Zbatimi i ligjit të ri të turizmit po has në vështirësi. Aktet nënligjore të miratuara pak kohë më parë duket se kanë sjellë shqetësime te biznesi turistik i cili kërkon të ndërhyhet në disa pika për të shmangur burokracitë dhe kostot e tepërta.
Përmes një letre të hapur drejtuar ministres së Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ku i kanë paraqitur edhe disa propozime:
“Nuk ka një ndarje të saktë në kriteret për licensim mes një Turoperatori dhe një Agjencie Udhetimi. Ndarja që ofron ligji përqëndrohet më shumë në përshkrimin e punës që ofron secili subjekt dhe aspak në kushtet e diferencuara që duhet të plotësojnë për licensim. Sipas ligjit, ndarja e vetme është diferenca në sipërfaqen e ambjentit të punës, elementi ky shumë më pak i rëndësishëm në shërbimin që ofrohet. Nisur nga kjo situatë, si dhe në praktikat ligjore të vendeve fqinjë dhe ato Europiane, ne insistojmë që këto shqetësime të mund të gjejnë rrugën e zgjidhjes, ndaj dhe kemi këto propozime:
1. Të gjëndet mundesia e përfshirjes në rregullore të sigurimit të detyrueshëm ndaj vlerës prej 50 000 Eurosh për Turoperatorët Incoming.
2. Numri minimal i punonjësve të një turoperatori të jetë katër.
3. Të hiqet detyrimi ligjor që administratori i një kompanie të jetë i detyruar të pajiset me një diplom universitare të nivelit të parë në turizëm. E konsiderojmë të panevojshëm këtë fakt, aq më tepër për kompani, të cilat kanë vite që operojnë në treg dhe kanë kontribuar në ngritjen dhe ofrimin e standarteve në këtë sektor.
• Turoperatorët apo edhe agjencitë turistike që operojnë në treg prej minimalisht pesë vitesh, pa ndërpreje me të njëjtin administrator , të mund të pajisen me licensën përkatëse pa patur nevojë për dokumenta apo testime shtesë, por duke konsideruar këtë eksperiencë pune si ekujvalent i diplomës së kërkuar për administratorin, që njihet edhe si drejtues teknik në të njëjtën kohë.
• Në rastet kur turoperatori ose agjencia turistike ka më pak se pesë vite në treg, administratori/drejtuesi teknik që nuk ka diplomën përkatëse, ti nënshtrohet një provimi për të marrë një certifikatë të tillë. Për ata administrator /drejtues teknik që do të donin të ndiqnin edhe një kurs përpara dhënies së këtij provimi, do të ishte mirë të ofrohej një kurs i tillë intensive disa ditor”, thuhet ne letrën e ATOA-s.
Shoqata i ka kërkuar ministrisë rishikimi të këtyre pikave.
Monitor.al