Mungesa e vullnetit për përdorimin e sistemit audio përbën shkelje të Kodit të Procedurës Civile dhe shkak për nisjen e një procesi disiplinor ndaj gjyqtarit.Gjatë tre viteve të fundit, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka proceduar vetëm një gjyqtar për këtë arsye dhe ka në proces verifikimi tetë gjyqtarë të tjerë.
Sipas Inspektoriatit të KLD-së, 2 gjyqtarë të gjykatës së Durrësit, 1 gjyqtar i Gjykatës së Shkodrës, 4 gjyqtarë të gjykatave administrative të Apelit dhe 1 gjyqtar i rrethit gjyqësor të Kavajës rezultojnë me përdorim të ulët të sistemit audio në verën e vitit 2016.
“Nga raportet mujore të kryetarëve të gjykatave ne na ka rezultuar që bëhet fjalë se këta gjyqtarë kanë një masë të ulët të përdorimit të sistemit audio jo vetëm me të dhënat e tyre personale, por krahasimisht edhe me gjyqtarët e tjerë të së njëjtës gjykatë. Megjithatë duhet të jemi të qartë se nuk do të thotë apriori se të tetë rastet do të shkojnë në procedim disiplinor, pasi duhet të vërtetohet se kemi të bëjmë me një veprim me dashje në mospërdorimin e sistemit audio”, thotë Marsida Xhaferrllari, kryeinspektore e KLD-së.
I financuar nga projekti JUST i USAID-it si një mekanizëm që rrit kontrollin dhe transparencën brenda sistemit defektoz të gjyqësorit shqiptar, niveli i përdorimi i sistemit audio është tregues i performancës së gjyqtarëve, por edhe i gjykatave në krahasim me njëra-tjetrën.
Të dhënat e monitorimit të Inspektoriatit të KLD-së tregojnë se ndonëse në disa gjykata është arritur regjistrimi i 100 për qind i seancave, në disa gjykata të tjera ky nivel është në pragun e 20 për qindëshit.
Gjykata e Tiranës, ajo e Elbasanit, gjykata e Durrësit apo disa gjykata administrative të shkallës së parë apo të Apelit rezultojnë të kenë një nivel minimal të regjistrimit të seancave gjyqësore. Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari thotë se problem kryesor është mungesa e infrastrukturës.
“Sigurisht që ka disa arsye pse niveli nuk është 100 për qind nëpër gjykata. Së pari, kjo lidhet me infrastrukturën. Ne nuk duhet të harrojmë se ky sistem është instaluar në sallat e gjykimit dhe ne duhet të pranojmë që kemi ende gjyqe që zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Në rastet më të shumta, vjen nga fakti që kemi ende disa gjykata që kanë infrastrukturë të dobët, që nuk kanë ende standardin e duhur-numrin e gjyqtarëve me sallat e gjykimit”.
Gjykata më e madhe në vend, ajo e Tiranës përballet prej vitesh me mungesën e sallave të nevojshme të gjyqit-çka reflekton edhe nivelin e ulët të kryerjes së regjistrimeve audio në të. E ndarë aktualisht në dy godina, kjo gjykatë ka marrë vazhdimisht premtime nga politika për ndërtimin e një Pallati Drejtësie, por ende asnjë zgjidhje.
Në vitin 2011, qeveria e drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha vendosi që Pallati i Drejtësisë të ndërtohej në vendin ku ndodhej stacioni i trenit në Tiranë, por projekti u dublua nga ndërtimi i bulevardit të ri derisa u la në harresë.
Në vitin 2015, qeveria e Edi Ramës shpalli projektin e ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë në një zonë tjetër të Tiranës. Projekti nuk u shoqërua megjithatë nga një faturë financiare, duke mbetur ende në letër.
Ndërsa njeh avantazhet e përdorimit të sistemit audio, kryetarja e Gjykatës së Tiranës i tha BIRN se performanca e ulët lidhet me faktin se shumica e gjyqeve zhvillohen ende në zyrat e gjyqtarëve.
“Në dhomën civile kemi 55 gjyqtarë, janë në dispozicion të tyre vetëm 20 salla gjykimi dhe duke patur parasysh që vetëm në një muaj zhvillohen 5600 seanca gjyqësore atëherë na rezulton që 20 për qind regjistrohen në audio. Sa i takon dhomës penale ne kemi gjithsej 21 gjyqtarë, janë vetëm 7 salla në dispozicion të tyre dhe vetëm 19 për qind e tyre bëhen me regjistrim audio. Problemi i gjykatës së Tiranës është një problem i njohur-është gjykata më e madhe në vend që përbëhet nga 76 gjyqtarë dhe duhet ta pranojmë se përmirësimi i gjyqësorit në vend do të vijë vetëm nga gjykata e Tiranës”.
Ndërsa gjykatat administrative pretendojnë se specifika e tyre e zhvillimit të seancave përgatitore nuk është marrë parasysh në monitorim, duke i nxjerrë artificialisht si përdorues të ulët të sistemit audio.
“Për një çështje kërkohen mesatarisht një ose dy seanca gjyqësore, por në sistem regjistrohen 10 veprime. Këto veprime regjistrohen artificialisht si seanca gjyqësore dhe duke u rritur numri i këtyre veprimeve pakësohet edhe niveli i përdorimit të sistemit audio”, thotë Erjol Roshi, kryetar i gjykatës administrative të Tiranës.
Pavarësisht problematikave me të cilën përballet, sistemi i regjistrimit audio konsiderohet një histori suksesi nga aktorët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për këtë arsye, paketa ligjore e reformës në drejtësi ka synuar ta shtyjë përpara përdorimin e këtij sistemi, duke e cilësuar atë një kriter të rëndësishëm në vlerësimin profesional të gjyqtarëve.
VOA