Open Data Albania ka renditur Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë sipas vlerave për të ardhura të deklaruara për vitin 2015.
Gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë janë subjekt i deklarimit dhe kontrollit publik të pasurive dhe konfliktit të interesit. Ata duhet të dorëzojnë në fillim viti një Deklaratë ku bëhen të ditura të ardhura, shtesa apo pakësim të pasurisë për dymbëdhjetë muaj të vitit të fundit.
Në hulumtimin e ODA është bërë renditja dhe kategorizimi sipas burimit të të ardhurave, e në fund për totalin e të ardhurave të krijuara në vitin 2015. Deklarimet e detajuara janë në rubrikën Para dhe Pushtet, portali Spending Data Albania. Transparenca dhe kontrolli publik përmes publikimit në format të mirë strukturuar bëhet si pjesë e aktiviteteve të Programit Para Pushtet dhe Polikë (MGP).
Gjykatësi më i paguar për punë pranë Gjykatës së Lartë dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015 rezulton Kryetari i Gjykatës së Lartë zoti Xhezair Zaganjori. Të ardhurat e tij diferencojnë për shkak të faktit që ai është kryetar i gjykatës, sikurse ka angazhime profesionale akademike dhe universitare. Paga e tij për shkak të funksionit pranë Gjykatës së Lartë deklarohet në vlerën 2 063 000 lekë, dhe të ardhura nga puna në total duke shtuar këtu angazhime akademike pranë Shkollës së Magjistraturës dhe Universiteteve, shkon 3 323 266 lekë.
Pas zotit Zaganjori është Gjyqtari Ardian Nuni që mban vendin e dytë në renditjen sipas të ardhurave personale nga puna. Zoti Nuni ka shënuar gjatë 2015 veç pagës si Gjyqtar edhe pagesa pranë shkollës së Magjistraturës dhe Universitetit të Tiranës, sikurse është angazhuar dhe paguar si ekspert në Grupe Këshillimore pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Posaçëm të Punës për Reformën në Drejtësi.
Dhjetë nga shtatëmbëdhjetë gjyqtarë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e gjyqtarit. Ajo çka bie në sy për deklarimin e të ardhurave të gjyqtarëve nga subjekte tregtare, jo publike që funksionojnë si universitete private është deklarimi si punëdhënës vetëm emrin e universitetit. Referimi i shoqërisë tregtare që vepron si universitet, dhe punëson një gjyqtar, do të adresonte më saktë burimin e të ardhurës dhe do ta adresonte më qartë kontrollin e konfliktit apo papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit në rast gjykimi sipas çështjeve.
(Burimi: rubrika Para dhe Pushtet, portali Spending data Albania
Komentet dhe Analiza: ODA)
Të ardhura si Këshilltarë Anëtarë Bordesh për Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Viti 2015
Të ardhurat nga interesat e depozitave bankare, maturimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve, është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Ky burim të ardhurash në kontekstin e një viti referon mbi gjendjen monetare që zotërojnë në total entitetet deklaruese. Janë shtatë gjyqtarë të lartë, që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim.
Zonja Arjana Fullani mban vendin e parë për shkak të përfitimeve të këtij lloji. Ajo deklaron të ardhura nga interesa bankare dhe bono thesari në vlerën 540 663 lekë. Zonja Evelina Qirjako dhe zoti Aleksandër Muskaj pasojnë listën.
Të ardhura nga interesa nga depozita bankare, tituj dhe obligacione për Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Viti 2015
Edhe të ardhurat nga qiratë japin një pasqyrë të pasurive që gjenerojnë fitime për subjektet deklaruese. Nëntë Gjyqtar të Gjykatës së Lartë përfitojnë të ardhura nga qiratë. Gjykatësi që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Shkëlzen Selimi me shtatë pikë trembëdhjetë milionë lekë. Evelina Qirjako gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht pesë pikë gjashtë milionë lekë. Gjashtë gjyqtarë rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë Gjykatës së Lartë.
E drejta e autorit dhe e drejta e publikimit, si një burim fitimi specifik për emra të doktrinës juridike, është deklaruar si burim të ardhure për vitin 2015 vetëm nga një anëtar i Gjykatës së Lartë. Është kryetari i kësaj gjykate zoti Xhezair Zaganjori që deklaron se ka fituar 190 000 lekë nga shitja e librit dhe e drejta e autorit për vitin 2015.
Të ardhura nga Publikimet dhe e drejta e Autorit për Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Viti 2015
Burimi: rubrika Para dhe Pushtet, portali Spending data Albania
Komentet dhe Analiza: ODA
Renditja e gjyqtarëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo partnerë, e kryeson zonja Mirela Fana. Bashkëshorti zoti Neshat Fana ka siguruar gjatë 2015 të ardhura nga puna në zyrë avokatie në vlerën 7.9 milionë lekë dhe tërheqje pranë një shoqërie tregtare ku është edhe ortak në vlerën 10.1 milionë lekë. Arsyeja e tërheqjes nuk është e specifikuar, por edhe nëse do të përjashtonim këtë deklarim likuiditeti për vitin 2015, renditja në vendin e parë do të mbetej e njëjtë. Familja Fana kryeson në renditjen sipas kategorisë të ardhura nga persona të familjes së gjyqtarit, pasuar nga familja Broci, familja Zeneli dhe familja Zaganjori.
Tek struktura e të ardhurave sipas bashkëshortëve dhe familjarëve konstatohet se tre nga bashkëshortët e Gjyqtarëve të Lartë janë në funksionin e noterit, një është gjyqtar, një është avokat njëkohësisht ish anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tre punojnë në institucione të larta publike përfshi Kuvendin dhe Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, dy janë bankier dhe një rast shënon nivel të lartë drejtues pranë një shoqërie aksionere publike (jo private).
Të Ardhura nga Detyrime të Shlyera nga të Tretë, është një tjetër burim të ardhurash për Anëtarët e Gjykatës së Lartë. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vinë nga shitja e pasurive apo detyrime të tjera kontraktore. Për të identifikuar qartë se cila pjesë e hyrjes është e ardhur dhe cila është thjeshtë tjetërsim i pasurisë nga pronë materiale në vlerë monetare, do duhet të dinim çmimin fillestar të pronës që shitet, apo të drejtës pasurore që tjetërsohet. Duke mos pasur këtë informacion, të ardhurat nga Detyrime të Shlyera nga të tretë, thjesht po i rendisim pa bërë kategorizim apo renditje. Gjyqtar me kategori të ardhurash apo hyrje të këtij karakteri janë zonja Arjana Fullani, Zoti Ilir Çeliku dhe Zonja Majlinda Andrea.
Në përfundim duke përllogaritur të ardhura totale të deklaratës së secilit gjykatës në Gjykatën e Lartë, ku përfshihen të gjitha kategoritë e sipër shënuara e njëkohësisht të ardhurat e personave të familjes në detyrim për deklarim, rezulton që renditjen e kryesojnë zonja Mirela Fana dhe zoti Shkëlzen Selimi. Ndërsa nëse do të konsiderojmë gjyqtarët në renditje duke filluar nga të ardhurat më të ulta është Edmond Islamaj që të ardhurat familjare të një viti i referon plotësisht të ardhura nga paga pa asnjë burim tjetër. Medi Bici është gjyqtari tjetër që ka në total bashkë me anëtarë të tjerë të familjes të ardhura që përkojmë me 143% kundrejt pagës vjetore të një gjyqtari të gjykatës së lartë.
Në përllogaritje të ardhurat apo të hyrat e deklaruara për vitin 2015, deklarimet në valutë të huaj janë konvertuar në monedhën lekë shqiptar sipas kursit mesatar vjetor për 2015 nga Banka e Shqipërisë. Çdo kategorizim dhe renditje përkon me të ardhura gjatë vitit 2015 dhe jo me tërësinë e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarët. Të detajuara këto të dhëna për secilin gjyqtar janë në rubrikën Para dhe Pushtet të portalit Spending Data Albania. Po aty ju mund të gjeni deklarimet vjetore dhe deklarime fillestare të pasurisë për Gjyqtar dhe Funksionar të tjerë të lartë. Gjithashtu tabelat me renditje për të gjithë Gjyqtarët mund të shkarkohen në versionin Excel.
Sipas deklaratave të gjyqtarëve për vitin 2015 rezulton që një Anëtar i Gjykatës së Lartë fiton mesatarisht mbi 6.5 milionë lekë në vit ose mbi 730 000 lekë në muaj, mesatare kjo katër herë më e lartë se paga si gjykatës. Gjithsesi vlen për tu theksuar se mesatarja e të ardhurave vjetore për gjyqtar të gjykatës së lartë në 2015 nuk është më e lartë se ajo e deputetëve të cilët në analizën e bërë nga Open Data Albania, reflektonin një të ardhur vjetore mesatarisht 8.4 herë më të lartë se paga.