marrësh pjesë në procedurën e PPP-së si një ofertues i huaj duhet jo vetëm të hapësh degë në Shqipëri por dhe kesh kryer dhe njësimin e licensës. Akoma dhe më groteske bëhet përpjekja e AK kur kërkon përveç çertifikatave ISO (të cilat në thelb garantojnë subjektet e tjera shtetërore ose private mbi cilësinë e shërbimit ose mallit që ofrohet) kërkohen edhe QKL të ndryshme të cilat jo vetëm nuk lëshohen në asnjë vend tjetër por kufizojnë haptazi pjesëmarrjen e ofertuesve të huaj në këtë procedurë, thuhet në ankesë.
Komisioni i prokurimit Publik pasi ka shyrtuar në detaje ankesën i ka dhënë të drejtë pjesërisht kompanisë 2T dhe i ka kërkuar Autoritetit kontraktues (bashkisë së Tiranës) të kryejë modifikimet përkatëse në përputhje me arsyetimet dhe konstatimet e mësipërme të Komisionit të Prokurimit Publik.
Autoriteti kontraktues, brenda 10 ditëve duhet të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
Monitor.al. Titulli i redaksisë